KQZ përfundon trajnimet e ZRZ-ve
03/04/2005 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi trajnimin përfundimtar të inspektorëve të 12 Zyrave Rajonale Zgjedhore, të cilat do të funksionojnë në të gjitha prefekturat e vendit. Ngritja e Zyrave Rajonale Zgjedhore është një projekt i ri i KQZ dhe sjell formimin për herë të parë të strukturave të tilla për procesin e ardhshëm zgjedhor. ZRZ do të kryejnë detyra të karakterit ekzekutiv dhe organizativ, dhe do të mundësojnë përcjelljen e menjëhershme të vendimeve dhe udhëzimeve të KQZ për komisionet e zonave zgjedhore. Gjithashtu, këto struktura do të japin ndihmesë në organizimin e trajnimeve të komisionerëve zgjedhorë, sigurimin e bazës logjistike dhe do të mbajnë kontakte të vazhdueshme me subjektet zgjedhore vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se ngritja dhe funksionimi i ZRZ-ve do të jetë një mundësi më shumë për administrimin e zgjedhjeve të ardhshme.