E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Priftit: “Të dilet sa më shpejt nga situata e përmbytjeve”

Autori i Lajmit: RedaksiaPresidenti Bamir Topi zhvilloi dje një takim pune me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zotin Dritan Prifti. Kreu i Shtetit, pasi u njoh me hollësi rreth situatës më të fundit, theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe frymës së solidaritetit nëpërmjet një organizimi më kompleks, në mënyrë që të dilet sa më shpejt nga kjo situatë e vështirë dhe të minimizohen dëmet në maksimum duke iu rikthyer normalitetit. Takimi i punës u mbajt në serinë e disa takimeve dhe konsultimeve intensive që Kreu i Shtetit po zhvillon me drejtues institucionesh, ekspertë dhe profesionistë të ndryshëm të fushës hidrike dhe u fokusua në situatën e përmbytjeve në veriperëndim të vendit të shkaktuara nga reshjet dhe nga derdhjet e kontrolluara të ujërave të liqeneve në kaskadën e lumit Drin. Dy ditë më parë, Topi organizoi një takim me kryetarin e Komitetit të digave, Farudin Hoxha.
Apeli
“Të rritet bashkëpunimi ndërinstitucional dhe fryma e solidaritetit nëpërmjet një organizimi më kompleks, në mënyrë që të dilet sa më shpejt nga kjo situatë e vështirë dhe të minimizohen dëmet në maksimum duke iu rikthyer normalitetit”, - tha dje Topi, në takimin e zhvilluar me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zotin Dritan Prifti. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Prifti, e informoi në mënyrë të detajuar presidentin Topi për gjendjen e tri ujëmbledhësve të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin si dhe me monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të ujit, prurjeve dhe shkarkimeve e kontrolluara nga specialistët dhe ekspertët hidrikë duke e siguruar Kreun e Shtetit se situata është drejt përmirësimit. Kreu i shtetit ka vijuar në këtë mënyrë takimet për tu informuar me detaje lidhur me situatën reale të zonave të përmbytura. Ai i dha garancinë Presidentit se nuk ka rrezik shpërthimi në Fierzë, Komanin dhe Vaun e Dejës. “Të jenë të sigurt se me ta nuk do të ndodhë absolutisht asgjë. Kaskada e Drinit është e sigurt dhe do të rrijë ashtu siç ka qenë deri më sot. Unë siguroj me fjalën time të nderit që të jeni të sigurt si në shtëpitë e tyre”, - tha ai. Hoxha, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Digave të Larta, ka përgënjeshtruar në mënyrë absolute, variantin e disa ekspertëve se digat nuk do të rezistojnë gjatë ndaj tejkalimit të nivelit të ujit. Sipas tij, studimet kanë vërtetuar se 2 muajt e fundit të 2009, ishin dhe më të rrezikshmit për kaskadën, rrezik tashmë i kaluar. “Probabiliteti është që fenomenet negative të vrojtuara deri më sot në kaskadën e Drinit të shkojnë duke u zvogëluar, duke u minimizuar, sepse edhe gjithë statistikat shkencore të matura deri më sot për këtë kaskadë tregojnë që rreziqet janë në muajin nëntor, në muajin dhjetor dhe pastaj shkojnë gjithnjë duke rënë”, - sqaroi Hoxha. Ndërkohë që Kreu i Shtetit ka garantuar të gjithë banorët në zonat e përmbytura në Shkodër se shteti po punon intensivisht për kalimin e situatës. Sipas tij, të gjitha institucionet qe po e menaxhojnë atë janë të koordinuara maksimalisht ndërmjet tyre. “Unë ju siguroj që të gjitha strukturat e shtetit janë në një bashkëpunim intensiv, mjaft profesional dhe do të doja që edhe nga ky komunikim me ju, ti falënderoja të gjithë pa përjashtim duke u ofruar në çdo moment bashkëpunimin dhe detyrimin për bashkëpunim që ka çdo institucion i këtij shteti”, - tha Topi.

Ky lajm është publikuar: 12/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›