Meta prezanton kandidatët në Peqin dhe Belsh
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një tur takimesh në Qarkun e Elbasanit, ku ka prezantuar dy kandidatë për deputetë në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Meta prezantoi përpara qindra banorëve të Peqinit, kandidatin e LSI-së, Rexhep Bica, ndërsa në Belsh, Meta prezantoi kandidatin Zenun Bullari. Duke përshëndetur të gjithë anëtarët e LSI-së, sidomos ato që e kanë marrë kartën e anëtarësimit gjatë muajve të fundit, Meta garantoi se pas 28 qershorit, Shqipëria do të ketë një tjetër qeverisje, që do të mendojë se si të punësojë shqiptarët, se si të luftojë varfërinë dhe të rrisë mirëqenien, si dhe të luftojë korrupsionin, që me Berishën u kthye në korrupsion shpërthyes. Meta u shpreh se është “Koha për Veprim”, që të krijojmë një maxhorancë qeverisëse për të larguar njëherë e mirë gjithë këto pasoja që ka sjellë kjo qeveri që nga 2005-a. “Ne kemi një plan të qartë për krijimin e industrisë agro-përpunuese dhe vetëm përmes krijimit të kësaj industrie ne planifikojmë që në katër vitet e ardhshme të krijojmë 30 mijë vende të reja pune në të gjithë Shqipërinë”, tha Meta. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë ne do arrijmë të plotësojmë të gjithë sistemin agraro-industrial, në mënyrë që bujqësia jonë të funksionojë me efikasitet, në mënyrë që të gjithë ata që merren me bujqësi të kenë të ardhura, dhe këto të ardhura të investohen për zhvillimin e kësaj industrie.