E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rritet shifra e kërkuar për kompensim

06/02/2005  Toka e marrë sipas ligjit 7501, nuk janë përfshirë në hapësirat e lejuara në ligjin e miratuar në korrik

Rikthehen debatet për të drejtën dhe zbatimin e vendimeve të shtetit shqiptar

Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave duket se do të jetë më i vështirë seç mendohej për t'u zbatuar. Kjo për vetë faktin se ende nuk është përcaktuar nëse ligji 7501 do të cilësohet reformë, apo kompensim në rastin e ish-pronarëve. Amullia qëndron në faktin se nuk dihet nëse këta të fundit do të marrin pronën që u takon, minus pjesën që kanë marrë në bazë të ligjit 7501, apo do të marrin në total pronën, pavarësisht nga ajo që kanë përfituar nga ligji 7501. Përfaqësuesit e shoqatës "Pronësi me Drejtësi" janë shprehur dje se ish-pronarët nuk mund të privohen nga ndarja e tokës sipas ligjit 7501, pasi prej saj ka përfituar e gjithë popullsia në fshat. Madje, është theksuar se dhe vetë ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave nuk parashikon, që t'u hiqet e drejta e kërkesës pronarëve që kanë marrë tokën e trashëguar me ligjin 7501. Ata kanë theksuar se, veç pronës që ata kanë marrë nga ligjet e pas vitit 1992, duhet të marrin dhe pronën që u takon. Kjo për ta do të ishte zbatim i të drejtave të njeriut, pasi të gjithë janë të barabartë. Ndërsa dallimi është se ish-pronarët duhet të kompensohen për pronën e sekuestruar sipas të drejtave ndërkombëtare. Kështu që në rast, se një pronar ka pasur 10 ha tokë dhe këto i ka marrë sipas ligjit 7501, ai ka të drejtën e plotë që ta rikërkojë, sipas ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Diskutimi

Pranimi i një fakti të tillë do të dyfishonte menjëherë faturën financiare. Kjo sepse veç tokës së marrë si pjesëtarë në kooperativa apo ferma, ish-pronarët do të kërkojnë dhe të drejtën për trashëgiminë. Faktikisht kufizimi i kësaj të drejte nuk është parashikuar në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave të miratuar në korrikun e vitit që shkoi. Megjithatë përfaqësues të qeverisë kanë deklaruar shpesh se pa marrë pronën kanë mbetur rrth 25 për qind e ish-pronarëve. Kjo ka lënë të nënkuptuar se me ndarjen e vitit 1992-1999, ish-pronarët kanë marrë pronën e tyre. Ndaj së fundi është theksuar se fatura financiare, për kompensimin do të jetë tepër e ulët. Tashmë pretendohet se pronarët e vegjël kanë marrë tokën që kanë pasur, ndaj dhe nuk mund të kenë pretendime. Tashmë për përfaqësuesit e mazhorancës, ata që kanë marrë sipas 7501, u humb e drejta për ta rimarrë këtë sasi toke.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›