E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimi i plotë i Aida Shtinos: U ndava me tim shoq se s’jetoja dot mbi gënjeshtra

Suplementi Une GRUAJA

Ajo s’ka ndër mend të marrë rolin e shenjtores, megjithëse brenda saj jo pak shenjtëri ka. Nuk udhëhiqet më nga dobësia, çiltërsia aktive dhe as nga ndjeshmëria e lartë që veten ta sakrifikojë për të tjerët. Por jo vetëm kaq... Tanimë ndihet një femër e fortë. Ndërsa gjithçka që ndahej në copa të vogla dyshimi, apo pasigurie tendencioze, i përkasin të shkuarës. Ky vit, siç tregon për revistën “Psikologji”, mund të konsiderohet si një rilindje e re për gazetaren e njohur të emisionit “Njerëz të humbur”. Aida Shtino, me misionin e saj sa human, aq edhe fisnik, në bilancin e pothuaj pesë vite jetëgjatësi, parashikon t’i japë energji të reja gjithë çka të bëjë me realizimin e qëllimit të saj: një profesioniste e suksesshme në karrierë. Krejt e lirë, në një bisedë, ku mund të thyhen fare lehtë kufijtë e etiketës naive, Aida rrëfen pa ngurrim edhe detaje për jetën e saj private. Nuk ka komplekse dhe as dilemë dytësore nëse duhet të flasë, apo të vazhdojë ta mbajë rezervë, historinë e fundit të martesës së saj disavjeçare. Dhe për më tepër është krejt e gatshme të tregojë për rrugën e re që ka vendosur të ndjekë në jetë. Shtino është e bindur se guximi dhe forca që ka fituar vit pas viti kanë ndikuar në krijimin e një personaliteti më vendimmarrës. Dhe vendimet janë marrë. Drejtuesja e njohur televizive, karriera e së cilës përpara se të niste në Tiranë nisi në Athinë, pritet të ketë një ngritje të re në pozicionin që ajo ka zgjedhur, për të qenë veç të tjerash, pjesë e humanizmit dhe mirësisë.

Si po shkon ky vit për ju?
Si çdo njeri me problemet e tij. Me të mirat, të këqijat. Mendoj se më në fund ndihem vetvetja. Më shumë se kurrë jam Aida.
Që do të thotë se ndihesh më e lirë se kurrë?
Shpeshherë njerëzit mundohen të nxjerrin atë që nuk e kanë, të fshehin ndjenjat. Unë kam momente që jam e lirë, nuk kam pse e fsheh. Ndihem e lirë në atë që dua të them dhe atë që dua të bëj.
Mendon se kjo e ka një kosto?
Natyrisht që po. Unë besoj se e kam paguar këtë.
Kështu ka qenë gjithnjë Aida, apo ka ndryshuar?
Po. Kam ndryshuar shumë. Sa herë kthej kokën prapa e vërtetoj këtë. E ndjej ndryshimin tek vetja në çdo hap.
çfarë ndikoi që ndryshoi?
Duke qenë pranë të 40-tave mendoj se njeriu piqet. Mua më ka ndryshuar shumë puna që kam zgjedhur. Më ka bërë më shumë humane. Kam kuptuar thelbin e jetës dhe kjo është më njerëzorja. Njeriu vjen një herë në jetë dhe duhet të jetoj për veten e tij, por nëse ai është mirë me veten e tij mund të jetë dhe me të tjerët.
Përballja me histori të ndryshme, të dhimbshme të kanë ngarkuar emocionalisht. Si i ke menaxhuar emocionet?
Përpara se ta filloja këtë emision kam qenë tip i dobët. Shpeshherë prekesha, emocionohesha. Pas pesë vitesh në këtë mision, them se jam bërë më e fortë. Në fillim e kisha të vështirë ta përballoja. Kur dëgjoja një nënë që hapte zemrën, fliste për fëmijën e humbur mbi 10 vjet, unë duhet t’i jepja kurajë. Nëse nuk do ta bëja këtë nuk do të isha këtu.
Të është dashur të bësh rolin e psikologes? çfarë të ka ndihmuar?
Për të tjerët ka ndodhur shumë shpesh. Ndoshta ka ardhur spontanisht dëshira për të ndihmuar të tjerët. Ndërsa për veten jam munduar t’i mbaj përbrenda emocionet. Shpërthyer në të qara dhe për këtë më është dashur dhe ndihma e regjisorit për të ndërhyrë në një moment pauze për të marrë veten. Jam përpjekur të jem e fortë.
Ku e ke gjetur këtë forcë? Të ka ndihmuar dikush?
është një gjë që e kam menduar shpesh. Sinqerisht, them se unë sa futem në studio nuk ndjej lodhje. është një forcë që ma ka dhënë Zoti. Të gjitha gjërat i bëj vetë, skenarin, organizimin, jap idetë për kronikat, kërkimet. Por një mbështetje e madhe për mua ka qenë Perëndia dhe publiku.
Mendon se ka qenë një forcë magjike që ka ardhur ta përcjellë këtë mision tek ti?
Gjërat kanë ndodhur shumë shpejt dhe unë nuk mendoj se ka qenë rastësi. është dikush që i rregullon gjërat tona. Unë mendoj se ky ka qenë misioni im. Nuk e bëj për të qenë e pranishme në ekran, apo për anën financiare, për të cilën ne punojmë për të përmirësuar jetën tonë, por e bëj me shpirt. Edhe kur shkoj në shtëpi mendja më rri tek historitë, në ato labirinte të vështira për t’u zgjidhur.
Ke përjetuar ndonjëherë stres apo makthe nga ngarkesat emocionale të historive rrëqethëse. Je dramatizuar nga këto ngjarje?
Kur kam qenë tek televizioni “Vizion Plus” trajtonim rastin e një djali me shtetësi angleze, i cili kërkohej nga e ëma dhe motra. Pak para fillimit të emisionit, mësova se ai djalë ishte vrarë. Këtë lajm më duhej të mos e ndaja me askënd, sepse më parë duhej të lajmëroja policinë, ashtu siç thotë ligji. Atë natë nuk kam për ta harruar. Nuk më ka zënë gjumi pasi kisha dijeni se djalin e kishin vrarë dhe e kishin hedhur në kanal. Pjesa më e vështirë ishte kur më duhej t’ua komunikoja familjarëve. Nuk më hiqet nga mendja ajo histori. Shoku i tij nga Lezha, i cili na tregoi për shoqërinë e tyre, zbulohet pak më vonë nga policia se ishte pikërisht ai që kishte kryer vrasjen.
Ke pasur ndonjëherë nevojë për këshillim psikologjik?
Shumë herë, por nuk kam gjetur kohën e duhur të merresha me ‘Aidën’. Dita jonë është mjaft e ngarkuar. Kur të kap ritmi i punës nuk gjen dot hapësirat për veten. Shpesh herë them: Si do ta përballoj? E mendoj gjithnjë se duhet të largohem në këto vendet e thella, të largëta, në mal, të jem vetëm dhe e qetë.
Për familjen ke pasur kohë?
Jam munduar që të jem e pranishme në çdo lloj mënyre. Fundjava është ajo që më gjen më pranë të afërmve të mi. Natyrisht që gjatë ditëve të javës jam shumë e interesuar përmes telefonit. Të veçantë kam lidhjen me djalin, i cili është në moshën e adoleshencës dhe ka nevojë për këshillat e mia. Jemi si shokë bashkë. Pavarësisht se unë i kam munguar me orët e stërzgjatura në punë, Brendon e ka ndjerë praninë time në çdo hap.
Ti ndihmon shumë njerëz që kanë humbur të afërmit? Po Aida ka humbur ndonjëherë dikë, apo diçka?
Kam pësuar shumë zhgënjime nga njerëzit, kam dhënë shumë dashuri, dhe mendoj se e kam humbur Aidën e çiltër, naive, që besonte për çdo gjë. Thjesht, kam humbur Aidën e dikurshme.
Të vjen keq për këtë?
Jo, sepse ky ka qenë rikthimi që unë kam bërë me dashje. Nuk jam penduar për asgjë. Thjeshtë i kam bërë. Janë gabimet e mia, dhe çdo gabim ka dhe pasoja. Unë besoj në shprehjen se “çdo njeri paguan për gabimet që bën”, dhe unë i kam paguar.
Ke bërë shumë gabime në jetë?
Do isha shumë egoiste nëse do të thosha që nuk kam bërë gabime. Por, jam munduar të mësoj nga ato. Jam tip që di të organizoj, dhe kur i vë qëllim vetes, bëj realitet ato që dua. Ndodhin disa momente në jetë apo rrethana që nuk janë në favorin tonë. Kjo më ka shërbyer të vazhdoj rrugën time.
Në media po diskutohet çështja e divorcit tuaj. E ke pasur të vështirë për të marrë këtë vendim?
Asnjë femër nuk dëshiron të shkatërrojë familjen, të cilën unë e kisha ndërtuar me shumë sakrifica, me shumë mund. Kisha dhënë shpirtin dhe zemrën time. Shumë net kam kaluar pa gjumë. Vendimet se si do t’ia bëj, çfarë do të ndodhë?! Por më në fund u bëra ajo Aida e fortë që jam edhe sot.
Jeton në një botë të pasigurt. çfarë të tremb?
çdo gjë më tremb, por megjithatë kjo nuk do të thotë që unë nuk kam forca për ta përballuar dhe e them shpesh këtë. Kjo është jo vetëm motoja ime në emision, por edhe e gjithë jetës sime. E them shpesh: Jeta është një luftë, por ti duhet të jesh luftëtar, që të dish ta përballosh. Edhe unë mendoj se kam hyrë në këtë luftë si e tillë.
Ka ndikuar fakti që duke bërë zëri i ndërgjegjësimit për të tjerë që të dinë të balancojnë cilësinë e jetës së tyre, të marrësh këtë vendim?
Besoj se po. Duke dëgjuar historitë e njerëzve që unë trajtoj në emision, kam mësuar se cili është thelbi i jetës, cila është ajo gjë që ne duhet të jetojmë. Këtu bazohet vendimi im i rëndësishëm. Kam kuptuar se njeriu duhet të jetojë edhe mbi gënjeshtra apo një ndjenjë joreale.
Ky veprim ka ardhur gradual, apo i papritur?
Gjërat erdhën në një pikë të tillë, që nuk kishta më kthim mbrapa, nuk e di se si i ka ardhur bashkëshortit, i papritur apo jo. Mbase ka menduar se Aida është po ajo dhe nuk mund të marrë vendime të tilla. Por ajo Aidë ka vdekur. Tashmë jam personi, i cili i mendoj gjërat ndryshe. Them se ka ndikuar pjekuria e moshës. Duke qenë pranë të 40-tave nuk besoj më në ato përralla. Gjërat ndryshojnë, por njeriu nuk ndryshon.
Në një moshë të pjekur është delikate të marrësh kthesë tjetër?
Janë shumë gra në këtë botë që e përballojnë jetën vetëm. Njoh shumë femra që punojnë nga mëngjesi deri në darkë, kanë një karrierë, mbajnë dhe bashkëshortët e tyre, atëherë përse të jetë problem. Në momentin që njëri jep, po kaq bashkëpunues duhet të jetë edhe pala tjetër për të ndërtuar një familje, sepse jeta është shumë e vështirë.
Djali ka një marrëdhënie të shëndetshme me ty? Si e ka pritur këtë vendim? Të ka mbështetur?
Unë nuk e di se çfarë luhet në zemrën dhe shpirtin e Brendon, por thjesht nga ato që ne kemi biseduar, ai ka respektuar vendimin tim.
Nuk të ka gjykuar?
Thjesht ka kuptuar se kur dy njerëz nuk mund të jetojnë dot bashkë, nuk kanë pse për hatër të opinionit, apo diçka tjetër, të mbajnë me kusht lidhjen e tyre.
Si ka reaguar rrethi shoqëror, familjar, kolegët?
Një pjesë kanë respektuar vendimin tim, të tjerë, të cilët mendoja se i kisha miq pasi kisha investuar për ta në aspektin shpirtëror, më kanë zhgënjyer vërtet. Më kanë kthyer krahët dhe kanë folur kundër meje.
Vetëm se divorcohet një grua duhet të jetë ky reagim?
Për këtë më ka ardhur shumë keq, sepse unë nuk jam person i tillë, që mund ta përdorësh si ombrellë. Kjo më ka vrarë më shumë. Ata duke njohur aftësitë dhe karakterin tim mendonin se unë nuk mund të bëja këtë gjë kurrë.
Mendon që ky vendim mund të cenojë imazhin tënd te publiku?
Nëse njerëzit mendojnë se imazhi im varet tek jeta private, nuk e kam menduar asnjëherë. “Njerëz të Humbur” për mua është mision tek i cili unë jam thjesht Aida. Nëse unë do të mund të jetoja me një imazh fals, atëherë “dënomëni”.
Projektet tuaja për ata që presin zgjidhje nga ju? Sa ka ndikuar në ndryshimin e karakterit tuaj?
Ka ndikuar shumë. Jam bërë më pak egoiste. Kur unë kam pasur ndonjë problem apo një hall, kam dëgjuar ndonjë histori të pazgjidhshme, shumë të dhimbshme, kam thënë po unë ç’po kërkoj. Jam bërë person që t’i shikoj gjërat më pozitivisht.
çfarë do të doje të ndryshoje pas gjithë kësaj rrjedhe të jetës?
Nuk mendoj se do të ndryshoja diçka. Nuk pendohem për gjërat që kam bërë. Kanë qenë pjesë e jetës sime. E vetmja që do të ndryshoja sikur të kthehesha në kohë, të mos largohesha nga Shqipëria. Nuk do ta bëja më kurrë. 13 vjet në Athinë më kanë shërbyer si negativisht ashtu dhe pozitivisht. Kam mësuar durimin, racizmin dhe psikologjinë, por i kam gëlltitur dhe kam ecur përpara.
(Marrë nga revista “Psikologji”)

Nuk ka më...“ky është fati”!

Këndvështirmi i Aida Shtinos ka ndryshuar në shumë gjëra. Ka të ngjarë, që këto ndryshime, të mos jenë perceptuar njësoj nga të dyja palët. E nëse asnjëri prej të dyve nuk është i gatshëm për kompromiset e heshtura, vendimi vjen vetiu. E dikush, duhet të jetë i gatshëm ta marrë, sado që fare qartësisht arsyet, ndoshta nuk dalin asnjëherë. Këto pikëpyetje ndihen edhe në përgjigjen e saj…”Nuk e di se çfarë ndodhi. Gjërat rrodhën në atë mënyrë sa që ishte e kotë të jetoje në një strehë me një njeri për hipokrizi. Unë jam person që nuk mund të jetoj mbi një gënjeshtër. Në momentin që jap shumë dhe nga ana tjetër nuk marr asgjë mendohem mirë. Mendoj se njeriu duhet të bëhet i fortë në çdo drejtim, sido të vijë situata. Kjo është një jetë, atë na e ka dhënë Zoti dhe nuk ka pse të bëhemi pronë e askujt. Nuk kemi pse të jetojmë për atë që njerëzit janë mësuar të thonë se “ky është fati”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›