Baza e PD-së, kundër bashkimit me Pollon
Bashkimi i PD-së me PDR-në e Pollos, po has përditë e më shumë kundërshtime tek anëtarët e PD-së në të gjitha rrethet e vendit. Shumë anëtarë dhe simpatizantë të PD-së në Rrethin e Bulqizës shprehen hapur kundër këtij bashkimi, duke shfaqur pakënaqësitë ndaj Pollos. Sipas tyre, kjo shkrirje e dy partive, e dëmton keqas imazhin e PD-së, pasi të emëruarit e PDR-së në Bulqizë, në emër të koalicionit qeverisës kanë rezultuar njerëzit më të korruptuar dhe të paaftë. Madje, anëtarësia e bazës së PD-së nuk ngurron të tregojë edhe konfliktet dhe goditjet e të emëruarve në poste të Pollos, kundër anëtarësisë dhe simpatizantëve të PD-së në Rrethin e Bulqizës, më së tepërmi në sektorin e arsimit, ku drejton kryetari i degës së PDR-së së Pollos. Në një mbledhje të grupit të punës për organizimin e strukturave të PD-së, me kryesinë e degës së PD-së të rrethit, zhvilluar këto ditët e fundit në Bulqizë, pa praninë e gazetarëve, mësohet se anëtarë të kësaj kryesie kanë kontestuar edhe punën e deputetit të zonës, Sali Shehu, i cili, sipas tyre, nuk ka punuar sa e si duhet me komunitetin që i dha votën në vitin 2005 dhe e zgjodhi deputet. Ata kanë kritikuar deputetin se nuk u është gjendur pranë për zgjidhjen e mjaft problemeve që preokupojnë komunitetin, por, sipas tyre, ai është parë vetëm në ndonjë rast fatkeqësie të vdekjes së ndonjë minatori. Gjithsesi, ideja e anëtarësisë dhe simpatizantëve të PD-së në Rrethin e Bulqizës është se nga ky bashkim mes dy partive të djathta i fituar del vetëm Pollo dhe klani i tij, ndërsa e humbur PD-ja dhe degët e saj, që do të duhet të përballojnë faturën e rëndë të imazhit negativ që ka akumuluar me punën e saj PDR-ja.