Miratimi i kritereve të KE bind vendet anëtare për statusin
Flet eurodeputetja Kinga Gonc
Eurodeputetja Kinga Gonc vlerëson se mosrealizimi i 3 ligjeve mund të jetë pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Në një intervistë ajo thekson se për të pasur mbështetjen e vendeve skeptike është shumë e rëndësishme të tregohet që Shqipëria po ecën përpara
Ju thatë që në Shqipëri ka një trend pozitiv për marrjen e statusit të vendit kandidat, pavarësisht tre kushteve që mbeten pa plotësuar?
Mendoj vërtet që ka pasur një kthesë të dukshme këtë vit dhe ka pasur një dialog konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës. Ka diçka që ne e besojmë fort në Evropë. Nëse ka dialog të gjithë problemet mund të zgjidhen. Kjo është ajo që po shohim në Shqipëri; Sigurisht që jam në dijeni që mbeten disa çështje. Duhen të trajtohen probleme si lufta kundër korrupsionit apo krimit të organizuar. Por shpresoj, që Shqipëria do të jetë vendi i ardhshëm që do marrë statusin e kandidatit dhe të hidhet kështu një hap tjetër i rëndësishëm për rajonin.
Ka disa shtete anëtare që konsiderojnë, se tre çështjet e mbetura nuk janë thelbësore, ndërkohë që për të bindur të gjitha shtetet këto tre kushte duhen gjithsesi plotësuar apo jo?
Kjo është shumë e vërtetë. Kur një vend kërkon të avancojë në integrimin e tij evropian për anëtarësimin në BE duhen bindur të 27 shtetet anëtare. Ka shtete që janë mbështetëse të forta, ka të tjera që janë më pak mbështetëse, pasi ato e njohin më pak rajonin e Ballkanit dhe janë më pak të angazhuar për të. Ndaj është shumë e rëndësishme që të tregojmë, që Shqipëria po ecën përpara dhe po bën të gjitha përpjekjet e nevojshme për integrimin evropian. Dhe është shumë e rëndësishme që të kesh mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare përveç Parlamentit Evropian, që është shumë mbështetës për Shqipërinë.
Statusi i kandidatit nuk është hapja e negociatave. A mendoni se do të ishte simbolike që Shqipëria të ishte kandidate vitin e ardhshëm edhe në pragun e festimit të 10 vjetorit të samitit të Selanikut, ku u mor angazhimi, se shtetet e Ballkanit do të jenë anëtarët e ardhshëm të BE-së?
Mendoj, se institucionet evropiane do të bëjnë më të mirën e tyre për këtë gjë dhe njëkohësisht ne shpresojmë që Shqipëria të hedhë hapat që i kërkohen për të bindur mjaftueshëm të 27 shtetet anëtare për t’i dhënë statusin e kandidatit. Tashmë Kroacia është në prag të anëtarësimit. Mali i Zi hapi negociatat. Ne e dimë që do ketë kapituj të vështirë të negociatave për të, por ky është një hap i rëndësishëm. Presim që hapi tjetër i rëndësishëm të jetë dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, në mënyrë që i gjithë rajoni të ecë përpara.