Beçaj: Drejtësia po përballet me probleme të shumta

Një sërë problematika të drejtësisë shqiptare ka renditur kryetarja e gjykatë së lartë Shpresa Beçaj gjatë një takimi që ka pasur me ambasadoren e Britanisë së Madhe Fiona Mcllwham. Sipas Beçajt drejtësia shqiptare përballet me probleme e vështirësi të shumta, të cilat nuk mund të kapërcehen pa strategji dhe politika të drejta e të qarta.
Më pas ajo ka renditur edhe një tjetër ngërç të Gjykatës së Lartë ku trupa gjyqësore funksionon pa gjyqtarë të mjaftueshëm për një kohë të gjatë, e cila sjell vonesa në shqyrtimin e çështjeve dhe pakënaqësi nga ana e publikut.
“Për realizimin e një reforme të plotë dhe imediate, kërkohet mbështetje nga të gjithë institucionet ligjvënese dhe ekzekutivi, per te reformuar kodet proceduriale, krijuar nje Kolegji Administrativ pranë Gjykatës së Lartë, rritjen e numrit të gjyqtarëve, vazhdimin e detyrës së gjyqtarëve deri në zëvendësimin e tyre, riemërimi i gjyqtarëve mbas mbarimit të mandatit”, ka pohuar Beçaj, ndërsa ka siguruar edhe për vazhdimin e reformave në sistemin e sigurisë.
Ambasadorja e Britanisë së Madhe ka pohuar se opinioni i BE-së në muajin nëntor parashtroi disa prioritete që lidhen drejtpërdrejt me gjyqësorin dhe, Ministria e Drejtësisë po punon mbi një strategji për t`i adresuar këto çështje.
Ajo konfirmoi se qeveria Britanike do të vazhdojë të mbështesë reformat në drejtësi dhe theksoi rëndësinë e profesionalizmit dhe pavarësisë së institucioneve. Në këtë takim ka qenë edhe një Gjykatës i Lartë britanik dhe drejtues i një projekti që mbështet Gjykatën e Lartë, financuar nga qeveria britanike.