Begeja: Nuk më kanë shkarkuar nga kreu i Grupit
04/03/2005 Koalicioni Lëvizja për Zhvillim Kombëtar është përfshirë nga debate të ashpra mes partive. Burimet kanë bërë të ditur se në zyrën e kreut të kësaj lëvizjeje kanë mbërritur dy letra, që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Nga njëra anë kërkohet shkarkimi i kryetarit të Grupit parlamentar të LZHK-së, Maksim Begeja, ndërsa në anën tjetër thuhet se kryesia e Grupit parlamentar nuk duhet të ndryshojë. Duke e theksuar dhe më tej debatin, në redakstitë e gazetave ka mbërritur një njoftim, ku thuhet se Begeja është shkarkuar nga posti që mban. Por, ky i fundit, në një prononcim për mediat, thekson se shkarkimi nga detyra nuk është i vërtetë. Duke kundërshtuar dhe këtë njoftim, Begeja thekson se persona të paidentifikuar kanë përdorur siglën e LZHK-së, me qëllim përçarjen e kësaj lëvizjeje. Gjithsesi pro Begesë tashmë ka dalë shumica e Grupit parlamentar. Sipas tyre, janë individë të shtyrë prej Partisë Demokratike, që sjellin një debat të tillë, i cili nuk është aspak i vërtetë. LZHK dhe një herë ka konfirmuar se nuk do të ketë koalicion parazgjedhor me PD-në.