E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërron jetë Papa Gjon Pali II

03/04/2005  Ka vdekur dje në orët e mbasdites Papa Gjon Pali II, i cili drejtoi kishën katolike për çerek shekulli dhe ishte Papa me udhëtimet më të mëdha të njohura në histori. Ai vdiq në dhomën e tij në Vatikan në moshën 84-vjeçare pas një lëngate disajavore.

Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi papal Joakim Navarro-Valls dhe u shpërnda për shtypin me e-Mail.

"Papa i shenjtë vdiq këtë mbrëmje në orën 21.37 në apartamentin e tij privat. Të gjitha procedurat e theksuara në Kushtetutën apostolike `Universi Dominici Gregis' që janë shkruar nga Gjon Pali II më 22 shkurt 1996 përfshihen në procedurë".

Papa vdiq pas goditjes në zemër dhe një trajtimi spitalor për disa muaj me radhë. Vetëm pak orë para vdekjes, Vatikani theksoi se Papa ishte në gjendje të rëndë, por megjithatë ai kishte reaguar ndaj pyetjeve të njerëzve afër tij.

Që nga zgjedhja surprizë e tij më 1978, Papa udhëtoi shumë përgjatë botës, duke inspiruar një revoltë kundër komunizmit në vendin e tij të lindjes, Poloni dhe përgjatë ish-bllokut sovjetik, por ndërkohë ishte i vendosur kundër përdorimit të kontraceptivëve, abortit etj.

Papa ishte 56 vjeç kur u zgjodh në këtë post, ndërkohë që ishte kardinal i Krakovit. Ky ishte edhe Papa i parë joitalian në 455 vitet e fundit.

Pulla të posaçme nga Vatikani, kur vdes një Papë

Sipas traditës, Zyra Postare e Vatikanit nxjerr një seri të posaçme pullash kur vdes një Papë.

Zyrtarët në Vatikan thanë se pulla do të ketë si pamje vetëm dy çelësa të kryqëzuar që simbolizojnë postin e Papës të mbetur bosh.

Imazhi tradicional mbi pullat e Vatikanit ka si pamje çelësat e kryqëzuar si dhe simbole të tjera të Vatikanit.

Ndërsa pulla e posaçme përdoret vetëm në periudha të ashtuquajtura “interregnum” ose tranzitore, nga momenti i vdekjes së një Pape dhe zgjedhjes së një Pape të ri nga grupi i kardinalëve.

Vatikani nxori për herë të fundit një pullë me simbolin e postit të zbrazët të Papës në vitin 1978, kur vdiq Papa Gjon Pali i Parë.

Italia pezullon fushatën elektorale

I pari ka qenë Romano Prodi dhe më pas ministri i Punëve të Brendshme, Fini, që kanë kërkuar pezullimin e të gjitha manifestimeve apo takimeve për zgjedhjet lokale "në shenjë respekti për figurën e Papës". Politika dorëzon armët dhe pezullon të gjitha tubimet me karakter politik, ku si rrallëherë vendimi i të gjitha partive është unanim: "Sot është e këshillueshme të shikojmë dhe të heshtim". I njëjti apel vjen edhe nga Kryeministri Silvio Berluskoni: "I pezullojmë të gjitha aktivitetet tona". Por disa zëra që kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, kanë marrë përgjigje të prerë. "Shtyrja e zgjedhjeve nuk është e mundur, edhe në rast të hipotezave se Ati i Shenjtë do të kalojë në jetën e re në vigjilje të zgjedhjeve, ne do të vazhdojmë operacionin e votimit, duke i bërë ballë situatës edhe nga pikëpamja e sigurisë publike, në situata, të cilat do të jenë komplekse, kryesisht nga ardhja e pelegrinëve, por edhe personaliteteve nga të gjitha anët e botës", ka deklaruar Giuseppe Pisanu. "Në shenjë respekti të thellë për figurën e Papës, por edhe si shenjë të shprehjes së shpresës dhe të urimeve për shëndetin e tij, u propozoj të gjithë liderëve të partive të Unionit, të pezullojnë të gjitha manifestimet politike të programuara", thuhet në deklaratën e Romano Prodit. Unioni kishte përcaktuar një miting të madh në pasditen e ditës së djeshme në Romë, miting që do të drejtohej prej tij si kryetar i Bashkimit të Qendrës së Majtë, propozim që është pranuar menjëherë nga të gjithë drejtuesit politikë. Vetëm pak çaste më vonë, Gianfranco Fini ka thënë se, "nga dhimbja e madhe për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të Atit të Shenjtë, vendosëm së bashku me Kryeministrin Berluskoni, zv.kryeministrin Follini, të anulojmë manifestimet e parashikuara të zhvilloheshin për fushatën elektorale, në mbrëmje, në Palalottomatica, për të përfunduar fushatën elektorale. Besoj se në këtë pikë, të gjithë duhet të bëjmë një hap prapa". Alessandra Mussolini, mbesa e ish-diktatorit dhe lidere e Alternativës Sociale, u është përgjigjur pozitivisht kolegëve të saj, duke thënë se "po rishohim gjithçka. Duke parë gjendjen shëndetësore të Papës, të gjitha manifestimet e programuara nga Alternativa, do të pezullohen". Lidhja e Veriut, gjithashtu ka marrë të njëjtin vendim: "në shenjë respekti dhe dhimbje për shëndetin e Papës". Roberto Calderoli, koordinatori i sekretarit kombëtar të kësaj partie, Carroccio, u shpreh se "lidhja e konsideron të mbyllur fushatën elektorale, vendim që u kemi përcjellë të gjitha degëve tona në të gjithë vendin". Por, edhe Berluskoni, nëpërmjet zëdhënësit të qeverisë, u ka kërkuar të gjitha forcave politike të ndërpresin manifestimet politike. Por vendimi për ndërprerjen e manifestimeve politike në prag të zgjedhjeve lokale në shtetin fqinj, nuk ka vepruar vetëm në Romë, por është shtrirë në të gjithë vendin dhe është pranuar nga të gjitha forcat politike apo edhe kandidatët e tyre. Piemonte, Lombardia, Liguria, Emilia Romanja, Toskana, kudo kandidatët e forcave të ndryshme politike kanë ndërprerë gjithçka që kishte të bënte me fushatën elektorale, ku deklaratat e të gjithëve kishin pak a shumë të njëjtën përmbajtje: "në shenjë respekti dhe dhimbjeje për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet Ati i Shenjtë".

Rituali i zgjedhjes së Papës

Kardinalët e Vatikanit janë ngarkuar të zgjedhin Papën. Për këtë, ata do të mblidhen në konklav, një protokoll i pandryshuar pothuajse fare prej dhjetëra shekujsh. Pavarësisht nga hamendësimet që qarkullojnë, askush nuk e di me saktësi se kush do të jetë pasuesi i 264-ët i Vatikanit. Por, ajo që dihet është rituali i zgjedhjes. Papë mund të zgjidhet, në princip, çdo mashkull i pagëzuar, madje, edhe i martuar. Një traditë shekullore bën që ai të zgjidhet nga kolegët e tij kardinalë. Por, nga kardinalët kanë të drejtën e votës, që prej 1 janarit të vitit 1971, të gjithë ata që janë nën 80 vjeç. Dhe sot, ata janë 117 kardinalë, vetëm tre më pak nga numri kufi 120, i përcaktuar nga Pauli i VI, Papa i mëparshëm. Nga këta kardinalë, 58 janë evropianë, nga të cilët 20 italianë, 14 amerikano-veriorë, 21 latino-amerikanë, 11 afrikanë, 11 aziatikë dhe 2 oqeanianë. Shumica e tyre janë zgjedhur nga vetë Papa Vojtila II, fakt që i shton mundësitë se pasuesi i tij do të jetë një konservator nga pikëpamja teologjike, pra që do të vazhdojë të mos prekë disa nga çështjet më të ndjeshme, si kontraceptivët, gratë priftëresha etj.

Në procesin e votimit, kardinalët mblidhen në konklavë (nga latinishtja cum clave: nën çelës), në kupolën e shenjtë. Kjo praktikë e mbylljes së kardinalëve, e zbatuar që prej vitit 1274, ka për qëllim evitimin e zgjedhjeve të pafundme, sikundër kishte ndodhur në rastin e Grigorit të X, të cilat vazhduan 2 vjet e 9 muaj. Të dëshpëruar krejtësisht, banorët e Viterbit i "murosën" brenda pallatit kardinalët, deri sa të zgjidhnin Papën. Kardinalët e zgjedhin Papën me 2/3 e dëshirave të shprehura. Zhvillohen në princip 4 votime në ditë, 2 paradite dhe dy pasdite.

Në përfundim të çdo seance votimi, të gjitha fletët e votimit hidheshin në zjarr. Fillimisht digjeshin në kupolën e shenjtë, por kur konstatuan se tymi dëmtonte afresket e Mikelanxhelos, që nga shek. i XIX, digjen në një sobë të veçantë, oxhaku i së cilës shihet nga sheshi i "Shën Pjetrit". Votat pozitive nxjerrin tym të bardhë, ndërsa ato negative tym të zi. Kishte raste kur tymi dilte i zi. Që nga viti 1978, në fletët e votimit hidhet një produkt kimik, i zi ose i bardhë, në varësi të votës që jep secili kardinal.

Ndalohet rreptësisht zhvillimi i fushatave "elektorale"

Të gjithë kardinalët që kanë shansin të zgjidhen Papë, thërriten "papabile" (ndërsa, ata që zhvillojnë fushatë fshehurazi, thërriten "papaxhianti"). Në thelb, "rryshfeti" ndalohet dhe, një zgjedhje anulohet nëse vërtetohet se një kardinal është zgjedhur si rezultat i premtimeve që ka bërë, në rast se zgjidhet Papë. Por, pavërsisht nga këto rregulla strikte, shënohen raste "kompromentimesh". Në vitin 1721, Inoncenti i XIII u zgjodh në sajë të mbështetjes së kardinalëve dhe diplomatëve francezë, të cilëve u kishte premtuar se do të zgjidhte at Dubuanë, ministër të Punëve të Jashtme. Në vitin 1769, Klementi i XIV u detyrua të zgjidhej pas premtimit që bëri, se do të shpallte të paligjshëm "Urdhrin e jezuitëve". Në vitin 1939, Piu i XII u zgjodh Papë, pasi i premtoi kundërshtarit të tij, kardinal Magliones, se do ta bënte sekretar shteti. Ndërsa në vitin 1975, në muajin tetor, Pauli VI ndaloi të gjitha kontaktet mbi zgjedhjen e Papës, për aq kohë sa paraardhësi ishte ende në jetë. Të gjithë kardinalët, mbi 80 vjet që nuk marrin pjesë në votime, asistojnë në "mbledhjen e përgjithshme" që zhvillohet para konklavës (që mblidhet pas vdekjes së Papës dhe përgatit zgjedhjen e pasuesit të tij) dhe fillojnë "lutjen e popullit të Zotit në bazilikat romake dhe në të gjitha dioqezat e botës".

Kandidatët e mundshëm për Selinë e Shenjtë

Ka qenë vetë Papa Vojtila II, i cili shprehu dëshirën për të respektuar dominimin e italianëve në kolegjin e kardinalëve, nga të cilët 114 i ka emëruar ai vetë. Midis 20 kardinalëve italianë, emri më i lakuar gjatë gjithë kësaj jave ka qenë ai i arqipeshkvit të Milanos, Dionigi Tettamanzi. 71-vjeçari Tettamanzi, ka qenë sekretar i përgjithshëm në Arqipeshkopatën e Gjenovës. Para tre vitesh ai u transferua në Milano, me vendim të vetë Papës, që të le përshtypjen e një "investimi". Një papabile tjetër i mundshëm është patriarku i Venecias, Angelo Scola, 63-vjeçar. Që të dy këta kandidatë potencialë janë teologë me një famë të madhe dhe i përkasin botës akademike. Shenja për një kandidaturë të mundshme ka marrë edhe Camillo Ruini, si edhe sekretari i shtetit të Vatikanit, Angelo Sodano, bashkëpunëtori më i afërt i Papës. Përsa i përket emrave më të lakuar të kardinalëve italianë, 74-vjeçari Ruini, një teolog i famshëm, ekspert politik, por edhe figura më e njohur në plan ndërkombëtar, duke u zgjedhur si relator i përgjithshëm në takimin special evropian, në vitin 1990, por edhe për ndihmën shumë bujare dhënë nga kisha italiane ndaj kishave të botës së tretë. Por, edhe kardinali Carlo Maria Martini është po kaq i njohur në botë. Ndërsa grupi tjetër i kardinalëve italianë, ku përfshihen Sodano, Re, Nicora, Sepe, Marchisano, Sebastiani e Martino, apo edhe emra të tjerë, konsiderohen si më pak të mundshëm për një përzgjedhje të tillë, pasi u mungon eksperienca.

Midis tyre, at Sodano mund të ushtrojë rolin e të zgjedhurit të madh, sidomos në rast se në votimet e para nuk arrin të dalë asnjë italian. Por edhe kardinalët amerikano-latinë janë një potencial i mundshëm për drejtimin e Selisë së Shenjtë.

Emrat më të përmendur dhe më të besueshëm janë pesë: Lopez Rodriguez, nga Sant Domingo; Oscar Maria Rodriguez Maradiaga, nga Hondurasi; Rivera Carrera, nga Meksika; Josè Maria Bergoglio, nga Argjentina dhe Claudio Humes, nga San Paolo i Brazilit. Por, edhe dy indianët Ivan Dias dhe Telesphore Toppo, konsiderohen si papabili të mundshëm. Ndërsa nga Evropa, emri, i cili tërheq më shumë vëmendjen, është ai i arqipeshkvit të Vjenës, Christoph Schoenborn.

Një film për jetën e Papa Gjon Palit të II

Në muajin prill pritet të transmetohet në rrjetin televiziv italian "Mediaset", një film mbi jetën e Papa Gjon Palit të II. I financuar, pothuajse krejtësisht nga kompania "Mediaset" e Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, filmi titullohet "Karol Ëojtyla; Historia e njeriut që u bë Papë", dhe do të transmetohet në televizionin italian "Kanali 5", i konceptuar në dy seri, nga 100 minuta. Filmi do të drejtohet nga regjisori italian Giacomo Battiato dhe ylli i kinematografisë italiane, Raoul Bova, do të ketë një rol kryesor. Ngjarjet e filmit fillojnë në vitet 1930, në Ëadoëice (Poloni), kur Karol Ëojtyla ishte vetëm 10-vjeçar dhe përfundojnë në 16 tetor 1978, kur ai u shpall Papë.

Muaj më parë, aktori që do të luaj Papën në këtë film, polaku Piotr Adamczyk, pati një takim Papa Gjon Palin e Dytë. Adamczyk i deklaroi atëherë Atit të Shenjtë, se ishte jashtëzakonisht i lumtur që do të luante rolin e tij. Gjatë takimit, sipas producentit Pietro Valsecchi, Ati i Shenjtë, duke e vështruar aktorin e ri në sy, e pyeti: "Ju jeni i 'çmendur' nga gëzimi, që do të luani në një film për jetën time? Po përse? Çfarë kam bërë unë?". Nga ana tjetër, aktori polak, pas këtij takimi, ka deklaruar për mediat: "Kur mësova se Ati i Shenjtë dëshironte të më takonte, e humba fare. Isha shumë i emocionuar dhe në të njëjtën kohë mendoja se çfarë do t'i thoja. Kur sekretari i tij më prezantoi para tij duke thënë: At i Shenjtë, ky është aktori që do të luajë rolin tuaj në film. Për herë të parë në jetën time m'u lidh gjuha. U ndjeva sikur të isha një fëmijë shtatëvjeçar".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›