E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu, vizita e parë zyrtare në Shqipëri

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe homologu i tij i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kanë bërë thirrje dje që niveli i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare duhet të ngrihet në nivelin e marrëdhënieve politike. Kreu i Shtetit të Kosovës, ka zhvilluar dje vizitën e parë zyrtare, si President i Republikës më të re në Evropë. Protokolli i pritjes së Sejdiut, ka qenë i plotë dhe është përpjekur t‘i kthehen të gjitha nderet që Kosova i rezervoi Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, një vit më parë. Presidenti i Kosovës, përveçse është pritur me ceremoni nga homologu i tij shqiptar, Bamir Topi, është takuar me Kryeministrin Sali Berisha, Kryeparlamentaren Topalli, si dhe i është drejtuar me një fjalë të posaçme parlamentit të vendit.

Marrëdhëniet

Dy krerët e shteteve "binjake" në rajon, kanë kërkuar një rritje të marrëdhënieve dypalëshe. Presidenti Topi theksoi, në konferencën e shtypit pas takimit, se "unë po e them pa asnjë lloj hezitimi që marrëdhëniet do të jenë të natyrshme, do të kenë mbështetjen e padiskutueshme institucionale, që vjen fillimisht nga zhvillimi i atyre memorandumeve dhe marrëveshjeve që janë realizuar deri tani, por edhe nga aprovimi i marrëveshjeve të reja në vija specifike. Marrëdhëniet do të jenë në shumë fusha, do të jenë në fushën e energjetikës, do të jenë në fushën e infrastrukturës, në fushën e bujqësisë dhe të ushqimit, në turizëm, në marrëdhënie midis universiteteve, të cilat ekzistojnë praktikisht, por duhen që patjetër të intensifikohen dhe padyshim, ajo që unë e thash edhe në prononcimin tim, ndërtimi i rrugës në mënyrë të drejtpërdrejtë do të influencojë në rritjen e këtyre shkëmbimeve dhe nuk do të ketë thjesht shkëmbime që do të vijnë si pasojë e një biznesi të organizuar, por do të jetë edhe një shkëmbim marrëdhëniesh ekonomike të njerëzve të lirë, të thjeshtë, që do të kenë aksesin e padiskutueshëm për të shkëmbyer eksperiencën e tyre të biznesit në të dy krahët e kufirit".

Ndërkaq, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, bëri thirrje për një bashkëpunim të fuqishëm mes dy vendeve tona, për të krijuar një aks të rëndësishëm në rajon. "Është me rëndësi që të depërtojmë me kualitetin, me konkurrencën në lidhjet bashkëkohëse të ekonomisë së tregut dhe paralelisht me këtë që të krijojmë një bashkëpunim të ndërlidhur në segmente të veçanta të specifikave të secilit vend. Për ne është me rëndësi që ky kuadër i bashkëpunimit dhe i lëvizjes së lirë të qytetarëve të realizohet. Unë dhashë idenë që, duke mbështetur atë që e gjejmë gjatë muajve të verës, të lëvizjes së lirë të qytetarëve, jo vetëm për pjesën e turizmit të jetë një pjesë e lëvizjes së lirë të qytetarëve përgjatë gjithë vitit", theksoi Presidenti Sejdiu.

Gjithashtu, të dy Presidentët kanë kundërshtuar çdo mundësi të ndarjes së Kosovës. Gjatë ditës së sotme, Presidentët Topi dhe Sejdiu do të zhvillojnë një vizitë në punimet e rrugës Rrëshen-Kalimash. Gjithashtu, kreu i Republikës së Kosovës, do të marrë titullin "Qytetar Nderi" i Shkodrës nga bashkia e këtij qyteti.

Dekorata

Sejdiu nderohet me "Skënderbeun"

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ky urdhër iu dorëzua Presidentit Sejdiu me motivacionin "Për kontributin e shquar në udhëheqjen e rezistencës popullore kosovare dhe të gjithë veprimit politik për fitoren e pavarësisë së Kosovës dhe ndërtimin e një shteti të ri demokratik, për rolin e tij të rëndësishëm si politikan i respektuar nga populli i tij dhe faktori ndërkombëtar, për krijimin e ekuilibrave politik dhe institucional". Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu shprehu falënderimet dhe e pranoi këtë urdhër si "nder i veçantë që i bëhet popullit të Kosovës dhe aspiratës për liri, pavarësi dhe demokraci". Presidenti Sejdiu u prit në një ceremoni zyrtare në ambientet e Pallatit të Brigadave nga homologu i tij shqiptar, Bamir Topi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›