E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujtina e Hervin Çulit, plot me spektatorë

 

alma mile

Nuk ka kalorës, sado të egër e të armatosur deri në dhëmbë, që të mos çarmatoset përpara një femre të bukur dhe të zgjuar. Mirandolina i ka të gjitha të drejtat ta besojë një gjë të tillë. Jo vetëm xhevahire e shami mëndafshi i shtrohen nën këmbë, por edhe më maskilisti arrin të rendë pas fustanit të saj. Me komedinë “E zonja e bujtinës”, regjisori Hervin Çuli ka arritur plotësisht të tregojë se është marrëzi të shpërfillësh femrat. Prej datës 12 nëntor, në skenën e Teatrit të Metropolit po shfaqet komedia e Carlo Goldoni-t, “E zonja e bujtinës”, apo siç njihet më së shumti me emrin e heroinës, Mirandolinë. Regjisori Çuli sërish ka guxuar. Na kthen pas, në kohët e parukeve e fustaneve me zhypon, por duke i folur së sotshmes. Ndonëse e shkruar në vitet ‘700, vepra vazhdon të jetë tërheqëse. Këtë e ka treguar edhe numri i shumtë i spektatorëve që e kanë ndjekur për katër net rresht në teatrin e vogël, në qendër të Tiranës. Duket se Çuli e ka menduar gjatë dhe ka punuar shumë për këtë vepër. Çdo detaj është i gdhendur me kujdes. Dialog, batutë, etyd, pantomimë, kostume, madje edhe muzikë të gjallë. Vepra e Çulit është ndër të paktat që i vë aktorët, jo vetëm të aktrojnë, por edhe të interpretojnë në instrumente muzikorë e madje edhe të këndojnë. Dikush i bie kitarës, një tjetër violinës, një tjetër këndon një serenatë të vjetër italiane. E gjithë vepra është ndërtuar mbi veprimin e ndonëse shfaqja zgjat më shumë se 2 orë, ajo e mban të lidhur spektatorin, i cili edhe pas shfaqjes vijon të kujtojë batutat mes personazheve, apo veprime që i ka bërë përshtypje. Ndonëse mund të kishte dashur më shumë hapësirë, ku të vepronin artistët (regjisori i ka përdorur të gjitha mjetet e mundshme për të zgjeruar hapësirën, një dritare diku në anë, apo një derë në mes të sallës së spektatorëve), apo një kohëzgjatje paksa më të shkurtër, spektatori ka marrë me vete një shije të mirë nga shfaqja e Çulit. Spektatori i ri e ka futur menjëherë në zhargonin e përditshmërisë ndonjë thënie, apo sjellje, ndërsa ai më i specializuar vlerëson regjisorin për punën që kishte bërë. Aktorja Drita Pelinku nuk mund të mos përgëzonte ish-studentin e saj të talentuar, që sipas saj tregoi edhe një herë dhuntitë si regjisor. Dikur një Mirandolinë, Esma Agolli do kishte preferuar një bujtinë më luksoze (pa vargje qepësh), por shprehet e mrekulluar nga lëmimi që regjisori i ka bërë detajeve. Ndërsa për regjisorin Mehmet Xhelili të vësh Mirandolinën në skenë është një guxim më vete dhe Çuli është pikërisht nga këta njerëz. Vetë drejtori i Teatrit të Metropolit, regjisori Kiço Londo shprehet shumë i kënaqur për ecurinë e shfaqjes dhe që zgjodhën të hapin sezonin e këtij teatri, pikërisht me këtë vepër. Plot gaz komedia “Zonja e bujtinës” na sjell historinë e Mirandolinës, pronare e një bujtine modeste, ku nga trarët varen vargje hudhrash e qepësh e nëpër tela nderen rroba për tu tharë. Mirandolina, e interpretuar nga Eni Jani është një vajzë e thjeshtë me fustan e skufje ngjyrë rozë, aq e fortë sa edhe delikate, që arrin gjithnjë atë çka dëshiron. Ajo është e rrethuar nga mëtonjës të shumtë, nga kontë e markezë, ca me pare e ca pa pare. Ajo është e ëmbël dhe e dashur me të gjithë. Nuk ia kthen xhevahiret markezit të Forlipopolit, interpretuar nga Arben Spahija, por as shamitë e mëndafshta të kontit të rënë nga vafti, interpretuar nga Genc Fuga. Spahija ka thyer “monotoninë” me dialektin shkodran, ndërsa Genc Fuga ka treguar edhe një herë se është i prerë për role komike. Por planet e dy fisnikëve duket se i prish një kalorës, me pamje të egër, i fortë si dru lisi, i cili i urren gratë dhe bën be e rrufe se zemra e tij kurrë nuk do preket nga një grua. I duken marrëzira zënkat mes dy fisnikëve për fustanin e një femre. Personazhi bëhet edhe më grotesk nën interpretimin e aktorit Fatos Sela, të cilin e kemi parë më së shumti në role dramatike. E hija e “rëndë” kontraston me veprimet e tij, teksa thyhet përpara magjisë së Mirandolinës. Tepër interesante paraqitet loja e dy aktoreshave, Ortensia e Dejanira, të interpretuara nga aktoret Adelina Muça dhe Ermonela Alikaj, ku gërshetohet pantomima me marjonetën. Po nëse dy aktoreshat mund të drejtohen si marioneta me fuqinë e parasë, Mirandolina është një grua që skllavëron dhe në fund martohet me djalin që i do zemra, me kamerierin e varfër Fabricio, interpretuar nga Genti Deçka. “Tentoj të kem një grup aktorësh, me të cilët më lidhin dëshira, pasioni dhe kuptimi për artin e teatrit. Një nga ëndrrat e mia do të ishte një teatër, ku bashkëpunimi me një grup të pandryshueshëm aktorësh, do të mund të lejonte një ripërsëritje të asaj që ka ndodhur shekuj më parë në “Comedia dell Arte””, do të thoshte të nesërmen e premierës regjisori Hervin Çuli e ndërsa sheh rezultatin dhe pritjen e publikut, ai thotë se “E zonja e bujtinës” është shfaqja e tij më e mirë.  

Pelinku: Nga fjala te pantomima e kënga
E pranishme në premierën e ish-studentit të saj, aktorja Drita Pelinku shprehet: “Përgëzoj regjisorin Hervin Çuli që pas suksesit të dramës “Xhaxha Vanja” të Çehovit, na ftoi për të ndjekur komedinë e Carlo Goldoni-t, “E zonja e bujtinës”, ku përshfaqet një plan tjetër i dhuntive të tij regjisoriale. Në një hapësirë tejet të kufizuar, regjisori i talentuar krijoi pika të ndryshme konvencionale për zgjerimin e hapësirës skenike. Problemet që rreh autori ai i shpreh nëpërmjet fjalës, etydeve, plastikës, pantomimës, këngës e vallëzimit, apo... lojës, talljes e përqeshjes”.

Agolli: Detaje të mrekullueshme
Esma Agolli ka qenë Mirandolina e parë shqiptare në vitin 1960, me regji të Selman Vaqarit e ku rolin e kalorësit e luante Mihal Popi. E shtyrë nga kureshtja për të parë variantin e ri, ajo nuk mund të mungonte në premierë. “Ishte një shfaqje shumë e mirë. Do të vlerësoja shumë punën e regjisorit, i cili është për t’u përgëzuar që në një ambient aq të vogël, kishte bërë një punë aq të mirë. Kishte detaje të mrekullueshme. Sa i përket lojës aktoriale, do të veçoja Genc Fugën, i cili ishte i jashtëzakonshëm, por edhe lojën e dy aktoreshave.

Xhelili: vepër e guximshme
Regjisori Mehmet Xhelili shprehet për veprën e Çulit: “E zonja e bujtinës” është një kryevepër e dramaturgjisë botërore, e cila mbetet në fondin e artë të saj dhe është për t’u përgëzuar regjisori që guxoi ta vërë atë në skenë. Ajo çka më pëlqeu, ishte përshtatja e veprës në një mjedis të vogël. Vepra rrinte bukur aty dhe dukej sikur të ftonte ta ndiqje. Kishte gjetje në detaje, krijohej një atmosferë interesante. Ndër aktorët do të veçoja Genc Fugën, i cili ka një rol shumë të mirë, madje dhe pa fjalë është shumë interesant”.

Shfaqja

Titulli: “E zonja e bujtinës”
Autori: Carlo Goldoni
Regjia: Hervin Çuli
Interpretojnë:  Adelina Muça, Eni Jani, Fatos Sela, Genc Fuga, Genti Deçka, Arben Spahia, Ermonela Alikaj Plasari. 
Skenografia: Herolinda Koçllari
Piktore: Albana Rexha

Shfaqet çdo të enjte, të premte, të shtunë dhe të diel.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›