Partitë nuk zbatojnë programet elektorale
03/04/2005 Numri tepër i madh i partive politike në Shqipëri është bërë shpesh objekt debati mes politikanëve të ndryshëm. Gjatë zgjedhjeve për pushtetin vendor, si dhe gjatë procesit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, është theksuar se një numër mjaft i madh partish janë krijuar vetëm për ta marrë fondin që jep shteti gjatë proceseve zgjedhore. Ndërsa 70 për qind e partive politike nuk arrin të marrë as 1 për qind të votave. Megjithëkëtë debat, përcaktimet e kodit zgjedhor nuk parashikojnë mbylljen e aktivitetit për partitë politike që nuk kanë mbështetjen e elektoratit. Në regjistrin e Gjykatës, paraqiten emrat e partive që në programin e tyre kanë mbrojtjen e fermerëve, emigrantëve, shtresat sociale etj. Por megjithëkëtë, asnjë prej këtyre forcave nuk ka dalë në mbrojtje të problemeve që kanë dalë gjatë viteve, por janë shfaqur si parti vetëm në momentin e zgjedhjeve, duke marrë 100 apo 200 mijë lekët, që akordohen nga shteti, për të përballuar zhvillimet në procesin elektoral. Pas kësaj dhe emri i kryetarit, që mund të jetë dhe kandidat i vetëm për partinë, zhduket. Një veprim i tillë ka sjellë që Shqipëria të cilësohet vendi që ka më shumë parti politike, edhe pse ka një numër relativisht të vogël për nga popullsia.