E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançini: Nuk është një "armëpushim"

"Besoj se gjatë këtyre ditëve keni pasur shumë gjëra për të shkruar, por tashmë ato i përkasin së kaluarës. Deklarata për largim në fund të sezonit, mund të ketë shërbyer pozitivisht, sepse gjatë javës nuk është folur për eliminimin nga Liga e Kampioneve. Gjithsesi, nuk bëhet fjalë për një ‘armëpushim‘ deri në fund të sezonit, pasi nuk do të isha në gjendje të thosha gënjeshtra". Kjo ishte deklarata e trajnerit të Interit, Roberto Mançinit, në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Palermon. Drejtuesi i stolit zikaltër dukej i qetë pas takimit me presidentin Morati. "Në momente të caktuara, shpjegoi ai, duhet të kesh më shumë siguri, mbi të gjitha kur skuadra kalon një periudhë të vështirë. As unë dhe as skuadra nuk kemi vuajtur nga asnjë traumë. Me Moratin u takuam vetëm 10 minuta dhe gjithçka përfundoi menjëherë".

Mançini ka folur edhe rreth konfliktit të pasqyruar nga mediat italiane, sipas të cilave "armiku" kryesor është portugezi Luis Figo. "Kam qenë futbollist për 20 vjet dhe e kuptoj se një futbollist që qëndron në stol mund të mos ta pëlqejë trajnerin e tij, apo se kur një lojtar që është në fushë humbet shkëlqimin gjatë lojës dhe pavarësisht kësaj nuk e kupton zgjedhjen e trajnerit pas zëvendësimit. Unë i kam përjetuar këto situata dhe për këtë arsye i kuptoj. Ndonjë gjobë? Nga ana ime nuk ka pasur kërkesa të tilla". Objektivi i Interit tashmë është kampionati dhe sipas teknikut "skuadra duhet të rikthehet te fitoret, të regjistrojë një seri rezultatesh pozitive. Kjo është një javë shumë e rëndësishme. Skuadra po rigjen formën optimale, kampionati është ende i hapur dhe do të na duhet të luftojmë deri në fund. Kemi një avantazh për të menaxhuar dhe është në dorën tonë nëse do arrijmë të ruajmë distancën. Nëse skuadra do t‘i fitojë të gjitha ndeshjet me rezultatin 2-0 ose 3-0, atëherë nuk ka asnjë lloj problemi nëse në momentin e zëvendësimit ndonjë futbollist mund të shfaqë shenja pakënaqësie".

Megjithatë, në kohën kur Mançini shpreh siguri për të ardhmen në krye të skuadrës, për të trazuar përsëri situatën kanë menduar mediat spanjolle. "Kush e di nëse ‘antipatiku‘ Murinjo do t‘i pëlqejë Moratit", citonin gazetat iberike. "Pavarësisht kësaj, një gjë është e sigurt: padroni i klubit zikaltër do t‘ia besojë skuadrën trajnerit portugez, duke filluar që prej sezonit të ardhshëm". Sipas "Sport.es", tekniku luzitan ka anashkaluar interesimin e Barcelonës, Realit të Madridit e Milanit dhe brenda pak ditëve pritet të firmosë për Interin. Marrëveshja ndërmjet palëve (Moratit dhe menaxherit të trajnerit, Horge Mendez) duket se është gjetur pas deklaratës së Mançinit, i cili kishte folur për largim në fund të sezonit. Nga ana e tij, drejtuesi i klubit zikaltër i ka propozuar Murinjos një projekt serioz dhe një shifër të konsiderueshme për të plotësuar kërkesat e tij në merkato. Sikur këto të mos mjaftonin, Morati i ka siguruar një rrogë shumë të lartë: paratë duket se nuk do të përbëjnë problem dhe Murinjo do të vazhdojë të jetë tekniku më i paguar në botë.

Lorent Blank

Ish-ylli i Interit, Lorent Blank, ka pranuar se kjo skuadër është shumë e vështirë për t‘u drejtuar. Francezi, i cili numëron 76 ndeshje me zikaltrit, ka thënë: "Interi është një skuadër e vështirë për t‘u stërvitur. Në periudhën kur luaja aty, u ndryshuan tre trajnerë. Nuk ka stabilitet".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›