E Hënë, 2 Nëntor 2026

Begeja: 7501 nuk ndikon në kompensimin e pronarëve

06/02/2005  Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Maksim Begeja, është shprehur, në një prononcim për "Metropol", se çështja e së drejtës së pronarëve mbetet ende e pazgjidhur. Sipas tij, pronarëve të ligjshëm nuk mund t'ua heqësh të drejtën e kompensimit të pronës, pavarësisht se ata e kanë marrë atë sipas ligjit 7501. Për Begenë, ky ligj parashikon ndarjen e tokës në bazë të frymëve dhe jo kthimin dhe kompensimin e pronarëve, ndaj dhe marrja e një njësie prone, sipas ligjit 7501, nuk mund të kufizojë kërkesën për kompensimin e plotë mbi tokën e sekuestruar prej diktaturës komuniste. Begeja është shprehur se kjo pikë është diskutuar gjatë në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe në takimet e zhvilluara me Komitetin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kreu i Grupit të LZHK-së ka theksuar se vetëm me kthimin e tokës tek i zoti do të kemi një ulje të faturës financiare. Gjithashtu, ai tha se ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave nuk do të jetë i mundur për t'u realizuar në rast se nuk do të rishihen vendimet e komisioneve të mëparshëm. Për Begenë gjatë këtyre viteve ka pasur shkelje të ligjit për ndarjen e tokës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›