Rama del në mbrojte të Dades: Islami e Blushi, avokatë të Berishës
Kryetari i PS-së, Edi Rama, doli dje në konferencë për shtyp për të mbrojtur deputeten Arta Dade, e cila ndodhej në Strasburg. Pas akuzave që erdhën nga selia e PD-së për lidhjet e djalit të Dades me emra kriminelësh, Rama tha se po përgatitej një padi për shpifje nga PS-ja për këto akuza. “Sali Berisha nxori gjuhën për të ndotur me baltën e akuzave të tij kriminale sekretaren ndërkombëtare të partisë për faktin se po dëshmon në Këshillin e Evropës të vërtetën e hidhur të krizës së demokracisë në Shqipëri. Padyshim që një tjetër padi e pret për akuzat e sotme ndaj Arta Dades në prokurori e në gjykatë”, - tha ai. Rama tha se kjo akuzë bëhet ndaj opozitarëve, që Berisha sipas tij, “nuk i emëron dot në delegacionet e Parlamentit dhe as i dërgon dot korridoreve të Evropës për të bërë avokatinë e pushtetit të tij të fundosur në llumin e padrejtësive”, duke aluduar kësisoj edhe për deputetët e partisë së tij, Kastriot Islami dhe Ben Blushi që ishin në Bruksel, ku kërkuan mbështetje për ndërprerje të bojkotit. Vizita e këtyre deputetëve kundërshtarë të Ramës në parti nuk është kapërdirë lehtë nga kryesocialisti, duke i cilësuar madje të blerë nga Kryeministri dhe pse nuk ka preferuar t’i etiketojë me emër. “Protesta dhe vetëm protesta meriton pushteti i paskrupullt i këtij Esat Toptani të veshur me dopiopet, që pushtetin e do vetëm për të sunduar, përfituar dhe përvetësuar duke e çuar korrupsionin deri në nivel katastrofash kombëtare si në Gërdec, Kalimash, Fierzë apo ndjellur fatkeqësi të pariparueshme për këtë komb siç do të ishte edhe hyrja në fuqi e asaj marrëveshjeje që u denoncua nga gazetarë kurajozë e u pengua momentin e fundit nga gjykatësit, falë nismës së kësaj opozite. Të cilën Sali Berisha duhet ta ketë të qartë njëherë e mirë se as e nënshtron dot duke e sulmuar si i marrë, as e blen dot duke ofruar thasë parash të pista, as e shkurajon dot duke bashkëpunuar me njerëz të veçantë që flasin në emër të opozitës me gjuhën e Saliut”, - deklaroi Rama me tone të ashpra dje pasdite.