Masakra e Pukës, Policia pezullon 4 punonjësit

Vendi ku ndodhi masakra në Pukë
TIRANE Policia e Shtetit pezullon nga radhët e saj shefin e Komisariatit të Policisë së Pukës dhe tre vartës të tij. Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Pukës, e cila pranoi masën e kërkuar nga Prokuroria, nga ana e Drejtorisë së Policisë së Shtetit u njoftua dje masa e ndërmarrë prej saj. Sipas deklaratës, kryekomisar Ridvan Bushati, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Pukë; komisar Qetsor Gurra, me detyrë shef i Seksionit të Hetimit dhe Parandalimit të Krimit; nënkomisar Kol Zaja, me detyrë specialist i Seksionit të Hetimit dhe Parandalimit të Krimit, si dhe kryeinspektor Lulzim Latifi, me detyrë nënspecialist i Seksionit të Hetimit dhe Parandalimit të Krimit në të njëjtin komisarit pezullohen deri në fund të hetimit të nisur për përgjegjësinë e tyre në lidhje me masakrën e ndodhur më 29 qershor. Dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën si pasojë e një prite të organizuar nga familja me të cilën ishin në konflikt. Avokati i Popullit i kërkoi Prokurorisë nisjen e hetimit me akuzën e shpërdorimit të detyrës për këta punonjës të Policisë, pasi nuk morën masa për parandalimin e masakrës, edhe pse familja e viktimave kishte kallëzuar konfliktin.