E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana 65 vjet më parë në postera e botime

 

Nën tingujt e bandës frymore që interpretonte muzikë patriotike u hap ekspozita “Chic & war” në Bibliotekën Kombëtare. Një aktivitet i veçantë, që sipas drejtorit të bibliotekës, hap serinë e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadrin e 65-vjetorit të çlirimit të vendit. Dhe jo më kot kjo ekspozitë u hap në festën e çlirimit të kryeqytetit, i cili na shpaloset nën një këndvështrim tjetër. Është viti 1944. Sipas Plasarit, kryeqyteti na ofrohet përmes kontrasteve, përmes luftës, e cila pasqyrohet në botimet e kohës e nga ana tjetër të pjesës më “indiferente”, apo më pak të interesuar për luftën, që janë femrat, që pavarësisht situatës, vijojnë të ndjekin modën. “Edhe pse në këndvështrimin e letrarit do thosha që janë femrat ato që nisin të gjitha luftërat”, tha duke qeshur në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, drejtori Plasari. Për të marrë pjesë në këtë ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por edhe drejtues të institucioneve të ndryshme kulturore, të cilët vizituan plot kureshtje ekspozitën, që na shpalos një anë gati të panjohur të kryeqytetit shqiptar, i cili gjithsesi jetonte dhe dinte të argëtohej edhe në kohë të errëta. Elegancë e luftë në botimet e vitit 1944, kohë kur edhe kryeqyteti shqiptar ishte i përfshirë nga flakët e Luftës së Dytë Botërore. Nëpër vitrina të xhamta janë renditur botimet e kohës, që sipas plasarit në atë kohë ishin “frenetike”, që nga ato politike, tek letërsia artistike e metodat e mësimit të gjuhëve të huaja. Ka botime të veprave propagandistike, pro nazizmit, apo mbi doktrinën komuniste. Janë të shumtë librat që i kushtohen teorive komuniste, por edhe veprimtarive antifashiste të kohës. Por nuk mungojnë edhe botimet që tregojnë “gjeninë” e Hitlerit, si “prijës i Evropës së re”. Nuk mungojnë komunikatat antifashiste, hartat e sulmeve të luftës, apo dëshmi të kohës për masakrat e gjermanëve. Një prej tyre është dëshmia e At Faustit, të plagosur nga gjermanët në Kishën françeskane të Rrugës së Kavajës. Njëkohësisht botohet Tolstoi, Uollter Skot, Çehov, por edhe Kuteli, Sterjo Spasse, Nonda Bulka, etj. Pjesë tepër interesante është ajo që lidhet me posterat. Mes shumë syresh që lidhen më së shumti me modën, drejtori Plasari veçon një grafikë të Sadik Kacelit, ku paraqitet një vajzë me shami, me një lot në sy, vepër e vitit 1944, si dhe veprat e artistit amerikan Hordward Miller.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›