Beçaj: Nuk kam lidhje me Metën dhe Priftin
Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj ka reaguar sot në lidhje me videon e publikuar në media të një bisede ndërmjet ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti dhe Zv/Kryeministrit Ilir Meta, ku përmendet edhe emri i saj. Në një deklaratë për shtyp kryetarja e Gjykatës së Lartë Beçaj ka theksuar distancohet prerazi dhe në mënyrë kategorike nga përfshirja ime si Kryetare e Gjykatës së Lartë në këtë çështje.
“Gjykata e Lartë si organi më i lartë i pushtetit gjyqësor në vend, ka pavarësi të plotë në dhënien e vendimeve, autoritet e integritet të lartë, imunitet dhe garanci kushtetuese e ligjore, të cilat mundësojnë organizimin dhe funksionimin e saj sipas standardeve të avancuara të një shteti demokratik e juridik. Për kryerjen e veprimtarisë së sajë Gjykata e Lartë shprehet vetëm me vendime të arsyetuara dhe të argumentuara të cilat bazohen vetëm në ligj” theksoi Beçaj..
Ajo gjithashtu ka sqaruar se kryetari nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë apo ushtruar presion për zgjidhje të favorizuara të çështjeve të caktuara gjyqësore nga kolegjet e Gjykatës së Lartë të cilat gjykojnë me trupe gjyqësore të përbërë nga 5 gjyqtarë.
“Parë në këtë këndvështrim, marrëveshjet, bisedat apo premtimet shoqërore, politike ose mediatike të bëra në mënyrë të fshehtë apo publike dhe të shkëputur nga aktet finale të Gjykatës së Lartë, që janë vendimet e kolegjeve të saj, përbën qëndrim joprofesional, subjektiv dhe të njëanshëm” theksoi Beçaj.
Gjithashtu kryetarja e Gjykatës së Lartë ka theksuar se vendimi i Gjykatës së Apelit për të cilin pretendohet në bisedë se ishte përfundimtar dhe i formës së prerë, nuk ishte marrë ende dhe nga verifikimi i bërë në administratën e Gjykatës së Lartë rezulton se dosja gjyqësore është rregjistruar pranë kësaj gjykate në datën 24.09.2010, ku nëpërmjet shortit elektronik është caktuar gjyqtari relator dhe pret radhën për t`u gjykuar si shumë çështje të tjera.
“Unë si Kryetare e Gjykatës së Lartë garantoj se nuk kam ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyj asnjë herë, për asnjë lloj motivi ose arsyeje, në dhënien e vendimeve të kolegjeve të Gjykatës së Lartë. E ndjej të nevojshme të sqaroj opinionin publik se emërimi i vajzës time si nëpunëse në një mision diplomatik të Shqipërisë jashtë vendit, është bërë në respektim të kritereve të vendosura bazuar në arsimimin, formimin dhe profesionalizmin e saj. Pra në asnjë mënyrë, emërimi i saj në këtë detyrë nuk është bërë në këmbim të ndereve apo favoreve që kanë lidhje me detyrën time” theksoi Beçaj.