E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedofilët, dëshmitari tregon abuzimet seksuale

 

TIRANE - Dy dëshmi të tjera që kanë rënduar së tepërmi pozitat e të akuzuarve për "abuzim seksual me të mitur", Dino Kristodolou dhe Robin Arnold u dëgjuan dje nga Gjykata e Tiranës. Dëshmitarët e djeshëm ishin G.B., një adoleshent, ish i abuzuar në fondacionin "Fëmijët e tij" dhe birësuesi i tij, shtetasi amerikan Xhon Pankras. Dëshmitarët ishin sjellë nga Florida, SHBA, ku jetojnë aktualisht, për seancën në ngarkim të Kristodolou dhe Arnold. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda për shkak të pamundësisë logjistike për videokonferencë në Gjykatën e Tiranës. Ndërsa ka qëndruar në një sallë tjetër të gjykatës, për të shmangur përballjen me të pandehurit, në praninë e një psikologeje i mituri G.B., ka treguar për tmerret e përjetuara vite më parë në godinën e fondacionit "Fëmijët e tij" në Tiranë. Burime brenda seancës bënë të ditur se shpeshherë i mituri ka treguar shenja nervozizmi kur riprodhonte para gjykatës ndodhitë e "hidhura" të së shkuarës. Sipas dëshmisë së tij, G.B., ka pohuar se kishte qëndruar për dy vjet tek "Fëmijët e tij". "Dino abuzonte me mua duke më detyruar të bëja gjëra që nuk doja. Më prekte në pjesët intime të trupit dhe më detyronte të bëja seks oral", mësohet të jetë shprehur ndër të tjera G.B. Birësuesi i tij, Xhon Pankras ka rikonfirmuar para gjykatës abuzimin e bërë mbi të miturin G.B. Gjatë rrëfimit, i mituri ka përmendur edhe abuzimet e David Brown, i cili po vuan aktualisht dënimin për këtë vepër penale. Gjatë dëshmisë ai ka thënë se kishte qenë i mituri që i kishte treguar për abuzimet, ndërsa ai është munduar t'i qëndrojë pranë. Dino Kristodolou dhe Robin Arnold kanë qenë punonjës vullnetarë në fondacionin "Fëmijët e tij".                  ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›