E Shtunë, 31 Tetor 2026

Befasitë e Bibliotekës Kombëtare për këtë vit

Flet Aurel Plasari, drejtori i institucionit më të rëndësishëm shqiptar të librit

Petrika GROSI
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, Aurel Plasari, ka pranuar të tregojë për lexuesin e gazetës “Albania” planet e institucionit që ai drejton mbi aktivitetet më interesante që do të zhvillohen këtë vit në lidhje me librin, shkrimtarët, simpoziumet, përvjetorët, ekspozitat e veçanta me antikuarë, materialet që publikohen për herë të parë etj. Aktiviteti më i afërt në planet e Bibliotekës Kombëtare është përkujtimi i 200-vjetorit të shkrimtarit të njohur rus, Nikolai Gogol (20 mars-1 prill 1809), që do të shoqërohet me bisedën me një studiues rus, si dhe me një ekspozitë me vepra origjinale e përkthime të autorit. Siç shprehet Plasari, “Biblioteka Kombëtare e ndien si detyrë përkujtimin e disa shkrimtarëve të mëdhenj në përvjetorë të caktuar të tyret”. Në këtë kuadër, para dy vitesh, u kujtua 100-vjetori i Kutelit, e po kështu ndodh edhe me 100-vjetorin e Montanellit, i cili ka një vepër me rëndësi të madhe në lidhje me Shqipërinë. Sa i takon Gogolit, janë kontaktuar tre emra të njohur rusë dhe ende vazhdojnë tratativat për të siguruar ardhjen e njërit prej tyre. Gjithashtu, i ftuar do të jetë edhe një studiues shqiptar, i cili do të flasë për Gogolin në shqip, tregimet klasike të Dhimitër Paskos “Frymë të vdekura” dhe “Tregime të Peterburgut”. Më 25 mars do të zhvillohet një ceremoni promocionale e koleksioneve të para dixhitale të Bibliotekës Kombëtare. Kjo datë ka edhe më shumë rëndësi kur lidhet me një përvjetor tjetër, siç është ai i botimit të numrit të parë të së përkohshmes “Albania”. (Bruksel – Londër 1897-1909).
Në prill kemi 100-vjetorin e Montanellit (22 prill 1909), ku do të jetë i ftuar një studiues i autorit, njëherësh pritet promovimi i veprës “Shqipëria një dhe një mijë” dhe shfaqja e një dokumentari. Tepër interesant, sipas studiuesit Plasari, por edhe më e rëndësishmja për fushën shkencore, është tryeza e rrumbullakët për shkrimtarët shqiptarë italishtshkrues, që do të organizohet në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. “Është një fenomen interesant që ndodh me shqiptarët që shkruajnë në gjuhën italiane, madje arrijnë të marrin edhe çmime. Për të diskutuar mbi këtë temë do të kemi të ftuar specialistë italianë dhe shqiptarë nga fushat e historisë së të letërsisë, kritikës letrare, gjuhësisë dhe bibliotekonomisë. Një diskutim në nivele të tilla shkencore bëhet për herë të parë, ndaj besoj se do të jetë me mjaft interes”.
Me interes edhe më të madh do të priten dy veprimtari të tjera të Bibliotekës Kombëtare; e para ka të bëjë me ekspozitën e veçantë me libra të Bibliotekës Carnarvon, shoqëruar me materiale të ndryshme që publikohen për herë të parë, riprodhime fotografish të ish-ndërtesës dhe të vulës së saj, të Ledit Carnarvon e të familjarëve, të cilët kanë lidhje me Shqipërinë. Ndërsa veprimtaria e dytë i kushtohet Bibliotekës të Bushatllinjve. “Kjo bibliotekë quhet e humbur historikisht, - shpjegon Aurel Plasari, - por është një fat që në arkivin tonë kemi gjetur një numër të madh dorëshkrimesh arabo-perse, që mbajnë vulën e saj. Po kështu, kemi siguruar rregulloren e kësaj biblioteke dhe dëshmi që ekspozohen për herë të parë. Kuptohet, është një paraqitje e një biblioteke që ka qenë madhështore për nga përmbajtja”.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›