“Dosjet, asnjë veprim pa folur Komisioni i Venecias”
BLEDAR HOTI
Raporti konfidencial i raporterëve të Këshillit të Evropës kërkon që të mos realizohet zbatimi i ligjit të Lustracionit, pa u marrë në konsideratë mendimi i Komisionit të Venecias mbi kushtetutshmërinë e tij. “Ne dalim në përfundimin se duhet të kërkohet një mendim nga Komisioni i Venecias nëse ky ligj pastrimi është në përputhje me standardet e miratuara evropiane dhe rekomandojmë që Komiteti i Monitorimit të bëjë një kërkesë të tillë si një çështje urgjente”, thuhet në pikën 21 të raportit konfidencial të hartuar nga raporterët. Bashkëraportues të këtij raporti sekret janë Jaakko Laakso, Finlandë, Grupi i të Majtës së Bashkuar Evropiane dhe David Wilshire, Mbretëria e Bashkuar, Grupi Demokratik Evropian. Ata nga data 9-11 shkurt zhvilluan në Tiranë konsultat me gjithë partitë politike dhe institucionet shqiptare mbi ligjin “Për pastërtinë e figurave”. “Ne besojmë se procedurat e pastrimit duhet të ndjekin kritere të rrepta, në mënyrë që të sigurohet se të gjitha rastet do të trajtohen me ndershmëri dhe në pajtim me kërkesat e një shteti të bazuar në sundimin e ligjit. Prandaj ne kemi këshilluar autoritetet shqiptare, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, të dërgojnë Ligjin e Pastrimit në Komisionin Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias) për të marrë një opinion ekspertësh nëse ky ligj pastrimi i plotëson këto kritere”, thuhet në raportin sekret. Ndërsa gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi theksohet: “Ai shpjegoi se në vitin 2006, kishte kërkuar miratimin e një ligji lustracioni, por ai projektligj që ishte duke u shqyrtuar në atë kohë, ishte shumë ndryshe nga ky ligj i ri”. “Ai shprehu gjithashtu dëshirën që bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Këshillin e Evropës, mund të sigurojë ndihmë ekspertësh për këtë çështje, në mënyrë që Shqipëria mund të merret me të kaluarën e vet, pa dobësuar institucionet demokratike të vendit, dhe në pajtim të plotë me detyrimet e saj ndërkombëtare”, thuhet në raportin konfidencial. Ndërsa bëhet e ditur se Asambleja tashmë e ka shprehur qëndrimin e saj dhe rekomandimet lidhur me proceset e pastrimit (lustracionit) në vendet anëtare. “Rezoluta 1096 (1996) e Asamblesë mbi masat për shpërbërjen e trashëgimisë të ish-sistemeve totalitare komuniste parashtron udhëzime të qarta për të siguruar se ligjet e pastrimit dhe masa të ngjashme administrative, të përputhen me kërkesat e një shteti të bazuar në sundimin e ligjit”, thekson raporti. Gjatë takimeve të realizuar me përfaqësuesit e maxhorancës, raporterët bëjnë të ditur se nuk janë tërhequr nga qëndrimi i tyre për rishikimin e ligjit. “Kryeministri Berisha na kujtoi se çdo ligj pastrimi ka përfshirë kufizime të përkohshme të të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.