E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket vajza nga qendra e rehabilitimit të grave

 

Etleva Delia

Dy vajza të strehuara në Qendrën e Rehabilitimit të grave të ndryshme dhe të barabarta në Tiranë, kanë ikur fshehurazi nga ambientet e institucionit mbrëmjen e së martës. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e Kavajës në Tiranë, në një godinë trekatëshe mbrapa Ambasadës greke. Policia e Komisariatit nr.3 është njoftuar menjëherë për ngjarjen nga mjekja e dezhurnit që ndodhej në qendër në momentin kur janë larguar vajzat. Policia pasi ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka marrë deklarimin edhe të vajzave të tjera, që janë viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe që kanë kaluar trauma, ka nisur kërkimet për të zhdukurat. Sipas policisë, vajzat që kanë braktisur Qendrën e Rehabilitimit, janë 17-vjeçarja Anxhela Korini, nga Paskuqani dhe 20-vjeçarja Daniela Haxhiaj nga Vlora. Mesditën e djeshme kjo e fundit është rikthyer vetë në qendrën që kishte braktisur dhe menjëherë është lajmëruar policia. Ndërsa vajza tjetër ende nuk dihet ku ndodhet. Haxhiaj është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, për t'u pyetur nëse kishte dijeni për shoqen me të cilën ishte "arratisur". Vajza 20-vjeçare nuk ka dhënë asgjë dëshmi të vlefshme për policinë, duke deklaruar se që nga momenti kur kanë kaluar murin rrethues të godinës, ajo është ndarë me të nëpër rrugica dhe nuk dinte asgjë për destinacionin e saj. Policia ka kontaktuar edhe me familjarët e vajzës në Paskuqan, të cilët gjithashtu nuk dinin asgjë për vendndodhjen e së bijës. 
Zhdukja
Mesditën e së premtes policia e kryeqytetit është njoftuar se dy vajza të reja janë larguar nga Qendra e Rehabilitimit të grave të ndryshme e të barabarta dhe se nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tyre. Burime nga policia thanë se kjo nuk është hera e parë që vajzat e strehuara nëpër institucione të tilla preferojnë të largohen ndonjëherë, pasi sipas tyre nuk u pëlqejnë kushtet, apo edhe duan të shkojnë të vizitojnë familjarët. Duke qenë se konsiderohen si vajza me trauma, shpesh herë asnjë nga punonjësit e qendrave të rehabilitimit nuk u bëjnë vërejtje për largimet e tyre pa lajmërim apo edhe sjellje të tjera. Ndërsa për rastin më të fundit policia tha se njëra nga vajzat është rikthyer me dëshirën e saj në qendër, duke thënë se kishte vizituar miqtë e saj, ndërsa po punohet për gjetjen e 17-vjeçares Anxhela Korini. Nisur nga kjo ngjarje oficerët e policisë kanë kontaktuar edhe me vajza dhe gra të tjera që strehohen në këtë qendër, të cilat deri diku u kanë dhënë të drejtë vajzave që janë larguar, por duke e argumentuar pakënaqësinë e tyre me kushtet e ambienteve ku ato rrinë, izolimin e tyre nga bota e jashtme dhe arsye të tjera. Madje, edhe vajzat e tjera kanë deklaruar se nëse kushtet vazhdojnë të jetë të tilla, edhe ato do të largohen njësoj si shoqet e tyre, por për të mos u kthyer më, siç u kthye Daniela Haxhiaj.

Mjekja roje i pa: Vajzat kaluan murin gjatë natës

TIRANE - Në momentin kur Anxhela Korini dhe Daniela Haxhiaj janë larguar nga Qendra e Rehabilitimit të grave të ndryshme e të barabarta, në godinë ndodhej vetëm mjekja e dezhurnit pasi punonjësit tjerë ishin larguar. Në qendër ndodheshin edhe disa vajza të tjera të strehuara, pasi vuajnë trauma të trafikimit, dhunës në familje, apo edhe kushteve të vështira ekonomike. Por ajo që ka parë vajzat duke u larguar ka qenë pikërisht mjekja e dezhurnit, Xhevahire Hado, e cila bënte edhe psikoterapisten për vajzat e traumatizuara, që ishin strehuar në qendër. Mjekja Hado ka qenë ajo që ka lajmëruar policinë menjëherë kur ka parë që nga godina janë larguar dy vajza. Fillimisht ajo ka menduar se ishin futur njerëz për të vjedhur, pasi ka parë vetëm hijet e tyre duke u varur nëpër muret rrethuese të godinës. Pasi është futur brenda ka konstatuar se mungonin dy vajzat, 17-vjeçarja, Anxhela Korini dhe 20-vjeçarja, Daniela Haxhiaj. Gjatë deklarimeve të saj në polici, mjekja Xhevahire Hado është shprehur se deri diku ishin të sigurtë se vajzat nuk mund të largoheshin lehtë nga qendra, duke qenë se ajo ishte e rrethuar nga të katërta anët dhe dyert e portat kryesore mbaheshin gjithmonë me çelës. "Ndërsa vajzat kanë zgjedhur rrugën e shkurtër për t'i kapërcyer muret rrethuese edhe pse janë të larta", ka deklaruar doktoresha. "Vajzat pasi kapërcyen muret rrethuese janë larguar në drejtim të paditur. Edhe pse nxitova të dilja në rrugë për të parë se nga u larguan, nuk munda pasi ishte shumë errësirë dhe ato ishin larguar", ka mbyllur deklarimin e saj në polici Xhevahire Hado. Ndërsa dje në mesditë, ka qenë e njëjta mjeke, e cila ka lajmëruar policinë se njëra prej vajzave ishte kthyer vetë në qendër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›