Tragjedia e Butrintit nuk e mbyll linjën e trafikut
As tragjedia e Butrintit me 5 viktima dhe 23 të mbijetuar nuk ka sjellë shkatërrim të rrjeteve të trafikut të klandestinëve. Orët e para të ditës së hënë e kanë treguar këtë, me rastin më të fundit të evidentuar nga policia. Një grup klandestinësh nga rrethe të vendit, ia kishin besuar kalimin e paligjshëm të kufirit me Greqinë trafikantit lezhjan Luan Noka. 26-vjeçari nga Lezha kishte mbërritur shumë pranë finalizimit të trafikimit të 18 klandestinëve, kur është kapur nga Policia e Sarandës, falë grumbullimit të informacionit në rrugë operative. Ai i ka akomoduar njerëzit në një nga hotelet e standardit "emigrant" në Sarandë. Rreth orës 03:45 të mëngjesit, ai i ka përgatitur për udhëtimin nëpër shtigjet ku do t‘i udhëhiqte, duke bashkëpunuar me vendas të zonës së Konispolit. Por pak minuta pasi ata ishin grumbulluar përpara, u dalin njerëz të luftës kundër krimit të organizuar, të cilët kanë prangosur menaxherin e tyre. Burime nga Komisariati i Policisë së Sarandës thanë se ai akuzohet për veprën penale "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim përfitimi". Nga hetimet e para rezultoi se, prej klandestinëve, Luan Noka do të merrte në përfundim të kalimit të tyre drejt shtetit grek nga 300 deri në 800 euro, sipas moshave dhe aftësisë paguese të secilit prej tyre.