E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: “Të shtohen masat e sigurisë në Mitrovicë”



Javën e fundit në Mitrovicë nuk janë shënuar incidente serioze dhe, për pasojë, gjendja e sigurisë është cilësuar si e qetë nga strukturat e sigurisë dhe ato politike. Kështu u shpreh kryetari i Komunës, Bajram Rexhepi, në mbledhjen e Komitetit të Sigurisë, duke theksuar se ekziston nevoja për vëmendje të veçantë ndaj masave të sigurisë, duke pasur parasysh protestën e paralajmëruar nga serbët në veri. Ai theksoi se protestat e serbëve gjatë 5 shkurtit nuk kanë ndikuar në gjendjen e sigurisë, por kërkoi që strukturat e sigurisë të vazhdojnë të mbajnë nivelin e gatishmërisë në këtë qytet, në mënyrë që gjendja të mbahet nën kontroll. Bajram Rexhepi dhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunë, Ylber Durmishi, shprehën mirënjohje për përfaqësuesit e KFOR-it estonezë, që veprojnë në kuadër të zonës së përgjegjësisë të KFOR-it danez në Mitrovicë, për bashkëpunimin e mirë gjatë këtyre muajve.

Rumania refuzon ta njohë Kosovën

Ministri i Jashtëm rumun, Kristian Diaconesku, bëri të ditur se Rumania nuk do të ndryshojë qëndrim përsa i përket njohjes së Kosovës. Në një prononcim për agjencinë “Beta”, nga Bukureshti Diaconesku tha se deklarimi i pavarësisë nga shqiptarët e Kosovës është kundër normave dhe principeve ndërkombëtare. Rumania është mes 5 shteteve të BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Gjatë konferencës së sigurisë, që u zhvillua në Munih këtë fundjavë, ministri i Jashtëm rumun, Diaconesku, tha se “Rumania mbështet perspektivën europiane të vendeve të rajonit”. Kristian Diaconesku theksoi se është e nevojshme të njihet Serbia si pjesë e familjes europiane. “Integrimi euroatlantik i vendeve të Ballkanit Perëndimor ka një rol kryesor në stabilitetin e rajonit”, - shtoi ministri i Jashtëm rumun.

Gaza, armëpushimi, javën e ardhshme

Marrëveshja mes Izraelit dhe lëvizjes “Hamas” mund të arrihet javën e ardhshme, për një armëpushim prej 18 muajsh në Rripin e Gazës. Lajmi u bë i ditur nga presidenti egjiptian, Hosni Mubarak, në përfundim të një takimi të zhvilluar me homologun francez, Nikolas Sarkozi, në Paris. Presidenti egjiptian do të vazhdojë turin e tij zyrtar në Europë dhe sot pasdite pritet të takohet në Romë me kryeministrin italian, Silvio Berluskoni. Ndërkohë, aktivisti i Hamasit, 30-vjeçari Abd a-Jamil al-Haj, gjeti vdekjen në një burg palestinez, por rrethanat e vdekjes së tij janë ende të paqarta.
Autoriteti palestinez thotë se ai është vetëvrarë, ndërsa për Hamasin është vrarë. Qendra për të drejtat e njeriut në Gaza ka publikuar një raport për shkeljen e të drejtave të njeriut nga shërbimet e sigurisë së Hamasit gjatë luftimeve trijavore në Gaza. Sipas qendrës, janë vrarë 32 palestinezë nga forcat e sigurisë së Hamasit, 17 prej të cilëve ishin arratisur nga një burg.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›