Shembet tavani i klasës, plagoset mësuesja
Një mësuese është plagosur rëndë, pasi tavani i klasës ku jepte mësim është shembur. Ngjarja ndodhi dje në fshatin Shullaz të Kurbinit, ku janë rrezikuar seriozisht edhe nxënësit, të cilët fatmirësisht kanë dalë nga klasa pa dëmtime serioze. Burime të Policisë së Kurbinit bënë të ditur se nga shembja e suvasë së tavanit është plagosur mësuesja Nexhmije Ahmeti. Ajo është nisur në gjendje të rëndë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës, ku dje në mbrëmje ka dalë jashtë rrezikut për jetën. Tavani i shkollës 9- vjeçare është shembur në ambientet e klasës së katërt, gjatë procesit mësimor. E gjithë ngjarja ka terrorizuar fëmijët, të cilët ishin ulur në bankat e shkollës dhe për pak kanë shpëtuar nga një tragjedi. Sipas policisë që ka nisur hetimin e ngjarjes, shkolla ka qenë e vjetër dhe jo e rikonstruktuar.