E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango: Ngjarja do të përfundojnë ndryshe nga pezullimi i vitit 1996

Ministria e Sporteve ka dalë me një qëndrim zyrtar pas pezullimit të Shqipërisë nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s. Kreu i këtij institucioni, Ylli Pango, ka hedhur poshtë mundësinë që shteti të tërhiqet nga pretendimet e tij, ashtu si ka ndodhur menjëherë pas pezullimit të vitit 1996. "Jam i sigurt se ngjarja do të përfundojë ndryshe, ishin fjalët e tij. Nuk mund të bëhet fjalë për tërheqje të shtetit, sepse ai e ka luajtur rolin e tij, duke u sjellë sipas ligjeve në fuqi". Në konferencën për shtyp të organizuar në ambientet e MTKRS-së, ai tha: "Dëshiroj të saktësoj se kemi të bëjmë me një pezullim pa afat nga Ekzekutivi i FIFA-s dhe jo me përjashtim, ashtu siç është trajtuar. Për të përjashtuar një federatë anëtare duhen më shumë se 2/3 e votave në Kongres. Megjithatë kjo nuk do të thotë se ministria që unë drejtoj nuk e ka marrë seriozisht këtë çështje".

Pango ka folur edhe rreth pikës më të "nxehtë" të debatit që solli pezullimin pa afat të Shqipërisë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare: kontrollin e brendshëm financiar. Sipas ministrit, auditi është pranë përfundimit dhe gjithçka do të bëhet publike kur ai të mbyllet plotësisht. "Auditimi do të vazhdojë. Në fakt ai është pranë fundit dhe rezultati do t‘i dërgohet edhe UEFA-s e FIFA-s dhe opinionit publik ndërkombëtar, të cilat duhet të vlerësojnë nëse Duka është i pastër apo jo. Ndeshjet eliminatore të Kampionatit Botëror fillojnë në muajin shtator dhe do të kemi kohë ta zgjidhim këtë. Por e mira do të ishte nëse do të mblidhej Asambleja e FSHF-së dhe auditi do të përfundonte". Për MTKRS-në mbledhja e Asamblesë së zakonshme do të zgjidhte çështjen e statutit të firmosur me ndryshim në pjesën e të ardhurave financiare të federatës, nga sponsorët apo shitja e së drejtës Tv. "U bë një lloj veprimi jo i ndershëm, sepse unë përderisa firmosa statutin dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi se ishte i kënaqur, atëherë unë e kisha dhënë mundësinë time për tolerancë. Por, mbi bazën e pretekstit të statutit, luftohej gjithmonë për atë pikë që është më delikate për FSHF-në, auditi". Në rast se Asambleja nuk e miraton ndryshimin e bërë nga ministri, Pango theksoi se "kjo do të tregojë hapur një dëshirë të fshehur të FSHF-së për të çuar padyshim në konflikt këtë problem, gjë që nuk është në të mirë të sportdashësve shqiptarë. Federata duhet të pranonte mbledhjen e Asamblesë dhe të votonte një togfjalësh që është legjitim ‘konform legjislacionit shqiptar në fuqi‘". Në fund edhe diçka për akuzat për shitje ndeshjesh, për të cilat FIFA dhe UEFA pretenduan fakte. Në këtë pikë, ministri është tërhequr: "I ishte kërkuar UEFA-s dhe FIFA-s të hetonin në lidhje me to, por në fakt kjo çështje është mbyllur. Ato nxorën përfundimin se Shqipëria nuk kishte asnjë lidhje në shitje ndeshjesh".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›