Vetëdorëzohet i kërkuari për trafik armësh
Një 48-vjeçar nga Kukësi me emrin A.Metallari është vetëdorëzuar të hënën në mëngjes në komisariatin e policisë, pasi prej katër muajsh ishte shpallur në kërkim. Metallari kërkohej për trafik armësh dhe municioni të kryer në bashkëpunim. Për këtë akuzë, i biri i tij 18 vjeç ndodhet i arrestuar me burg që nga vera e këtij viti. Në atë kohë, policia sekuestroi në banesën e Metallarit disa automatikë dhe pistoleta, si dhe një arsenal prej mijëra fishekësh. Policia kishte ndaluar të birin dhe shpallur në kërkim të atin. Mbi ta rëndojnë akuzat e trafikut të armëve dhe municioneve. Ky trafik mendohet se është zhvilluar në linjat Mali i Zi-Shqipëri-Kosovë-Serbi dhe Maqedoni. I vetëdorëzuari nuk ka dhënë ndonjë prononcim për media, por burime të afërta me të thonë se ishte i lodhur nga ikjet e përditshme prej policisë.