E Diel, 1 Nëntor 2026

Zef Preçi: Berisha bëri demagogji të pastër me analizën 7-mujore

Nga Jona Sinanaj
 

TIRANE-  Kryeministri shqiptar, Sali Berisha bëri pardje para media analizën 7-mujore të punës së qeverisë së tij për vitin 2008. Ai u ndal në një sërë treguesish, duke nisur që me domethënien e ftesës për anëtarësim të Shqipërisë në NATO e deri tek treguesit ekonomikë në rritje dhe lufta kundër korrupsionit. Për ish-ministrin e Ekonomisë, dr. Zef Preçi, në deklarimet e djeshme të Kryeministrit ka pasaktësi që nuk mund të kapërcehen lehtë. Dr. Preçi, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” vë në dyshim treguesit e rritjes ekonomike, por mbi të gjitha, arritjet e reklamuara nga Kryeministri në luftën kundër korrupsionit.
Dr. Preçi, mund të na thoni nëse vëmendjes së Kryeministrit mund t’i këtë shpëtuar ndonjë “mos-arritje” e qeverisë?
Për “qytetarin mesatar” apo për atë shumicë shqiptaresh indiferente ndaj politikës së ditës apo jashtë saj, nuk përbën ndonjë risi dalja të premten e Kryeministrit Berisha në një konferencë të posaçme shtypi për të folur mbi veprimtarinë e qeverisë së tij për periudhën 1 janar-1 gusht 2008. Kjo sepse prej kohësh, pushteti është kapur fort mbas propagandës dhe nëse ka një arritje të pamohueshme të kësaj periudhe, është pikërisht rritja eksponenciale e kësaj të fundit. Madje, të krijohet përshtypja se Shqipëria jonë e shtrenjtë po zvogëlohet përditë: tashme ajo shtrihet vetëm nga godina qendrore e Universitetit të Tiranës deri në Stacionin e Trenit, d.m.th aty ku politika “prodhon” lajmet rreth saj. Për cilindo njeri gjakftohtë, vendas apo i huaj qoftë, mjafton të largohesh vetëm 5-6 kilometra nga bulevardi (politik) për të njohur një Shqipëri tjetër, së cilës, më shumë se gjithçka do t’i shkonte përkufizimi tashme metaforik, “përtej të majtës dhe të djathtës”. Nuk e kam fjalën këtu vetëm për qytetarët shqiptarë të “përtej bulevardit”, që vdesin nën kodrat e mbetjeve e te ngurta te nëntokës vetëm 45 kilometra larg Tiranës – në Bulqizë dhe në zonat e tjera minerare të Veri-Lindjes. As për ato gra dhe vajza fatkeqe që helmojnë veten në gjendjen depresive të shkaktuar nga varfëria e tejskajshme e mungesa e perspektives (kjo është aq e vërtetë sa “harta e vetëvrasjeve” është edhe harta e plote e varfërisë). As për dhjetëra e qindra hektarët e mbjellë me “bimën e vdekjes” anekënd Shqipërisë, që e kanë detyruar Policinë e Shtetit të “specializohet” në numërimin, korrjen, grumbullimin dhe asgjësimin në praninë e mediave të kësaj bime. As për gjë tjetër, veçse për gjithçka që lidhet me jetën e përditshme të qytetarëve shqiptare; si për votuesit që e kanë mbështetur ose jo qeverinë, si për taksa-paguesit që e mbajnë atë mbi shpatullat e veta. D.m.th të kthejmë sytë nga roli i qeverisë në punësim, në strehim, në sigurimin e shërbimeve publike bazë (shëndetësi, arsim, etj).
Po Kryeministri foli për këto probleme?
“Shqipëria ka ndryshuar dhe po ndryshon për 800 mijë familje shqiptare, që këtë korrik morën nga 35-90 për qind paga dhe pensione më të larta, krahasuar me vitin 2005”, - theksoi z. Berisha. Sipas meje, këtu ka një pasaktësi që nuk mund te kapërcehet kaq lehtë. Pagat janë rritur (dhe mirë është bërë), vetëm në sektorin publik, i cili në tërësinë e tij përfshin rreth 110 mijë vetë (duke përfshirë edhe punonjësit e punësuar në utilitet publike, si Albtelekom, ARMO, Posta Shqiptare, etj., si dhe ne sektorin e arsimit, shëndetësisë, Policisë së Shtetit, ushtrisë, administratës publike qendrore dhe vendore). Ne këtë kuptim, bëhet fjalë për pak më shumë se 50 mijë familje gjithsej. Se ç’peshë zënë 50 mijë familje në mbi 800 mijë të tilla në mbarë vendin, këtë mund ta llogarisë lehtësisht secili lexues i këtyre radhëve: afërsisht 1 në 16 familje ka pasur mundësinë të përfitojë një pagë më të lartë. Kjo sepse pjesa tjetër, të punësuarit në sektorin privat, gjatë se njëjtës periudhë kohore janë ndeshur me përpjekjet e qeverisë për caktimin e pagave referuese, e për rrjedhojë jo vetëm që nuk kanë përfituar rritjen e pagave, por ekziston një evidencë e mjaftueshme se shumë të punësuar kanë kaluar nga të punësuar me kohë të plotë pune në punonjës me kohë të pjesshme e disa syresh edhe kane humbur fare vendin e mëparshëm të punës. Është për t’u përshëndetur përpjekja e qeverise për të rritur statusin monetar te pensionisteve, ndonëse rritja e përfituar prej tyre është tepër modeste dhe të dyja së bashku (rritja e pagave dhe e pensioneve) me shume se rritje në kuptimin e përmirësimit të nivelit të jetesës së qytetareve, janë një lloj “kompensimi i tërthortë” për rritjen me herë të çmimeve të mallrave bazë të jetesës së tyre. Këtë fakt e pohoi thërthorazi edhe INSTAT ne publikimin e anketës mbi nivelin e jetesës, kur pohonte se “struktura e konsumit ka mbetur thuajse e pandryshuar qysh nga 1999-2000.
Sa realist është pohimi seShqipëria është duke kaluar një bum ekonomik. ?
Nëse si qytetar i këtij vendi nuk mund te mos gëzohem për çdo hap përpara në rritjen e nivelit të përgjithshëm të jetesës, si ekonomist e kam vështirë të “gëlltit” rritjen e ofruar nga qeveria (me gjithë kufizimet në grupet sociale përfituese si me sipër), kur mendoj se kjo rritje do të ishte reale nëse do të vinte nga rritja e rendimentit të punës, nga futja e teknologjive bashkëkohore, nga zgjerimi i punësimit. Ishte pikërisht kjo arsyeja që ne “show-n” mediatik të Kryeministrit, njëra nga pyetjet e vetme “problematike” që ju adresua atij ne lidhje me nivelin e papunësisë në vend, mbeti pa përgjigje…
Kryeministri Berisha u shpreh se “të ardhurat e mbledhura janë rreth 1.2 milionë dollarë më shumë se në vitin 2005”?
Sipas logjikes elementare ekonomike, që të shtohen te ardhurat duhet te shtohet prodhimi në vend, për rrjedhoje të zgjerohet punësimi e të ulet papunësia, por edhe të rritet eksporti i mallrave dhe shërbimeve të prodhuara ne vend. Duke ju referuar të dhënave zyrtare të INSTAT e te burimeve të tjera, rezulton se këto ndryshime nuk kanë ndodhur, madje ka disa vjet që bilanci i import-eksportit - si njeri nder treguesit me sintetike të fuqisë konkurruese dhe eksportuese të ekonomisë kombëtare - është përkeqësuar nga njeri vit në tjetrin dhe aktualisht importet tejkalojnë 3-4 herë eksportet. Natyrisht që për këtë të fundit, me fjalimin kryeministror ishte gjetur një “gjethe fiku”: “këtë 7-mujor, eksportet ‘Made in Albania’ janë rritur me 44 për qind, eksporti perimeve është rritur 100 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, prodhimi bujqësor ka njohur rritje të madhe...”. Në ekonomi, vlerësimet në periudha kohe të shkurtra (nëse nuk bëhen qëllimisht si në rastin në fjalë), të udhëheqin drejt konkluzioneve të pjesshme dhe te gabuara, nuk të lejojnë të shohësh “pyllin prapa drurëve”. Parë nga një këndvështrim tjetër, 1.2 miliardë dollarët (në website-n qeveritar ishte shkruar 1.2 milionë, një gabim shtypi mendoj), që qeveria pretendon se ka mbledhur më shumë se në vitin 2005 “si rezultat i luftës me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit”, janë te diskutueshme. Janë të diskutueshme se nëse kjo do të ishte e vërtetë, padyshim që do të ishin hapur mijëra vende të reja pune. Por janë të diskutueshme edhe për faktin se deri ne sot me rezulton se përmes një sistemi fiskal në ndryshim dhe me plot “marifete”, vetëm qytetaret nga pozitat e konsumatorit, sipërmarrësit dhe përfituesit të shërbimeve publike kanë kontribuar në taksa, d.m.th qeveria këto të ardhura buxhetore me rritje i ka mbledhur vetëm nga qytetaret. Ndërsa pjesa e shoqërisë e shpallur prej saj si “biznese kriminale, të korruptuara, monopole të pushtetarëve”, etj., nuk më rezulton gjëkundi në evidencën qeveritare të ketë derdhur një qindarkë në arkën e shtetit. Ajo që duket se ka ndodhur është e kundërta. Edhe gjate kësaj periudhe, qarqet mafioze me mbështetje politike, vendase dhe të huaja, kanë marrë në zotërim te tyre pjesë të rëndësishme të taksave të qytetarëve dhe të pasurive publike: a nuk transportonte ushtria shqiptare me paratë e qytetareve për vite me radhe stoqet e municioneve te Delijorgjit prej qindra miliona eurosh për “t’i shitur” pastaj kontrabande? A nuk janë lobet e fuqishme të ndërtimit që “diktojnë” politikat publike, paqen sociale dhe madje edhe tonet “e larta” apo “te buta” te luftës politike pushtet-opozite? Do të mjaftonte një rast i vetëm i “çmontimit të monopoleve të pushtetarëve socialistë” (zotim që Kryeministri aktual e kishte aq për zemër përpara ardhjes në pushtet) dhe derdhja në buxhetin e shtetit të një shume sado të vogël të “parave të korrupsionit”, që së paku të dëshmohej publikisht vullneti politik i maxhorancës aktuale në përmbushjen e programit ekonomik e politiko-qeverisës të saj.
Qeveria ka çuar për ndjekje penale rreth 70 zyrtarë për korrupsion. A nuk është ky një tregues i vullnetit për të luftuar korrupsionin?
Për fat të keq, lufta kundër monopoleve, korrupsionit dhe krimit te organizuar ne ekonomi, duket se ka mbetur në disa  arrestime dhe dënime selektive të disa “peshqve të vegjël” në administratën publike, vetëm në nivelin e retorikës boshe politike, apo te disa qindarkave te sekuestruara nga pronat e krimit. Ja përse angazhimi i qeverisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit përbëjnë një shqetësim konstant të SHBA-së, BE-së, OSBE-së, vendeve e organizatave ndërkombëtare mike të Shqipërisë. Veç e veç apo së bashku, herë në mënyrë diplomatike (siç qe dhe artikulimi i një sërë problemesh të mprehta politike e të marrëdhënieve ndër-institucionale të vendit nga një diplomat perëndimor në Tiranë disa jave me pare), apo herë-herë drejtpërdrejt, qeveria dhe publiku shqiptar janë informuar e këshilluar mbi nevojën e ndërtimit të institucioneve të shtetit, të sendërtimit të besimit publik ndaj tyre, etj., si kushte baze për zhvillim dhe për integrimin Euro-Atlantik te vendit. Për fat të keq, edhe në këtë pikë Kryeministri Berisha u tregua refraktar dhe mohoi ekzistencën dhe domethënien e “këshillave të diplomatëve perëndimorë”, gjë që sipas shtypit, detyroi Ambasadën Amerikane ta përgënjeshtrojë disa orë me pas.
Pothuajse e gjithë media ka pranuar se programet e privatizimeve në ekonomi kanë qenë të suksesshme ndërkohëqë s’ka asnjë koment negativ edhe nga ana opozitës. Komenti juaj?
Sipas mendimit tim, në këtë fushë duhet më shumë realizëm dhe vërtetësi. Kështu, nëse investimet në infrastrukturë (rrugë, porte, aeroporte, etj) ndihmojnë dhe paraprijnë zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë sonë kombëtare (bujqësi, turizëm, miniera, pyje., etj.) kjo duhet parë e lidhur ngushtë me fuqinë prodhuese të kësaj ekonomie, me kryerjen e analizave të thelluara ekonomike e financiare, degësore dhe territoriale, te impaktit mjedisor, rajonal dhe perspektiv të tyre. As marrja e borxheve të brendshëm dhe të jashtëm pa kryer me parë këto analiza; as futja pa konkurrim e firmave të huaja, as shndërrimi i firmave shqiptare dhe të një armate të tërë intelektualësh, dijetaresh, inxhinieresh, etj., në “punëtorë me mëditje” dhe “argatë” të tyre edhe dy dekada nga hapja e vendit me botën, nuk ndihmojnë për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe shoqërore dhe proceset integruese të vendit. Përkundrazi, ato krijojnë probleme që rritin kostot e këtyre proceseve dhe deformojnë dhe frenojnë zhvillimin e ekonomisë sonë kombëtare. Sipas mendimit tim, është kapërcyer ajo kohë kur qytetarëve shqiptarë ju bënte përshtypje investimi në Shqipëri nga një sipërmarrje perëndimore e njohur, p.sh për prodhimin e çimentos, por ata janë të ndërgjegjësuar sa te kuptojnë edhe interesat politike dhe ekonomike të monopoleve dhe klaneve drejtuese që qëndrojnë pas tyre. E nëse qeveria, duke injoruar e shkelur edhe strategjitë sektoriale dhe territoriale qe vete ka miratuar, nxiton të “lajë duart” me pasuritë kombëtare në industri, transport, pyje, etj., dhe opozita nuk është në gjendje të artikuloje me forcën e duhur shqetësimin publik për cenimin e interesave kombëtare që ndodh me këtë rast, nuk ka dyshim, korrigjimet bëhen gjithnjë e më të vështira dhe shumë të kushtueshme për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Askush nuk do të dëshironte që pas 10 apo 15 vjetësh Shqipëria të jetë shndërruar në një zonë industriale apo park i mbetjeve ndotëse ambientale e mbeturinave të vendeve të zhvilluara të Europës. Se në fund të fundit, në BE do të anëtarësohemi duke njohur, respektuar dhe konkurruar mbi bazën e “rregullave të saj të lojës” e jo duke shitur interesat tona kombëtare për përfitime politike dhe korruptive të momentit.
Cilat janë kontradiktat që ju hasni në pohimet e Berishës për sukseset e qeverisë së tij?
Meqë jemi tek investimet, mendoj se Kryeministri ishte edhe kontradiktor ne deklarimet e veta. Kështu, nëse ai deklaroi se gjatë shtatë muajve te fundit “u goditën nga organet e zbatimit të ligjit rreth 69 grupe kriminale dhe u vendosën para ligjit 280 anëtarë të tyre”, në një vend me më pak se 3 milionë banorë rezidente, vështirë se përcillet një mesazh miqësor e shpresëdhënës te investitorët e huaj për mjedisin e këtushëm të biznesit. Kjo jo se goditja e grupeve kriminale nuk duhet bërë – kjo ndodh përditë kudo në botën e përparuar, por se kjo terminologji jo vetëm nuk i përgjigjet realitetit në përmbajtjen e vet, por edhe e paraqet vendin tonë shumë të pasigurte për ta, gjë që nuk është plotësisht kështu. Në konceptin juridik, me grupe apo organizata kriminale kuptohet pak a shumë një numër njerëzish (d.m.th më shumë se një person i vetëm), që në mënyrë të organizuar kryejnë veprimtari të dënueshme penalisht, e cila sjell përfitime materiale dhe monetare te paligjshme për pjesëtarët e vet. Për fat të keq, në rastin e vendit tonë ende nuk po shfaqet në bankën e të akuzuarit ndonjë grup i tillë (të fundit kanë qenë “grupet armiqësore” të 30 vjetëve të shkuara që shpikte mendja e sëmure e E. Hoxhës për të mbajtur në këmbë “diktaturën e proletariatit”). Madje, edhe një grup i tillë i dyshuar i “kohëve tona” siç janë ideatorët dhe realizatorët e tragjedisë së tmerrshme të Gërdecit me 15 Mars të këtij viti - tashmë të njohur nga publiku vendas dhe ndërkombëtarët - ende nuk po trajtohet si i tillë. Me sa shihet, janë të gjitha gjasat (“për arsye shtetërore” a për shkak të përfshirjes në skandal të vete qeverisë – kjo mbetet për t’u parë në javët që vijnë), qe kjo çështje të shtyhet për në “kalendat greke”. E natyrisht, për këtë nuk mund të bëhet përgjegjëse qeveria. “Drejtësia është e pavarur!” Është një parullë e vjetër dhe e dalë boje qysh nga koha e regjimit te vjetër… Studimet e ndryshme mbi dinamiken e fenomenit te korrupsionit në Shqipërinë e tre-katër viteve të fundit tregojnë se vendin e korrupsionit të shtrirë gjerësisht (kapilar) në administratën publike e biznesin të qeverisjeve të mëparshme e ka zënë korrupsioni elitar. E në këtë kuptim, rasti i Gërdecit është prova më e qenësishme e dështimit të luftës së qeverisë dhe institucioneve të tjera të shtetit kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, që vetëm një drejtësi në shërbim të politikës dhe e varur tërësisht prej saj nuk mund ta shohë dhe ta ndëshkojë për të mbrojtur shtetin dhe të drejtën, jetën dhe pronën e qytetarëve të vendit te vet. Ja perse forcimi i institucioneve të shtetit është kusht për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, ndërsa vetë zhvillimi mbështetet gjerësisht në zgjerimin e punësimit, futjen e teknologjive bashkëkohore dhe zvogëlimin e papunësisë. Çdo trajtim tjetër si ato që deklaroi z. Berisha të premten, nuk janë gjë tjetër veçse demagogji e pastër dhe fillimi fushatës së ardhshme elektorale.

(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›