Ndoka kundër Berishës: Kryeministri qeveris me mendësi primitive
TIRANE- Ish-ministri i Shëndetësisë dhe kreu i demokristianëve, Nard Ndoka ka akuzuar kreun e qeverisë Berisha, se ka përdorur kryetaren e Kuvendit, Topalli, ministrin Olldashi dhe Alibeajn, për të mbuluar prishjen e njëanshme të marrëveshjes mes dy partive. Sipas tij, ndryshimet në dy ministritë u bënë vetëm për të punësuar militantë.
Zoti Ndoka, cili është komenti juaj për ndryshimet e bëra së fundmi në qeveri nga kryeministri Berisha? A mendoni se qëndrimi i PDK-së në qeveri ishte vetëm për të mbajtur në këmbë këtë maxhorancë me votat që ju kishit?
Ndryshimet e fundit në qeveri u kryen nën shantazhin dhe ankthin që shkaktoi tragjedia e Gërdecit. I vetmi rezultat i dukshëm, ishte kufizimi i përfaqësimit të aleatëve në qeverisje dhe lënia jashtë e aleatit kryesor, PDK. Prishja e marrëveshjes politike nga ana e PD-së në mënyrë të njëanshme, ishte e pakuptueshme dhe e pamotivuar. PD-ja qeverisi me aleatët kur kishte nevojë për numra në Kuvend dhe për besueshmëri më të madhe tek publiku e ndërkombëtarët. Tani ka ndryshuar kursin papritur, duke i dhënë një “rëndësi” të madhe drejtimit të ministrive të Shëndetësisë e Arsimit. Për fatin e keq, jo për t’i mbështetur këta dy sektorë të rëndësishëm, por për t’i kontrolluar dhe mbushur me militantë të partisë. Në PD ka një mendësi primitive, që akoma besojnë dhe propagandojnë se zgjedhjet fitohen duke punësuar disa militantë të partisë në këta sektorë jetikë. Kjo është një lëvizje e dështuar, e cila do të ketë një kosto të madhe për reformën, sidomos në sistemin shëndetësor. Unë, gjatë qëndrimit tim në krye të Shëndetësisë për 16 muaj nuk kam larguar asnjeri nga ministria, por kam afruar rreth stafit tim specialistë të zotë dhe mjaft personalitete të aftë. Sot po vërej që “reforma” ka filluar pikërisht duke larguar këta persona që dhanë një kontribut në reformimin e sistemit shëndetësor, me disa militantë partish, të cilët nuk kanë shkëlqyer asnjëherë aty ku kanë milituar më parë. Është larguar nga puna sekretari i Përgjithshëm i MSH, Afrim Krasniqi, vetëm për faktin se ka qenë më parë ish- këshilltari politik i Presidentit të Republikës. Gjithsesi, PDK-ja dha një kontribut në qeverisjen e vendit dhe për këtë ndjehemi mjaft mirë, vazhdimësia e demokristianëve në politikë nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me qenien tonë në këtë qeveri. Alternativën tonë dimë ta shpalosim mjaft mirë në këshillat lokale, në Kuvend dhe gjithandej. Ne kemi marrë një rezultat tri herë më të madh në zgjedhjet e fundit lokale. Ata që mendojnë se do ta dëmtojnë PDK-në duke e lënë jashtë qeverisjes, gabojnë rëndë. Kjo që ndodhi, që në gjuhën popullore quhet pabesi, do të kthehet në një bumerang për vetë PD-në, dhe kjo do të ketë një kosto jo të vogël për maxhorancën në zgjedhjet e ardhshme, duke rrezikuar që e djathta mos të jetë më e tillë.
A mendoni se largimi i PDK-së nga qeveria, ishte një kosto që ju paguat për përçarjen që pati partia që ju drejtoni?
Në PDK realisht nuk ekziston asnjë përçarje, por persona të larguar nga PDK-ja. Janë vetëm dy ish-zv/ministrat e PDK-së, që sot po keqpërdoren nga segmente të PD-së dhe për fatin e keq edhe nga vetë Berisha. Nëpërmjet këtyre dy personave të përdorshëm ndër vite, po tentohet të bëhet diversion tek PDK-ja. Nuk është hera e parë që Berisha përpiqet të bëjë diversion tek partitë e djathta, siç ka ndodhur me Ballin Kombëtar, Legalitetin, Shoqatën e ish-të dënuarve politikë, etj. Kjo taktikë përçarëse e ka dëmtuar shumë të djathtën këto vite, por rasti i PDK-së tregoi se strategjia “përça e sundo” nuk mund të përdoret më, sidomos për ne demokristianët, që tashmë jemi një forcë politike e konsoliduar, me program dhe vizion të qartë. PD-ja po përpiqet që të gjejë një alibi për prishjen e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme, por me gjithë përpjekjet e saj duke aktivizuar Topallin, Olldashin e ministrin e Drejtësisë, nuk ia kanë arritur qëllimit. Ne kemi denoncuar publikisht këto sjellje të pa precedente në dëm të PDK-së, të këtyre politikanëve dritëshkurtër që maten me hijen e mëngjesit dhe jetojnë nën hijen e Berishës. Largimi i ynë nga qeveria u bë për të na përçarë, dhe jo se ishim të tillë. Lidershipi i PD-së ka gabuar; siç duket ende nuk e njeh forcën reale që PDK-ja zotëron sot. Ndoshta nesër do të jetë vonë për ta…
A keni tentuar për bisedime me kreun e qeverisë, për të qenë sërish pjesë e kabinetit që ai drejton? Si do të jetë tani e tutje vota e PDK-së?
Nuk kemi rendur drejt pushtetit me çdo kusht, madje u futëm në zgjedhjet lokale pa qenë në qeveri dhe nuk do tentojmë që të rifutemi patjetër në këtë qeveri. Qenia jashtë qeverisë të jep më shumë hapësira, më shumë liri për të qenë vetvetja dhe për të përfaqësuar dhe shpalosur shumë më mirë alternativën kristiandemokrate në Shqipëri. Berisha veproi në mënyrë të njëanshme, pa u konsultuar paraprakisht as për idenë për të bërë ndryshime në qeveri. Nëse ai do të kërkonte mirëkuptim nga ne, besoj se do ta gjente, por zgjodhi rrugën më të shkurtër dhe më të gabuar. Votat e PDK-së kanë qenë të domosdoshme për këtë maxhorancë në shumë momente decizive për PD-në, mocioni i shkarkimit të kryetares së Kuvendit, zgjedhja e Presidentit të Republikës dhe mjaft raste të tjera në jetën parlamentare. Sot Topalli, Olldashi &CO kanë pajtuar me qira disa deputetë të opozitës me një kosto të madhe financiare për taksapaguesit shqiptarë. PDK-ja ka një moral politik dhe mbi këtë moral nuk bën pazare, ata që nuk e kanë dhe nuk e kanë pasur asnjëherë moralin në politikë, mund të vazhdojnë të shesin dhe të blejnë deputetë në kuvend. Deputetët që i janë bashkuar PDK-së, kanë dhënë një kontribut për PDK-në në radhë të parë, por dhe për maxhorancën. Koha tregoi se ne ditëm të qëndrojmë fort dhe me moral kundrejt batakut në të cilin është zhytur lidershipi i PD-së. Kohë më parë Berisha kritikonte deputetët e opozitës së djeshme, që shiteshin tek Nano, sot merkatoja është për Berishën, por çmimi është shumë më i lartë në të gjitha aspektet; financiare dhe morale.
Çfarë plani ka PDK-ja për zgjedhjet? Keni menduar për pjesëmarrjen tuaj në ndonjë koalicion dhe si do të jetë, para apo paszgjedhor?
Ne do të japim kontributin tonë parlamentar për hartimin dhe miratimin e Kodit Zgjedhor, në mënyrë që të kemi një kod zgjedhor demokratik, jo penalizues për pluralizmin politik dhe të pakontestueshëm. Për koalicionet është ende herët për të folur. Ne jemi një parti e qendrës së djathtë dhe si e tillë bashkëpunimi do të jetë me PD-në, nëse ekziston një frymë mirëkuptimi ndryshe nga ajo që është sot.
E majta ka hedhur në tregun politik një skemë bashkëpunimi parazgjedhor edhe me partinë tuaj si dhe PBDNJ-në. A do t’i bashkoheni kësaj skeme?
Skemat gjithmonë duhen të studiohen mirë dhe duke zgjedhur aleatët më të mirë në politikë. PDK-ja do ta thotë fjalën e saj në kohën e duhur, gjithmonë në interesin tonë programor dhe të alternativës demokristiane.
Cili është mendimi juaj për deklaratat e bëra ditëve të fundit nga PDR-ja, për një bashkëpunim deri në shkrirje me PD-në. Po lidhur me idenë për krijimin e një federate të djathtë…?
Unë që kur jam larguar nga PDR-ja, kam hedhur idenë që kjo parti e mbaroi misionin politik dhe duhej të bashkohej me PD-në, kjo falë edhe indiferencës së Pollos në drejtimin e partisë, duke e përdorur atë vetëm për karrierën e tij personale. Nuk është e lehtë për drejtuesit e PDR-së, për t’i gëlltitur të gjitha ato që kanë “pështyrë” në drejtim të PD-së dhe lidershipit të saj, pasi aty pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Disa, këtë e bëjnë me kënaqësi vetëm për të siguruar një post në seksionin e PD-së së Laprakës dhe më vonë, nëse do Berisha, edhe në Kuvend. PD-ja ka qenë një parti politike që ka prodhuar disa parti nga gjiri i saj. Arsyet tashmë dihen mirë nga të gjithë. Bëri një demagogji në zgjedhjet parlamentare me KOP-in dhe fitoi goxha terren dhe simpati. Po tenton përsëri të bëjë të njëjtën gjë me forma të ndryshme. Si do të pritet kjo shkrirje në PD e politikanëve si Pollo apo të tillë të ngjashëm? Unë mendoj se nuk do të sjellë asgjë të re. Është si “historia e qershive të përshurrura”.
Pozicioni politik i PDK-së tashmë është i qartë; ne do të japim maksimumin në zgjerimin e radhëve tona me anëtarësime të reja duke shpalosur alternativën kristiandemokrate në të gjithë vendin, për të dalë të vetëm në zgjedhjet parlamentare. Ne kemi nevojë dhe dëshirë që të testohemi për forcën dhe mbështetjen tonë në votat e elektoratit shqiptar.
(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)