FSHF: Pezullimi në të mirën e futbollit shqiptar
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas vendimit për pezullimin e Shqipërisë nga aktivitetet ndërkombëtare, duke u shprehur se kjo situatë ishte pasojë e marrëdhënieve inekzistente me shtetin shqiptar. "Prej gati tre vjetësh, marrëdhënia mes FSHF-së dhe MTKRS-së ka qenë një komunikim i pamundur, për shkak të presioneve dhe vendimeve që ka marrë ky organizëm në vazhdimësi. Madje kjo ka vazhduar edhe pas takimeve dhe korrespondencës së drejtpërdrejtë që MTKRS ka pasur me drejtuesit e UEFA-s dhe FIFA-s. Pas shumë paralajmërimeve dhe letrave zyrtare, në drejtim të përfaqësuesve të shtetit shqiptar, kokëfortësia e këtyre të fundit, ka bërë që situata të precipitojë, deri në vendimin për pezullim. FSHF i kërkon MTKRS dhe ministrit Pango, që urgjentisht të plotësojnë kushtet që kanë vënë FIFA dhe UEFA. FSHF kërkon që t‘ju bëjë me dije të gjithë anëtarëve të saj dhe opinionit publik, që pavarësisht vendimit të rëndë për pezullim, ai është marrë për t‘i ardhur në ndihmë futbollit shqiptar, për ta shpëtuar atë, nga ndërhyrjet dhe presionet e vazhdueshme, të cilat prej gati tre vjetësh shqetësojnë familjen e madhe të futbollit shqiptar", shkruhet në deklaratën e FSHF-së.