E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet presidenciale, mbërrijnë në Maqedoni vëzhguesit



Përfaqësuesit e parë të misionit të OSBE-ODIHR-it, të cilët do të mbikëqyrin zgjedhjet presidenciale dhe lokale, kanë mbërritur dje në Maqedoni. Ata pritet të vendosen në të gjithë territorin e vendit, para mbërritjes të vëzhguesve të tjerë afatshkurtër, të cilët do të jenë në një numër rekord për shkak të parregullsive gjatë zgjedhjeve të kaluara. Institucioni më i lartë zgjedhor, KSHZ, bëri të ditur se po bën përgatitje që zgjedhjet lokale dhe presidenciale të zhvillohen në mënyrë të rregullt. Sipas opozitës, rritja e numrit të vëzhguesve tregon se qeveria nuk ka kapacitete të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të drejta.
Ndërkohë, autoritetet japin garanci për një proces të lirë zgjedhor.
Lidhur me zgjedhjet disa ditë më parë, presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, paralajmëroi për një rrezik ndarjeje nga partitë shqiptare. Menjëherë kanë reaguar partitë shqiptare, duke thënë janë për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO, dhe jo për ndarjen e saj. Subjektet shqiptare kërkojnë nga autoritetet maqedonase që sa më parë të zgjidhin problemin e emrit, i cili mban peng anëtarësimin e këtij shteti në Bashkimin Europian dhe në NATO. Këtë deklaratë të Cërvenkovskit, partitë shqiptare në Maqedoni e konsiderojnë si tendencë për ta hedhur problemin e emrit të shtetit te shqiptarët.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›