E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bechtel interes për t’iu bashkuar konsorciumit TAP

07-12-2012 / Gazeta 55

Kompanitë Bechtel, Das Capital dhe Scotta i paraqesin kryeministrit Berisha projekt-ide konkrete për investime në Shqipëri


Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje takime me përfaqësues të kompanive investitore të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për investime në vendin tonë. Konkretisht, në takime të veçanta, kreu i qeverisë shqiptare ka pritur përfaqësues të kompanisë Bechtel, përfaqësues të Grupit investues e financiar kanadez Das Capital dhe një grup të kompanisë italiane Scotta, të cilët kanë parashtruar vizionin e tyre lidhur me fushat e ndryshme ku mund të investojnë në Shqipëri. Përfaqësuesit e kompanisë Bechtel, Steve Hawkins, Zëvendëspresident dhe Drejtor i Përgjithshëm dhe David Welch, President i Divisionit për Evropën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme pasi i shprehen Kryeministrit simpatinë e kompanisë së tyre për dy segmentet e projektit madhor të rrugës së kombit Tiranë-Prishtinë, thanë se eksperienca e suksesshme e kësaj kompanie në Shqipëri e ka sjellë përsëri atë, këtu, për të bashkëpunuar në një projekt tjetër shumë të rëndësishëm, atë të gazsjellësit TAP. Kompania e konsideron shumë të rëndësishëm, si nga pikëpamja gjeopolitike, ashtu edhe nga pikëpamja teknike, këtë projekt madhor, i cili nuk mund të konceptohet pa bashkëpunime të gjera të kompanive ndërkombëtare të fushës. Ata e informuan Kryeministrin se janë në bisedime me pjesëmarrësit e konsorciumit të projektit TAP, si me përfaqësuesit e Grupit TAP, ashtu edhe me kompanitë e tjera pjesëmarrëse si SOCAR, British Petrolium, EGL etj. Ndërsa përfaqësuesi e Grupit investues e financiar kanadez Das Capital, me qendër në Toronto, i cili kryesohej nga David Subotiç, President dhe Drejtor i Përgjithshëm i Grupit sqaroi gjatë takimit me kryeministrin Berisha se Shqipëria hyri në hartën e interesit të Grupit të tij falë informacionit dhe eksperiencave të suksesshme të kompanive kanadeze në Shqipëri. Reformat fiskale dhe administrative të ndërmarra në Shqipëri, tha Subotiç, e kanë bërë Shqipërinë interesante për kompaninë tonë. Sipas tij, fushat e interesit për investime në Shqipëri të kësaj kompanie janë turizmi dhe argëtimi, si dhe minierat. Ngritja e komplekseve turistike në bregdet është ndër projektet e para që ka tërhequr vëmendjen e Grupit, për t’u zhvilluar në Shqipëri. Sikundër edhe sektori i energjisë, si ndërtimi i hidrocentraleve, privatizimi i minierave apo operacione kërkim shfrytëzimi për naftë e gaz. Sipas kryeministrit Berisha, Shqipëria ka tashmë histori suksesi dhe ofron potenciale të shumta dhe mbështetja e qeverisë është dhe do të jetë e përhershme, si një tjetër garanci e suksesit të sektorit privat dhe si kontribut në zhvillimin e vendit. Gjithashtu, kryeministri Berisha priti në takim një grup të kompanisë italiane Scotta, të kryesuar nga Presidenti i saj Felice Scotta. Kjo kompani ka interes si në prodhimin, ashtu edhe në instalimin e mirëmbajtjen e impianteve të teknologjive të ndryshme, të ngrohje-ftohjes, hidrosanitare, pneumatike, etj. Zhvillimet e ekonomisë shqiptare, ambienti i të bërit biznes dhe fuqia punëtore e kualifikuar, tha ai, na bën të mendojmë për ta shtrirë aktivitetin tonë edhe në Shqipëri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›