E Diel, 1 Nëntor 2026

Baza, presion mbi demokratët për emrat

03/04/2005  Prezantimi i kandidaturave nga ana e kryetarit të PD-së, duket se ka shkaktuar edhe qejfmbetjet e para në bazën e partisë. Ndërsa degët e PD-së po përgatiteshin për të bërë propozimet e tyre në qendër, Berisha ndërmerr një tur prezantimesh, duke e vendosur bazën përpara faktit të kryer. Vetëm pak ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ritvan Bode, i ka dërguar një shkresë degëve të partisë në rrethe, me anë të së cilës u kërkonte krerëve të tyre të dërgonin pranë Kryesisë qëndrore propozimet dhe emrat që ata mendojnë se janë më të përshtatshëm për garën elektorale. Por, ndërkohë që baza po përgatiste kandidaturat, kryetari i partisë fillon prezantimin e kandidatëve, duke e vendosur këtë proces në një situatë paksa delikate. Mosmarrja e mendimit të strukturave në vendosjen e kandidaturave, rrezikon të lërë pa mbështetje kandidatët e PD-së. Ndërkohë, një problem tjetër për Berishën është dhe prezantimi i anëtarëve të KOP, si kandidatura në strukturat e degëve. Këta të fundit, duke mos pasur përvojë partiake, rrezikojnë të mos shihen me sy të mirë nga baza e partisë, pavarësisht nga dëshira e Berishës për t'i patur ekspertët e Komitetit të Orientimit të Politikave në parlament. Gjithsesi, për të gjitha këto probleme do jetë lideri demokrat, ai që do të vihet në rolin e ndërmjetësit për të zbutur pakënaqësitë e bazës mbi kandidaturat, që ai vetë do të vendosë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›