E Shtunë, 31 Tetor 2026

Begaj: Ditët e mia në Olimpiadën e Pekinit

Nga Altin Latifi
 

TIRANE- Dje është kthyer në Shqipëri, pas një suksesi vërtetë të madh në Lojërat Olimpike. Romela Begaj ka lënë Pekinin dhe delegacionin shqiptar për të rinisur jetën e përditshme në Tiranë. Vendi i gjashtë i arritur në Olimpiadë e bëri sportisten shqiptare më të suksesshme në këtë eveniment. "Mund të arrija edhe më lart nëse nuk do të kisha disa probleme familjare", thotë ajo në një intervistë për "Gazetën Shqiptare". Përpos kësaj, tashmë Begaj pret një vëmendje më të madhe nga shteti, "sepse ministri Pango ishte aty dhe e pa vetë rëndësinë e garës".
Ta nisim nga ceremonia. Ai stadium dhe ajo atmosferë ishin vërtetë madhështore apo jo?
Po, por unë nuk mora pjesë në parakalimin e delegacionit zyrtar. Për dy ditë kisha garën dhe të qëndroja në këmbë për 4 orë nuk ishte aspak e lehtë. Preferova më mirë të mos marr pjesë.
Dhjetë ditë në fshatin olimpik. Si ishin kushtet që gjetët aty?
Natyrisht shumë të mira, por në fillim ishte shumë e vështirë për ne. Imagjino që unë tre ditë nuk ngopesha me gjumë. Ishte një ndryshim i klimës, i gjithçkaje. Për ne kjo ishte shumë e keqe. Një mot i nxehtë dhe me shumë lagështirë, mezi qëndronim. Plus që unë kisha një dëmtim në mes dhe m'u desh të përgatitesha shumë për garën.
Një dëmtim? Mos ndoshta rrezikuat edhe garën nga kjo?
Po, e rrezikova, por falë Albanit, doktorit që erdhi nga Kanadaja, u përmirësova. Më bëri një tip masazhi dhe munda të futesha në garë.
Deri tani ke arritur rezultatin më të mirë nga sportistët shqiptarë, mos ndoshta në Londër e mendon veten si flamurmbajtëse?
Këtë nuk e di. Fillimisht unë duhet të vendos se çfarë do të bëj. Do të pres njëherë këta të shtetit çfarë do të thonë dhe më pas do vendos nëse do të qëndroj për Shqipërinë. Shpresoj shumë, pasi edhe kryeministri edhe ministri Pango ishin vetë në Pekin. E panë nga afër se çfarë do të thoshte të ngrije flamurin shqiptar. Ministri e pa vetë rëndësinë e garës.
Kina shquhet për ushqimin e saj tradicional. Si ishte këtë herë në fshatin olimpik?
Për mua, shumë i keq. Çdo gjë ishte me sheqer. Edhe buka ishte me sheqer dhe kur i thonë fjalës, "unë desh kam vdekur për bukë aty". Haja vetëm pica dhe kos frutash. Mishin përshembull nuk e haja dhe për ne peshëngritësit ky është një problem.
Megjithatë arrite vendin e gjashtë...
Po, por unë shpresoja më lart. Nuk ia arrita për shkak edhe të traumës familjare (vdekja e babait-shënim i redaksisë), sepse nuk ishte e lehtë të garoje në ato kushte.
OK, por edhe vetë e quan një sukses apo jo? Ishin 4 kg më shumë që nga kampionati europian...
Padyshim, ishte një sukses. Por, të mos harrojmë që vetëm për peshën trupore unë humba vendin e tretë në shkëputje.
Si t'u duken dy rivalet kryesore, kinezja Chen dhe rusja Shainova?
Janë shumë të forta, por Shainovën mund ta kaloja. As ajo nuk ishte mirë. Ajo ngre 108 kg në shkëputje, kësaj radhe ngriti 95. Ndërsa kinezja ishte 32 vjeç dhe ajo është vërtetë shumë e fortë. Në shkëputje, imagjino e nisi garimin me 103 kg.
Aty i shihje si trajtoheshin sportistet e tjera, kishte ndryshime me to?
Natyrisht që kisha. Ndryshimin e shihje që në fshatin olimpik. Po ju them një moment. Kinezja që fitoi medaljen e artë, para garës kishte te ngrohja 3 trajnerë, doktorë e psikologë që i flisnin. Ndërsa unë isha vetëm me trajnerin tim dhe shefin e delegacionit Fidel Ylli.
Në fund të garës, një veprim akrobatik që ekzaltoi publikun. Si ka mundësi që kishe forca për ta bërë pasi ngrite 118 kg?
Eh, këtë nuk e di. Nuk është se e mendova shumë. Pastaj, unë vij nga cirku dhe disa gjëra nuk i kam harruar. Patjetër që isha e lodhur, por këto ushtrime sikur më bëjnë më mirë.
Një diçka tjetër, pas garës të morën direkt për testin anti-doping. Çfarë ndodhi?
Kjo ishte vërtetë e çuditshme. Unë isha duke ikur dhe policët më erdhën nga mbrapa më thanë "hajde se do të bësh testin". Mënyrat e kontrollit kishin ndryshuar komplet, nuk kisha parë ndonjëherë kontrolle të tilla. Kontrollet e dopingut bëhen gjithnjë deri tek vendi i tretë apo i katërt, kësaj radhe bëheshin deri tek vendi i tetë.
Si ishte siguria në fshatin olimpik? Policia, ushtarët si silleshin me ju atletët?
Siguria ishte vërtetë shumë e lartë. Madje, ndonjëherë ishte e bezdisshme, pasi ishin shumë kontrolle stresuesedhe të gjatë. Çdo kalim me kartë e kështu gjërash.
Po përsa i përket organizimit?
Ishte shumë i mirë. Si nga kinezët, ashtu edhe nga shqiptarët. Si Fidel Ylli, trajneri Hektor Shaqiri, ashtu edhe Kliton Muça që merreshin me, kujdeseshin që të mos na mungonte gjë.
Në flisni pak për jetën personale?
Atëherë, pas tre vjetësh dashuri, tashmë jam e fejuar. Shpresojmë shumë shpejt të bëjmë një dasmë dhe kaq.

(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb) 



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›