E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekania: Rektori i Vlorës të japë dorëheqjen

SHKELJET/ Arta Musaraj akuzoi Shaskajn se kishte treguar papërgjegjshmëri në detyrën e tij në krye të universitetit

VLORË - Mungesë listash zyrtare të pedagogëve, pedagogë pa asnjë kontratë pune, emërime duke anashkaluar konkurrimet publike, shkatërrim total institucional, papërgjegjshmëri, janë vetëm disa nga akuzat e ngritura nga dekania e Fakultetit të Ekonomisë dhe Drejtësisë, Arta Musaraj, kundër rektorit të Universitetit të Vlorës. Në një konferencë për shtyp para gazetarëve dekania nuk ngurroi të sulmojë hapur rektorin Shaskaj, duke paraqitur një sërë argumentesh, sipas saj, të papranueshme në një institucion të lartë. “Në fakultetin që drejtoj nuk kam listë zyrtare të pedagogëve”,- tha Musaraj para medias. Ajo vazhdoi duke u shprehur se pedagogët që vijnë në auditore nuk kanë asnjë lloj kontrate pune, ndërsa tha se rektori Shaskaj kishte bërë emërime pedagogësh të brendshëm pa konkurrim. Më tej Musaraj e akuzoi rektorin edhe për mospraninë e tij në punë, duke u shprehur se “në tetë muaj drejtimi, Shaska ka qenë në rezident në Vlorë vetëm katër muaj”. Ajo tha se i kishte dërguar mbi 22 shkresa të protokolluara rektorit për problemet e fakultetit që ajo drejton, deri te menaxhimi i universitetit e megjithatë nuk kishte marrë asnjë lloj përgjigje zyrtare në çfarëdo lloj forme të mundshme. Lidhur me emërimet e stafit Musaraj u shpreh se nuk ka një vendim zyrtar formal se cilët janë anëtarët e stafit dhe me çfarë statusesh apo se kush i mori vendimet.

Duke u ndalur në protestën e fundit të studentëve, Musaraj deklaroi se po kërkohet të manipulohet me të drejtat e studentëve. Ajo nuk e anashkaloi as akuzën e zv.rektorit se ishin të përfshirë pedagogë të brendshëm të Fakultetit të Ekonomisë. Lidhur me këtë Musaraj i quajti deklaratat e zv.rektorit si “hamendësime të turpshme, që synojnë të frikësojnë dhe kërcënojnë anëtarët e stafit akademik, të cilët gjejnë kurajën të nxjerrin në pah shkeljen dhe të shprehen për anomalinë e shkatërrimin e universitetit”. Musaraj hodhi akuza edhe ndaj dy zv.rektorëve, në një kohë që e quajti të pafalshme përfshirjen në debatet e punës së anëtarëve të familjes së saj. “Familjen e kam të shenjtë si Zoti”, deklaroi dekania, ndërsa tha se tashmë kishte depozituar një kallëzim penal në prokurori kundër rektorit Shaska për “denigrim, fyerje për shkak të personit publik”. Ajo kërkoi dorëheqjen e kreut të universitetit “Ismail Qemali”. Konflikti mes dekanes Arta Musaraj dhe rektorit e dy zv.rektorëve kanë filluar prej kohësh dhe në këto debate, organi i prokurorisë ka qenë prezent me denoncimet e secilës palë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›