E Diel, 1 Nëntor 2026

Beçaj takon homologun amerikan: Gjyqësori të mos cenohet

Gjatë qëndrimit në Uashington D.C., Kryetarja e Gjykatës së Lartë është takuar gjithashtu me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, për të vazhduar agjendën e saj me një vizitë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u prit nga homologu i saj John Glover Roberts, Jr.

Gjatë këtij takimi, Beçaj, parashtroi disa nga sfidat me të cilat përballet sot Shqipëria për të pasur një sistem gjyqësor funksional e të konsoliduar. Ajo vuri në dukje se gjyqësori duhet të jetë një sistem i vetorganizuar dhe vetëkorrigjues. “Ai duhet të gëzojë mbështetjen dhe bashkëpunimin e dy pushteteve të tjera, por pa cenuar pavarësinë e tij dhe, në të njëjtën kohë të tregojë pavarësi të brendshme”, theksoi ajo. 

Përveç problematikave me të cilat përballet gjyqësori, Kryetarja e Gjykatës së Larte e njohu homologun e saj dhe me angazhimin që Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë dhe hallkat e tjera të pushtetit gjyqësor  kanë marrë për të përmbushur me rigorozitet kërkesat kushtetuese per forcimin e shtetit ligjor dhe luftën ndaj korrupsionit. Këto reforma, sipas saj, nuk duhet të përmbushen formalisht apo thjesht për të fituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, por duhen të konsiderohen si burim i një drejtësie funksionale, efektive dhe të barabartë për të gjithë. Këto reforma duhet të kryhen mbi të gjitha për interes dhe në interes të vetë popullit shqiptar.

Nga ana e tij Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Z. John Glover Roberts, Jr. i garantoi homologes së tij shqiptare Znj. Beçaj, mbështetje të plotë në çdo hap, i cili çon drejt konsolidimit shtetin ligjor dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.

Beçaj ishte në Uashington me ftesë të Shoqatës Botërore të Juristëve, ku ka marrë pjesë në konferencën “Ligji dhe Teknologjia: inovacioni në erën dixhitale”. Në këtë konferencë janë trajtuar tema të cilat kanë të bëjnë me ruajtjen e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale, menaxhimin e riskut nga krimi kompjuterik, zbatimin e komunikimit nëpërmjet  teknologjisë së informacionit në sallën e gjyqit, lirinë e shprehjes në epokën dixhitale si dhe të drejtën për tu informuar përkundrejt të drejtës për tu harruar.

                                                                                             2012-04-26 11:07
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›