E Shtunë, 31 Tetor 2026

Begaj: Akuza e ngritur ndaj meje, politike

REAGIMI/ Kryetari i Bashkisë së Librazhdit shprehet se nuk ka dijeni që nga prokuroria të jetë ngritur ndonjë akuzë ndaj tij

Policia publikoi të martën se kryebashkiaku kishte kryer elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”

LIBRAZHD- Ndërsa nga ana e policisë është publikuar se gjykata ka dhënë masën e sigurisë për kryebashkiakun e Librazhdit Kastriot Begaj lidhur me abuzimet me fondet e një ujësjellësi në Polis, vetë kryetari i bashkisë shprehet se nuk ka asnjë dijeni për këtë masë dhe se ai nuk është njoftuar për këtë as nga policia, prokuroria apo gjykata. Përfshirjen e vet në këtë çështje, kryebashkiaku nuk ka ngurruar ta cilësojë me prapavijë politike nisur nga pozicioni i tij.

Zoti Begaj, të martën policia publikoi se ndaj jush është vendosur një masë sigurimi, si i përfshirë në çështjen e abuzimeve për ndërtimin e një ujësjellësi. Ç’mund të thoni?

Tani që po flas me ju, jam në detyrën e kryebashkiakut dhe jam i qetë për çdo gjë. Unë kam qenë mbikëqyrës në ndërtimin e ujësjellësit në komunën e Polisit. Për të do të jepej një fond prej 300 milionë lekësh dhe flitet për vitin 2003-2004. E vërteta është se projekti nuk u zbatua për shkak të konfliktit që lindi ndërmjet dy fshatrave dhe kryesisht atyre ku do të merrej burimi. Konflikti nisi menjëherë pasi firma fituese hapi kanalin dhe depozitoi një pjesë të tubave, që në vlerë konvertohet rreth 30 milionë lekë. Këto para i mori firma dhe unë si mbikëqyrës firmosa. Kanali i hapur u mbyll nga fshatarët... Madje, duhet të kujtoj se në atë kohë pati edhe një konflikt me policinë. Ajo vetë deklaroi se u mor peng nga fshatarët. Konflikti përfundoi me ndërhyrjen e qeverisë, por objekti u mbyll dhe nuk u realizua.

Por ndaj jush është ngritur një akuzë...

Për çështjen duhet të them se nuk është e vërtetë që objekti ka përfunduar dhe janë marrë paratë, pasi në fshatin Polis ndodhet e depozituar baza materiale, e konvertuar në vlerën e lekut. Kjo është e dokumentuar dhe vlen të theksoj se unë si mbikëqyrës i projektit kam bërë një firmosje pjesore dhe objekti në fund duhet të kolaudohet. Kjo firmosje pjesore i përgjigjet të gjithë parametrave të vlerës të konvertuar në materiale.

Jeni thirrur nga prokuroria ditët e fundit apo më parë për këtë çështje?

Jam thirrur dy vjet më parë në prokurorinë e Librazhdit dhe deklarova të njëjtat fjalë që ju thashë edhe ju. Personalisht nuk njihem me ndonjë akuzë të ngritur ndaj meje, dhe ndaj ndihem vërtet të fyer. Jam i gatshëm t’i përgjigjem çdo lloj thirrjeje edhe si qytetar, edhe si specialist inxhinier, por nuk dua të luhet me dinjitetin tim.

Si e keni mësuar vendimin e gjykatës për masën e sigurisë ndaj jush, pas akuzës për “shpërdorim detyre”?

Nuk e kam mësuar. Nuk kam asnjë lloj thirrje dhe asnjë lloj njoftimi. Jam i njohur vetëm nëpërmjet medias. Do të ngarkoj zyrën e shtypit në pozicionin që kam sot për një reagim ligjor dhe brenda rregullave ndërsa përsa i përket profesionit tim, jam i gatshëm të sqaroj çdo akuzë.

Ka prova që vërtetojnë pafajësinë tuaj?

Unë mbaj përgjegjësi për ato që kam firmosur. Në zonën e Polisit është e depozituar baza materiale, edhe kanali është i hapur dhe i mbyllur.

Mendoni se ka një prapaskenë kjo çështje?

Nuk hamendësoj, por në rast se do të komunikoj me njerëzit që kanë iniciuar këtë, nuk do të nxitoja po të thoja nëse ka një prapaskenë politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›