E Hënë, 2 Nëntor 2026

Do ulim taksat dhe do rrisim numrin e tatimpaguesve

04/03/2005  Anëtarja e KOP, Elida Reçi, thotë se numri aktual i ministrive nuk e justifikon punën e bërë

Elida Reçi, drejtoreshë e Institutit të Financave Publike dhe Private, njëkohësisht dhe anëtarë e KOP-it, thekson, në një intervistë për gazetën "Metropol", se paketa fiskale e prezantuar nga PD-ja, për uljen e taksave, është plotësisht e zbatueshme. Sipas saj, deklaratat e kreut të FMN-së për Shqipërinë, Jan Peter Olters, kanë qenë pozitive dhe si të tilla shprehin vlerësimin e institucioneve ndërkombëtare për programin ekonomik të opozitës. Sipas saj, akuzat e zëvendësministrit të Financave, Dritan Shano, janë të pabazuara në fakte dhe aspak profesionale. Reçi, e cila është dhe një nga hartueset e këtij programi, shprehet se ulja e taksave në masën 50 për qind, nuk do të ulte të ardhurat në Buxhetin e Shtetit, pasi do të shtohej numri i personave që paguajnë taksat dhe sigurimet shoqërore. Nga ana tjetër, Reçi hedh akuza për shpërdorimin e kredive dhe granteve, që janë dhënë nga komuniteti ndërkombëtar.

Përpara disa ditësh, shefi i FMN-së, zoti Olters, e cilësoi startegjinë e paraqitur nga KOP si interesante, por me iniciativa të rrezikshme. Si i komentoni këto deklarata?

Do doja të thoja se ne e vlerësojmë maksimalisht vlerësimin pozitiv që përfaqësuesi i FMN-së i dha programit të politikave fiskale të paraqitura nga KOP-i, për Partinë Demokratike. Më vjen mirë që FMN-ja njeh përfitimet që sistemi fiskal dhe sistemi i financave fiskale do të ketë nga kjo paketë, që ne kemi paraqitur. Gjithashtu, vlerësoj faktin që ai përmend beneficet që vijnë si pasojë e zbatimit të kësaj pakete fiskale, që është shumë prestigjioze. Problemi, i cili Jan Peter Olters i referohet si rrezik, ka të bëjë me administrimin e një takse, që është taksa e TVSH-së. Faktet kanë treguar se me qeverisjen aktuale, apo me administratën akutale, zbatimi i TVSH-së, qoftë edhe me atë çka bie dakord FMN-ja, që është sistemi njëtarifor, ka rezultuar problematik. Shumica e anëtarëve të KOP-it janë të mendimit se kjo vjen si pasojë e mungesës së vullnetit politik, dhe si mungesë e efiçencës ekonomike.

Për të njëjtën çështje ka pasur dhe një reagim nga zëvendësministrit të Financave, i cili strategjinë e paraqitur nga KOP e quan një aventurë?

Më vjen keq që një nga ekonomistët e këtij vendi, e humbet logjikën ekonomike dhe orienton komentet e tij në mënyrë politike. Ky është një gabim për pozicionin që ai ka, sepse bën komente, të cilat një ekonomist nuk do t'ia lejonte vetes. Dua të them që programi i politikave fiskale i PD-së është një program ambicioz. Kjo do të thotë që ky program përmbledh në vetvete shumë sfida, që e bëjnë PD-në një parti të përgjegjshme, për zhvillimin social ekonomik të vendit. Teoritë që hedh zoti Shano, se kjo strategji është e paarritshme, janë të pabazuara në argumente. Ditë pas dite, ju do të keni komente të anëtarëve të KOP, që do t'i përgjigjen disa prej problemeve konstruktive që lidhen me zbatimin e kësaj reforme dhe me reduktimin që lidhen gjatë zbatimit të saj.

Mund të na thoni diçka më konkrete, lidhur me zbatueshmërinë e premtimit për uljen 50 për qind të taksave dhe në rast se kjo është e mundur, pse nuk është zbatuar deri më sot?

Ulja e taksave jo gjithmonë mban të njëjtin nivel të të ardhurave, që është shumë e nevojshme për një ekonomi dhe një shtet si Shqipëria, që duhet të japë shumë shërbime publike falas. Në qoftë se do ta vinit re, kjo lloj pakete fiskale, që ne kemi prezantuar, kushtëzohet apo përcaktohet nga fakti që ne duhet të paguajmë të gjithë, dhe duhet të paguajmë më pak. Ajo që ndodh sot në Shqipëri, dhe që është e vërtetuar nga raportet e organizatave ndërkombëtare, është që një pjesë e madhe e të ardhurave, që i vilen biznesit, nuk shkon në xhepat e shtetit. Kemi një keqadministrim të qëllimshëm dhe kemi një kalim nga praktikat korruptive në korrupsion masiv. Ç'do të të thotë kjo? Që, në qoftë se në vullnetin politik dhe në përgjegjësinë e një force politike, e cila do t'i adresohet këtyre problemeve, atëherë problemet e administrimit janë të zgjidhshme. Ulja e tarifave, ndërkohë që zgjerohet baza e tatueshme, përkatësisht në numrat që ne kemi llogaritur, jo vetëm që do të mbajë nivelin e të ardhurave, por do të rrisë këtë nivel. Diçka tjetër, që lidhet me zbatimin e kësaj strategjie, është shtrirja kohore e reformave që ne kemi propozuar. Një pjesë e këtyre reformave zbatohen vetëm kur baza e nevojshme ligjore dhe administrative të jetë ndërtuar.

Flitet për një shkurtim ministrish, dhe të shpenzimeve qeveritare. Çfarë parashikon reforma fiskale, pasi opozita ka deklaruar se vetëm Këshilli i Ministrave shpenzon rreth 1 miliard lekë në vit?

Madhësia jo gjithmonë nënkupton efiçencë! Ajo që dua të them është se jo gjithmonë këto ministri e justifikojnë ekzistencën e tyre në atë numër dhe ato përmasa. Kjo ka qenë dhe një nga problemet, që ne kemi trajtuar në paketën fiskale. Ideja është se një pjesë e mirë e ministrive duhet të ristrukturohen. Qeveria ka tentuar ta bëjë disa herë këtë reformë me paratë e taksapaguesve shqiptarë, sepse kanë qenë kredi të marra nga Banka Botërore, ose dhe me grante të donatorëve, të cilat mund të kishin pasur një ndarje më të mirë. Gjithsesi rezultatet e këtyrë studimeve të kryera që nga viti '99 dhe deri në 2003-in nuk janë përdorur thuajse absolutisht nga administrata e sotme, për mungesë të qartë të vullnetit politik. Çfarë po ndodh? Një muaj më parë ka filluar të ndodhë e njëjta gjë dhe që për zbatimin e rezultateve ne nuk mund të kemi më garanci.

Cili ka qenë vlerësimi i institucioneve ndërkombëtare në rast se ia keni prezantuar strategjinë tuaj?

Projekt-programi është dërguar për konsultime me grupet e interesit dhe anëtarët e KOP-it po konsultohen me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Për sa kohë që ky projekt do të përfshijë vërejtjet e të gjitha palëve, atëherë me siguri që do të shikohet dhe një herë ngë anëtarët e KOP-it. Por mund t'ju them se deri më tani komentet kanë qenë përgjithësisht shumë pozitive dhe pothuajse të gjitha palët kanë përgëzuar hartuesit e programit, por edhe PD-në që ka marrë përsipër ta adaptojë si program të vetin.

Flitet për një reformë në dogana në rast të ardhjes së PD-së në pushtet. Çfarë parashikon strategjia e KOP për këtë çështje?

Vërej që ditët e fundit programit të politikave fiskale, të paraqitur nga KOP, qeveritarët i kundërvihen me arritjet në sistemin e doganave, apo me adaptimin e sistemit "asicuta + +". Dua të them se programi asikuta me dy plus, është ofruar si program nëpërmjet granteve që në vitin 2000, por si aparat falas. Ka qenë mungesa e forcës politike, që nuk ka pranuar të vendosë këtë lloj sistemi, duke i hequr kështu shqiptarëve të drejtën e përfitimeve vite më parë.

Sistemi "asicuta + +" është një sistem i teknologjisë së informacionit, i cili në mënyrë të konsiderueshme heq mundësinë e interpretimeve në vlerësimet doganore, dhe krijon mundësitë e ndërlidhjes të sistemeve doganore me ato tatimore brenda vendit. Rrit në mënyrë të konsiderueshme shkallën e efiçencës e administratës doganore dhe tatimore, dhe shkurton numrin e punonjësve të tatimeve, që në fakt përbëjnë kosto të shpenzimeve publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›