Meksi: “Gërdeci” rrezikon të mos quhet korrupsion
TIRANE- Anëtarja e kryesisë së PS-së dhe deputetja Ermelinda Meksi, deklaroi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, se “ka shumë probleme që e bëjnë marrëveshjen për lehtësimin e vizave të pasuksesshme në Shqipëri”. Ajo shprehet se sapo të vijë në pushtet, PS-ja do të mundohet që të sistemojë të gjithë specialistët e çështjeve të integrimit në administratën publike. Për sa i përket mënyrës që ka zgjedhur PS-ja për të fituar zgjedhjet, ajo shprehet se në momentin e duhur kjo parti do të zgjedhë taktikën për të fituar zgjedhjet e 2009, ndërkohë që PS-ja është e hapur për koalicione me partitë e tjera.
Shërbimi Evropian për aksion civil në një raport të tij, thotë se marrëveshja për liberalizimin e vizave nuk po funksionon në vendet e Ballkanit Perëndimor. Cilat janë pengesat reale sipas jush?
Për saktësim, vendet e Ballkanit Perëndimor akoma nuk kanë një marrëveshje me BE për liberalizimin e vizave. Ka vetëm për lehtësimin e vizave, të cilin Shqipëria e ka nënshkruar në janar të këtij viti. Shqipërisë i është dorëzuar një udhëzues i detyrave që ajo duhet ta dorëzojë pranë BE-së, i cili nga nëntori do të vlerësojë realizimin e tyre. Ky proces ka të bëjë me realizimin e reformave në 5 drejtime kryesore: së pari Shqipëria duhet të plotësojë regjistrin e shtetasve, kartën e identitetit dhe pasaportat biometrike. Së dyti, detyrat janë edhe në fushën e rendit dhe sigurisë publike, të cilat kanë të bëjnë me masat që duhen marrë kundër krimit të organizuar, trafiqeve, luftës kundër emigracioni ilegal dhe sidomos me mirëmenaxhimin e kufijve.
Së treti, lufta kundër korrupsionit. Së katërti, të drejtat e pakicave dhe të minoriteteve, në mënyrë që ato të lëvizin lehtësisht. Së pesti, detyrat kanë të bëjnë me problemet e stabilitetit makroekonomik. Por a ka funksionuar marrëveshja e lehtësimin të vizave? Unë mund të them se ka shumë probleme që e kualifikojnë këtë marrëveshje të lehtësimit të pasuksesshme në Shqipëri. Konkretisht, ne jemi dëshmitarë të radhëve të gjata të qytetarëve nëpër ambasada, të cilat pothuaj nuk kanë ndryshuar në raport me një vit më parë. Unë personalisht, një muaj më parë mora një vizë Shengen për djalin tim dhe megjithëse aplikova për një vit dhe bëra edhe siguracionin për një vit, e mora 6-mujore, edhe pse plotësova të gjitha kushtet.
Pse ndodh kjo?
Nëse do të flisja për kritika, mund të përmendja se pothuaj në të gjitha ambasadat personeli ka mbetur i pandryshuar, çka pak ka ndikuar në përshpejtimin e procedurave. Ka kritika konkrete për mosrealizime që pala shqiptare duhet të kishte mënjanuar dokumentet e falsifikuara, të cilat akoma ekzistojnë. Për këtë duhet të krijohet një pikë kontakti në Ministrinë e Brendshme, e cila ende nuk është ngritur. BE-ja ka kërkuar që Shqipëria të bëjë një fushatë informimi për qytetarët, të cilët nuk duhet të përdorimin dokumente të falsifikuara. Nëse shtetasit shqiptarë kanë ankesa për këto çështje, duhet të ketë një zyrë ankimimi pranë Ministrisë së Jashtme, por kjo nuk funksionon siç duhet. Kemi dëgjuar që ankimimi mund të funksionojë nëpërmjet letërkëmbimit, gjë që shpenzon shumë kohë dhe sjell mosrealizim të kësaj detyre.
Megjithatë, do të vlerësoja pozitivisht se në bazë të marrëveshjes së lehtësimit të vizave ato kategori që përcaktohen aty, vërtetë që kanë lehtësira në pajisjen me viza. Edhe kjo gjë pozitive duhet propaganduar. Të gjitha këto shprehin që marrëveshja për liberalizimin e vizave varet vetëm nga pala shqiptare, sepse detyrat janë shumë konkrete. Sa më shpejt do t’i realizojmë ato, aq më shpejt do të mbyllet procesi.
Nga Bashkimi Evropian, sipas një analize të BBC-së, është shprehur shqetësimi se Shqipëria nuk mund të anëtarësohet para vitit 2015. Si e shikoni këtë parashikim?
Është e pritshme për mua kjo gjë, duke pasur parasysh faktin se akoma Qeveria jonë nuk ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat. Kjo Qeveri quajti sukses firmosjen e MSA-së, por të gjithë shqiptarët e dinë se firma merret pas një marrëveshje që e bënë paraardhësit. Por edhe këtë marrëveshje maxhoranca e nënshkroi një vit pasi erdhi në pushtet. BE-ja donte të bindej për ecurinë e Shqipërisë, me sa duket. Por një vend që akoma nuk ka bërë aplikimin për statusin e kandidatit tregon se heziton, ka frikë nga përgjigja që mund të marrë nga aplikimi. Për të qenë të saktë, kjo qeveri që nga dita kur ka ardhur në pushtet nuk ka dhënë asnjë angazhim se kur do të mbyllë procesin, ndërkohë që kur ishte në opozitë nuk linte rast pa përmendur afatet. Dua t’i kujtoj ndërkaq afatet irealiste që kur ishte në opozitë Berisha u premtonte shqiptarëve për anëtarësim në 2008-2009. Unë e kam thënë që do të ishte sukses që brenda këtyre viteve të mbyllej ratifikimi i MSA-së nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Nëse PS-ja do të vinte në pushtet në 2009, çfarë do të bënte për të përshpejtuar këtë proces?
PS-ja në radhë të parë do të bëjë atë që ne e kemi kritikuar si të gabuar, aplikimin e teorisë për institucionet që merren me integrimin. Ne do të shtojmë cilësinë e specialistëve të administratës publike, që po merren me reformën integruese.
Për ne është e papranueshme retorika e luftës kundër korrupsionit, kur shikojmë që institucionet që merren me këto çështje janë inekzistente. Unë mendoj që Qeveria shqiptare, përveç ndihmës së fondeve të institucioneve që mbështesin institucionet që merren me reformën integruese, duhet të parashikojë në buxhet fonde për të gjitha ato çështje, në shërbim të plotësimit të detyrave të integrimit. Është e pamjaftueshme të mburremi për infrastrukturën e demokracisë. P.sh, kufiri mund të menaxhohet jo vetëm me njerëz, por edhe me pajisje, për të cilën në çdo fjalë timen në Parlament kam kërkuar mbështetje nga buxheti i shtetit. Por nuk e kam gjetur të realizuar. Kjo qeveri, luftën kundër korrupsionit nuk duhet ta konceptonte si obsesion, por si aksion për veprim. Kjo qeveri, megjithëse ka realizuar një strategji, akoma e ka pa indikator të madh, për ta bërë të matshme luftën kundër korrupsionit. Akoma tek ne nuk ka një përcaktim se cili veprim quhet i korruptueshëm.
Kemi rastin e Gërdecit, ku shihet qartë që veprimet korruptive të nivelit më të lartë shpesh herë rrezikojnë të mos konsiderohen të tilla, sepse nuk i ke të tilla, të përcaktuara qartë dhe prerë veprimet që quhen korruptive, që nga Kryeministri e deri tek nivelet më të ulëta. Sigurisht që PS-ja në pushtet do t’i konsiderojë për t’i ndryshuar shumë gjëra në këto çështje. BE-ja kërkon rezultate. Unë mendoj se ne nuk duhet t’i bëjmë gjërat se na i kërkon dikush, por ato duhet t’i bëjmë për të hyrë me dinjitet aty ku na takon.
A është e mundur që të fitojë PS-ja në vitin 2009 pa aleatët?
Aleanca është një mundësi e hapur dhe një nga fuqitë e të majtës. Unë besoj se PS-ja në momentin e duhur do të zbatojë strategjinë dhe taktikën më efikase për zgjedhjet elektorale për të realizuar fitoren e së majtës në 2009.
(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)