E Diel, 1 Nëntor 2026

Bota përshëndet zgjedhjet në Kosovë, “serbët po integrohen”

 

Shtetet e Bashkuara kanë lavdëruar menaxhimin e zgjedhjeve të para që prej pavarësisë në Kosovë, duke i cilësuar ato si një “gurthemel të rëndësishëm” në rrugën e demokracisë. Pas mbështetjes nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë, dje kanë mbërritur edhe urimet nga rangjet më të larta zyrtare për Prishtinën. “Urojmë qytetarët nga radhët e të gjitha komuniteteve etnike, duke përfshirë edhe komunat e reja me shumicë serbe, për pjesëmarrjen e tyre të konsiderueshme në këto votime”, tha Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ian Kelly. Edhe Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian e ka përshëndetur rrjedhën e rregullt të zgjedhjeve të para në Kosovën e pavarur, mbi të gjitha pjesëmarrjen e gjerë të pakicave etnike. “Fakti që grupet etnike dolën në votime ishte shprehje e përkushtimit të votuesve për konsolidimin e mëtejmë të shoqërisë demokratike dhe shumetnike në Kosovë”, thuhet në deklaratë. BE kërkoi që edhe raundi i dytë i votimit në 13 dhjetor do të kalojë qetë ashtu si i pari. Një deklaratë të veçantë urimi ka bërë edhe ministri i Jashtëm britanik, David Miliband. Organizimi i zgjedhjeve është përshëndetur edhe nga aleanca veri-atlantike, NATO. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen ka uruar qytetarët dhe autoritetet e Kosovës për mënyrën se si janë zhvilluar zgjedhjet e së dielës. Në një deklaratë të posaçme, Rasmusen ka shprehur posaçërisht kënaqësi për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 15 nëntorit, duke e quajtur këtë si akt inkurajues për të ardhmen e tyre në Kosovë. Ai premtoi se NATO-ja do të vazhdojë të krijojë një mjedis të sigurt në Kosovë. Edhe ish i dërguari i OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan i ka cilësuar zgjedhjet lokale në Kosovë si të drejta dhe demokratike, duke përgëzuar institucionet vendase për menaxhimin e mirë të tyre. Sipas deklaratës së Rohanit, në një intervistë me BBC-në, zgjedhjet do të jenë një shenjë e mirë për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, meqë sipas tij, ato tregojnë se fati i Kosovës nuk është kaosi, militantizmi ndëretnik ose fenomenet e ngjashme. Dhe për më tepër, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale, dëshmon se ata kanë filluar ta pranojnë se pavarësia e Kosovës është realitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›