Berat, krerët e PD dhe PDR: Bashkimi do bëhet
Kundërshtimi i hapur i anëtarëve të PD-së së Beratit ndaj bashkimit me PDR-në e Genc Pollos, ka sjellë dhe reagimin e drejtuesve të dy partive të djathta në këtë rreth. Krerët e partive të djathta kanë reaguar në mënyra të ndryshme në lidhje me situatën e krijuar të dielën në selinë blu. Kreu aktual i demokratëve beratas, Shkëlqim Hysi, në parim e ka pranuar shkrirjen e dy partive, por nuk ka hedhur poshtë atë pjesë të simpatizantëve që e kanë kundërshtuar atë dhe mos pranimin e emrit të Genc Pollos në krye të fushatës. Ndërkohë, ish-kryetari i PDR-së për Beratin, Yzedin Hima, është shprehur plotësisht dakord shkrirjes së dy degëve, duke e cilësuar si arritje mes dy partive. Por, në lidhje me akuzat e ngritura nga simpatizantët, ai thotë se "ato erdhën nga elementë të caktuar brenda PD-së, që janë lidhur për interesa personale me partinë".