Beçaj: Kërkesat për pezullim depozitohen edhe në muajin gusht

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj
TIRANE Duke nisur nga sot, sistemi gjyqësor në vend merr lejen vjetore, leje që zgjat përgjatë gjithë muajit gusht. Por askujt nuk do ti humbë e drejta e ankimimit të një vendimi gjyqësor të Shkallës së Parë apo Apelit. Dyert nuk do të mbyllen as një Gjykatën e Lartë, ku edhe gjatë muajit gusht qytetarët mund të depozitojnë kërkesat e tyre për pezullim të ekzekutimeve të vendimeve të formës së prerë. Fakti u konfirmua dje nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Në një prononcim për gazetën Panorama, kryegjyqtarja Beçaj garantoi se përgjatë muajit gusht qytetarët mund të depozitojnë në Gjykatën e Lartë kërkesat për pezullim ekzekutimi të vendimeve të Apelit. Edhe në rastet kur kemi një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit për një çështje civile, për të cilin nga ana e Përmbarimit kërkohet ekzekutimi i tij, qytetarët mund të depozitojnë kërkesë për pezullim në Gjykatën e Lartë, bashkëngjitur me dokumentacionin e nevojshëm për një kërkesë të tillë. Askujt nuk i humb e drejta e depozitimit të kësaj kërkese, u shpreh kryegjyqtarja Beçaj. Burime pranë Gjykatës supreme bënë të ditur se kjo praktikë në këtë gjykatë zbatohet për herë të parë. Qëllimi i saj është që leja e zakonshme e gjyqtarëve dhe e administratës të mos bëhet shkak në humbjen e të drejtës së qytetarëve për të kundërshtuar vendimet gjyqësore. Sipas burimeve, zyra e sekretarisë në katin e parë të Gjykatës së Lartë do të qëndrojë e hapur, me orar të reduktuar, për të regjistruar kërkesat e qytetarëve për pezullim. Nga ana tjetër, në lidhje me rekurset kundër vendimeve të Apelit, qytetarët do të drejtohen në Gjykatën e Shkallës së Parë. Rekursi i drejtohet Gjykatës së Lartë, por kërkesa, bashkëngjitur dokumentet e nevojshme, depozitohet në Gjykatën e Shkallës së Parë, gjykatës që ka dhënë vendimin. Rekursi depozitohet në sekretarinë e Gjykatës që ka dhënë vendimin, në afatin prej 30 ditësh nga njoftimi që u është bërë palëve. Në vijim, sekretaria e Gjykatës përcjell zyrtarisht pranë sekretarisë së Gjykatës së Lartë dosjen përkatëse, së bashku me dokumentet që janë depozituar, të cilat nevojiten për ushtrimin e rekursit. ar.ba