E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llogaritë bankare në dorë të ministrit të Financave



Llogaritë bankare, të cilat do të përmbajnë të ardhurat që do të sigurohen nga dhënia me qira e pasurive të paluajtshme të sekuestruara, do të hapen vetëm me autorizimin e ministrit të Financave, Ridvan Bode. Ky i fundit, me Udhëzimin numër 13, datë 27.02.2008 ia ka atribuuar vetes autorizimin për çeljen e llogarive të veçanta për çdo subjekt të sekuestruar.
Sipas pikës 2 të këtij udhëzimi, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara ia bën kërkesën ministrit të Financave për çeljen e llogarisë në një bankë të nivelit të dytë, në mbështetje të urdhrit të sekuestrimit të lëshuar nga Ministria e Financave. Në llogaritë e hapura në bankat e nivelit të dytë, për çdo subjekt për të cilin ka dalë urdhri i sekuestrimit dhe janë në administrim të kësaj agjencie, do të derdhen të gjitha të ardhurat që do të krijohen nga administrimi i tyre. Udhëzimi i ministrit Bode parashikon gjithashtu se këto llogari do të qëndrojnë të ngrira dhe do të preken për shpenzimet e administrimit me kërkesë të kryeadministratorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe aprovim të tyre nga ministria e Financave, apo i autorizuari i tij. Këto llogari mund të preken gjithashtu për shpenzime të tjera të lejueshme, në zbatim të nenit numër 21 të Ligjit numër 9258, datë 15.07.2004 “Për masat kundër financimit të terrorizmit”. Agjencia cakton gjithashtu personin përgjegjës për evidentimin e të gjitha veprimtarive monetare dhe veprimeve të tjera me pasuritë në kartela të veçanta të secilës pasuri. Sipas këtij udhëzimi, administrimi i pasurive dhe çdo aktivitet tjetër i Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara është subjekt i auditimit të Drejtorisë së Auditimit të Ministrisë së Financave. Udhëzimi thekson se mbyllja e llogarive të sipërpërmendura bëhet vetëm me urdhrin e ministrit të Financave.

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›