E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Britanisë së Madhe: Shqipëria të bëjë kujdes me zgjedhjet e 2009

Londra zyrtare ka lëshuar paralajmërimin e bërjes kujdes me zgjedhjet e ardhshme elektorale në Shqipëri, të cilat duhet të jenë të lira dhe të ndershme. Mesazhi i qeverisë britanike, i është përcjellë liderit të opozitës, Edi Rama, i cili dje ka nisur një vizitë zyrtare treditore në Londër, me ftesë të Ministrisë së Jashtme britanike, Foreign and Commonwealth Office.

Gjatë ditës së parë të kësaj vizite, Rama është pritur nga ministrja e Shtetit për Evropën, Karoline Flint. Menjëherë pas takimit, Paul Sykes, zëdhënës i ministres Flint, i tha "Shqip" se kjo vizitë ishte një mundësi e mirë për ministren e Evropës dhe zotin Rama për të biseduar rreth zgjedhjeve të ardhshme elektorale. "Bisedimet dëshmuan edhe njëherë dëshirën e Britanisë së Madhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2009, duke shpresuar se Shqipëria do të vazhdojë së zhvilluari drejt një politikëbërjeje të matur", ka theksuar zëdhënësi.

Burime nga takimi shtojnë se zonja Flint ka theksuar domosdoshmërinë e miratimit të kodit elektoral dhe më pas të kalohet në fazën e implementimit. Vizita e Ramës në Foreign Office ka vazhduar me një tryezë të rrumbullakët zhvilluar nga grupi kërkimeve dhe analizës për Evropën në këtë ministri, ku morën pjesë analistë dhe studiues të çështjeve politike dhe ekonomike për Shqipërinë. Më pas, të pranishmit i kanë drejtuar atij një sërë pyetjesh, duke shprehur interes në politikat që do të ndjekë opozita aktuale, nëse fiton zgjedhjet e ardhshme elektorale. Themeluesi fondacionit "Butrinti", Lordin Rothchilde, i ka rezervuar Ramës një pritje në zyrat e këtij fondacioni, ku është biseduar për rëndësinë e madhe që ka trashëgimia arkeologjike në Shqipëri dhe në veçanti mbrojtja e saj. Në takimit me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Laburiste, Roy Kollins, Rama ka bashkëbiseduar rreth marrëdhënieve të Partisë Socialiste me laburistët britanikë. Kollins i ka shprehur Ramës gatishmërinë e plotë që kjo parti do t‘i ofrojë PS-së asistencën e duhur në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Rama, dje, në mbrëmje, ka zhvilluar një takim edhe me komunitetin shqiptar në Londër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›