Shkodra përkujton 4 dëshmorët
03/04/2005 Në Shkodër është përkujtuar dje 2 prilli, dita e vrasjes të katër dëshmorëve të demokracisë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, 14 vjet më parë. Kjo datë përkujtohet çdo vit, si dita e kthesës së madhe të demokracisë, ku Shkodra sakrifikoi 4 jetë të rinjsh. Banorët e Shkodrës nuk përkujtojnë vetëm martirët e demokracisë, por së bashku me ta dhe qindra të tjerë të keqtrajtuar nga policia. Dje paradite, shoqata “2 Prilli”, së bashku me Bashkinë e Shkodrës, kanë organizuar në sheshin me të njëjtin emër, ceremoninë përkujtimore, ku nën tingujt e bandës së qytetit, pranë përmendores së ngritur në kujtim të martirëve dhe të kësaj date, janë vendosur kurora me lule nga drejtuesit e shoqatës, Bashkisë, Qarkut, familjarëve të martirëve. Në përkujtim kanë marrë pjesë dhe nën/kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, deputetët Pjetër Arbnori, Astrit Bushati etj. Më pas janë organizuar vizita në familjet e katër të vrarëve si dhe janë vendosur kurora me lule edhe në varrezat e dëshmorëve, ku prehen trupat e tyre. Ndërsa shoqata "2 Prilli”, ka organizuar në teatrin “Migjeni” një aktivitet në shenjë vlerësimi.