E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Prokuroria zbardh prova të reja

Autori i Lajmit: Redaksia
Prokuroria e Tiranës paraqiti dje në gjykatë, në procesin për tragjedinë e Gërdecit, disa prova të reja në lidhje me ngjarjen.
Bëhet fjalë për mbetjet e një saldatriçeje, e cila është përdorur për saldimin e një prej karrocave të transportit të barutit, e cila kishte pësuar defekt ditën e ngjarjes më 15 mars 2009.
Sipas Prokurorisë, saldatriçja është gjetur fare pranë zonës së shpërthimit në banesën e shtetasit Qemal Deliu. Ky i fundit e mbante këtë pajisje, pasi po kryente disa rregullime në shtëpinë e tij jo më larg se 300 metra nga fabrika e Gërdecit.
Provat
Prokuroria tha se një nga karrocat që përdorej për barutin e dalë nga demontimi, është salduar ditën e ngjarjes me pajisjen në fjalë. Pasi është salduar, ashtu e nxehtë karroca është përdorur menjëherë për të transportuar barut. Hetimet kanë treguar se në karrocë janë vendosur të paktën tre thasë baruti. Disa minuta më pas, pasi kishte rënë në kontakt me temperaturën e nxehtë të karrocës së salduar, baruti ka shpërthyer duke shkaktuar vatrën e parë të zjarrit në brendësi të fabrikës rreth 11 metra larg portës hyrëse. Prokuroria i kërkoi gjykatës të marrë, në cilësinë e provës materiale, mbetjet e saldatriçes. Punëtorët e fabrikës e kishin përdorur atë për saldimin e karrocës. Akuza pohon se karrocat e barutit janë salduar edhe herë të tjera tek banesa pranë fabrikës, pasi dëmtoheshin vazhdimisht nga mbingarkesa.
Gjykata kërkoi sot që Prokuroria të hartojë një kërkesë të plotë të argumentuar për marrjen në cilësinë e provës penale të mbetjeve të saldatriçes. Provat e reja u paraqiten sot në seancën e radhës në ngarkim të 28 të pandehurve të tragjedisë së ndodhur më 15 mars 2009.
Dëshmitë
Në seancën e djeshme dëshmoi dhe ish- drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec, Dritan Minxholli, i cili pranoi se me vetëdije kishte punësuar 18 minorenë. Minxholli tha se për këtë ishte nisur nga gjendja e vështirë e familjeve të minorenëve dhe se vetë ai kishte marrë riskun përsipër. Në seancën e sotme kanë vazhduar edhe dëshmi të reja minorenësh. Një ish- punëtor i mitur, Edjon Leci, tha sot se ka punuar në Gërdec fillimisht në procesin e demontimit dhe më pas atë të paketimit. Ai konfirmoi faktet e përmendura dhe në dëshmitë e tjera më parë, se ka pasur edhe raste të tjera sporadike zjarri në fabrikë. I mituri pohoi se punonte pa asnjë kusht sigurie dhe pa kontratë pune. Në tragjedinë e rëndë të Gërdecit humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën qindra të tjerë. 29 të pandehur po gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.

Akuzat

Të arrestuarit akuzohen për “aktivitet antiligjor me pasojë vrasjen e më shumë se një personi” si dhe shpërdorim detyre”. Kërkesa për gjykim të shkurtuar do të thotë se të pandehurit kanë pranuar akuzat në bazë të akteve që ndodhen në dosjen për gjykim në ngarkim të tyre. Do të jetë trupi gjykues, i kryesuar nga Ridvan Hado, i cili do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e të pandehurve apo jo. Në fashikullin për gjykim të grupit hetimor, ku janë dhënë provat me të cilat prokuroria do të paraqitet në këtë gjykim për të pretenduar fajësinë e 29 të pandehurve, mes të cilëve ushtarakët më të lartë shqiptarë të periudhës 2005–2009. Pjesa më madhe e provave të sjella nga prokuroria që pothuajse janë bërë publike deri më tani i përkasin mënyrës të paracaktuar të zhvillimit të tenderit për dhënien me koncesion firmës “Albademil” për demontimin e fishekëve në Gërdec.

Ky lajm është publikuar: 12/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›