E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Pezullimi i dytë, i turpshëm

Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës dhe njëkohësisht kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, e ka cilësuar të turpshëm përjashtimin e dytë të Shqipërisë. Sipas tij "për shkak të politikës së vjetër, për të dytën herë në këto 16 vjet, Shqipëria pezullohet nga FIFA dhe qeveria shqiptare. Kryeministri Sali Berisha bëhet shkak i një figure të shëmtuar të vendit tonë, në sytë e një organizate të madhe ndërkombëtare". Rama ka sulmuar edhe më tej kreun e ekzekutivit, për shkak të zgjidhjeve që ky i fundit ka kërkuar pas pezullimit. "Kjo është një shprehje primitive e kulturës së marrëdhënieve me partnerët në botën ku jetojmë. Ndërkohë që sot (dje), Kryeministri duhet të kishte kërkuar largimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ai bën të kundërtën, duke thënë se do të zbatohen ligjet e vendit dhe nuk pyesim rregullat dhe standardet e FIFA-s", theksoi më tej në deklaratën e tij kryetari i Partisë Socialiste. "Ky është një moment për të reflektuar lidhur me dëmet e mëdha që i ka sjellë dhe po i sjell vendit kjo politikë e vjetër dhe kjo kulturë e mbrapshtë e të konceptuarit, në raport me botën ku jetojmë, vazhdoi më tej Rama. Ky është një lajm i keq, i krijuar tërësisht në mënyrë artificiale nga politika e vjetër, nga Kryeministri Sali Berisha, nga ministrat e tij të papërgjegjshëm të Kulturës dhe Sportit, nga një mënyrë e të parit të botës prej frëngjisë dhe jo në qiellin e përbashkët të kontinentit tonë". Gjithsesi, ai shprehu besim se pavarësisht deklaratave, qeveria do të tërhiqet nga të gjitha pretendimet e saj, ashtu sikurse ka ndodhur përpara 12 vjetëve. "Njësoj si në vitin 1996, ku për të njëjtin nocion primitiv të ngulmimit, për të vënë nën thundër çdo institucion, qeveria dhe presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, i bën dëm Shqipërisë dhe pastaj u tërhoqën prapa, po kështu do të tërhiqen mbrapsht dhe kësaj radhe. Duhet të tërhiqet mbrapsht një orë e më parë, sepse nuk mund të privojë shqiptaret dhe shqiptarët nga përfaqësimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, nëpërmjet ekipit kombëtar apo dhe skuadrave të tjera, përfundoi kreu i PS-së. Në rast se në futboll ka pazarllëqe të ndyra, kjo është një arsye për ta reformuar sistemin së bashku me njerëzit e sistemit dhe jo një arsye për të ngritur akuza pa prova dhe për ta vendosur Shqipërinë në një ekuacion kaq të vështirë dhe qesharak".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›