E Hënë, 2 Nëntor 2026

Begeja: Qeveria shkeli ligjet per çmimin

19/01/2005  Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Maksim Begeja, është shprehur dje se puna për zbatimin e ligjit të kthimit dhe të kompensimit të pronave ka ngecur në vend. Ai tha, në një intervistë për "Metropol", se qeveria ka shkelur afatin e dhënë për paraqitjen e akteve nënligjore. "Qeveria duhet të kishte përfunduar aktet nënligjore brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave", tha Begeja.

Zoti Begeja si e vlerësoni punën e bërë deri më tani për zbatimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave?

Procesi për kthimin dhe kompensimin e pronave ka hyrë në rrugë pa krye. Ky ligj nuk ka gjetur dhe nuk po gjen zbatim. Defekti kryesor është kryesisht në dy drejtime. Së pari, Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në prefektura nuk janë strukturuar ende në përputhje me ligjin. Në këtë pikëpamje është thyer afati i vënë për ngritjen e komisioneve. Sipas ligjit, komisionet duhet të ishin ngritur 30 ditë nga konstituimi i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pra, komisonet duhet të ishin ngritur brenda vitit që shkoi, por dhe sot ato janë në rrugë qorre. Momenti i dytë, dhe shumë themelor, është se nuk është përcaktuar ende metodologjia e përcaktimit të vlerës të pronës së paluajtshme. Qoftë të tokës, trojeve apo tjetër. Kjo metodologji duhet të kishte kaluar në parlament, për të përshpejtuar procedurën, pasi pengon kthimin dhe kompensimin e pronave. Komisionet vendore duhet, në përputhje me ligjin, të shqyrtojnë ato dosje, në të cilat është vepruar në kundërshtim me pikën 2 të nenit 16. Komiteti Shtetëror verifikon vendimet e komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave të ngritura sipas ligjit. Kjo punë duhet të kishte filluar se janë me qindra e qindra dosje që duhet të ishin verifikuar. Sipas këtij procesi, duhej të ishin paraqitur kërkesat nga organet e qeverisjes vendore apo personat e shpronësuar. Por, deri më tani asnjë organ vendor nuk ka paraqitur dhe nuk ka filluar shqyrtimin e dosjeve. Kjo do të thotë se procesi do të zvarritet dhe më tej dhe nuk do të gjej zbatim. Këto janë tre momentet më themelore.

A i ka zbatuar afatet qeveria për përcaktimin e akteve nënligjore?

Aktet nënligjore janë një tjetër pikë, pasi qeveria duhet t'i kishte përfunduar aktet nënligjore në mënyrë që Komiteti Shtetëror dhe Komisionet përkatëse të kishin në dorë aktet nënligjore për të filluar normalisht punën. Kjo zvarritje do të bëjë që ky ligj të mos gjej zbatim dhe afatet të mos reskeptohen. Deri më tani këto afatet duket qartë se janë shkelur. Qeveria duhet të kishte përfunduar aktet nënligjore brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pra, më datën 15 dhjetor të vitit që shkoi duhet të kishim të qartë të gjithë aktet nënligjore.

Çfarë do të ndërmerrni ju për të sjellë zbatimin e ligjit?

Unë, për këtë moment, do të kërkoj në Kuvend për interpelancë Kryeministrin. Në interpelancë do të shpjegohet se çfarë ka bërë qeveria, si do të veprojë dhe kur do të veprojë për të zbatuar ligjin e miratuar në parlament. Ka mospërputhje në nenet e veçanta ku bëhet fjalë për afatet kohore, siç është neni 19. Ai kërkon amendim meqenëse përcaktonte se kërkesat e pronarëve paraqiten një vit nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tani kanë kaluar gjashtë muaj dhe komisionet nuk janë konstituuar akoma. Kurse komisionet e kthimit të pronave ekzistues nuk pranojnë që të marrin në shqyrtim kërkesa të tjera, duke sjellë kështu vonesa në zbatimin e ligjit. Duke parë këtë vonesë do të kërkojmë që të shtyhet dhe afati i paraqitjes së dokumenteve. E njëjta gjë është dhe për afatet e përfundimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të ponave, pasi duket sikur ka një mospërputhje mes afatit përfundimtar dhe afatit që u është lënë pronarëve për të dorëzuar kërkesat e tyre.

A është normale që të kufizohet e drejta për të kërkuar një pronë?

Ky ka qenë debati më i hershëm. Nuk është normale dhe është shkelje e të drejtave ndërkombëtare që të kufizosh një person për të kërkuar të drejtën e tij për pronën. Por kartoni i dy forcave të mëdha politike bëri që të kufizohet një pikë e tillë. Sipas ligjit të votuar, pas një viti asnjë nuk ka të drejtë të kërkojë pronën. Kjo mund të jetë dhe një iniciativë për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të shikoj nëse është në përputhje me Kushtetutën kufizimi për të kërkuar pronën. Njëkohësisht me këtë, një tjetër iniciativë mund të jetë dhe neni që kufizon kthimin e tokës bujqësore në 60 ha.

Shoqata ankimohet në Gjykatën Kushtetuese

Shoqata "Pronësi me Drejtësi", ka shprehur shqetësimin se ende nuk është gjetur rruga e zyrtarizimit të ankesës së tyre në Gjykatën Kushtetuese. Ish-pronarët kanë bërë të ditur se ata kanë kërkuar shfuqizimin e tetë neneve të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Së pari, është ankimuar përcaktimi se ish-pronarët kanë të drejtë që të marrin deri në 60 ha tokë bujqësore. Drejtuesit e "Pronësi me Drejtësi" kanë bërë të ditur se ky përcaktim është në shkelje të të drejtave ndërkombëtare si dhe të nenit 41 dhe 181 të Kushtetutës së Shqipërisë. Si në ligjin themeltar të shtetit, ashtu dhe në konventat ndërkombëtare është vendosur se e drejta e pronës është e garantuar me ligj. Ndaj dhe kufizimi i pronës është shkelje flagrante e Kushtetutës. Gjithashtu, një tjetër pikë është dhe kufizimi i afateve për të kërkuar të drejtën e tokës. "Ka raste kur një pronar nuk e dëshiron të marrë pronën e tij, për shkaqe të ndryshme, por askush nuk mund t'ia kufizojë këtë të drejtë pasardhësve", shpehet një prej drejtuesve të kësaj shoqate. Gjithashtu, në Gjykatën Kushtetuese, është kërkuar që në ligj të sanksionohet se prona u kthehet automatikisht ish-pronarëve, pasi në vitet 1945, është bërë konfiskimi i padrejtë. Duke parë se në Shqipëri kjo kërkesë mund të rrëzohet, ishßpronarët kanë bërë të ditur se do të ankimohen dhe në Gjykatën e Strasburgut, për të gjetur zbatim të konventave ndërkombëtare. Në këtë hap pritet që shoqata të marrë dhe një fushatë sensibilizuese për të informuar ish-pronarët se si do të ankimohen në Gjykatën e Strasburgut për të drejtat e tyre.

Mbetet pa vendim çmimi

i banesave të ish-pronarëve

Qeveria duhet të kishte përcaktuar që më 15 dhjetor aktet nënligjore, sipas të cilave do të vihet në zbatim ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave. Ndërsa një sërë pikash janë të ndërvarura nga puna e Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një sërë çështjesh të tjera duhet të ishin paraqitur me kohë. Ligji përcakton se 90 ditë nga hyrja në fuqi e tij, qeveria duhet të përcaktojë çmimet e qirave për pesonat që jetojnë në ndërtesat e ish-pronarëve. Këta të fundit, deri në vitin 2007, do të paguajnë qiranë që do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa në vitin 2008, këta banorë do të paguajnë qiranë sipas vlerës reale të tregut. Por, ligji përcakton se, pasi të kalojnë tre vjet, banuesit do të detyrohen të lënë ndërtesat, për t'u vendosur diku tjetër. Ata mund të qëndrojnë në to vetëm në rast se bien dakord me ish-pronarët. Ky proces do të monitorohet totalisht nga shteti, i cili brenda tre vitesh, nga hyrja në fuqi e ligjit, duhet të nisë procedurën për të garantuar vendstrehimet për shtetasit e vendosur në ndërtesat të ish-pronarëve. Ligji pranon që shteti për ta të garantojë kredi ose banesa të tjera. Ndërsa parashikon që ish- pronarët të marrin ndërtesat e tyre, tre vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Komiteti nis punën për hartën e tokave

Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të nisë punën për verifikimin e hartës së tokave të lira, që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Forcat politike si dhe vetë anëtarët e Komitetit kanë vlerësuar se ky është një proces delikat, ndaj dhe duhet koha e nevojshme. Gjithsesi, deri më tani është rënë dakord që të dhënat e paraqitura një vit më parë të rishqyrtohen nga ekspertët. Vetëm pas përfundimit të këtij studimi, komiteti i pronave do ta ketë më të lehtë që të japë faturën financiare, që do të përballojë shteti në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Megjithatë, si përfaqësuesit e opozitës, ashtu dhe ata të mazhorancës, kanë pranuar që puna në Komitetin e Pronave është pozitive. Madje, gjatë diskutimeve është vlerësuar se dhe ekspertët kanë dhënë vendime tepër reale dhe të pandikuara nga forcat politike. Burimet thanë se gjatë kësaj jave komiteti do të diskutojë mbi metodikën e vendosjes së çmimeve të tokës.

Qeveria duhet të miratonte aktet nënligjore për:

1. Qiratë e banesave dhe mënyra e strehimit të banorëve që aktualisht jetojnë në ndërtesat e ish-pronarëve

Kriteret e përcaktimit të truallit në rastet kur një zonë nuk ka vijë të verdhë

Detajimi i pronave që nuk kthehen

Kush janë pronat që nuk do të kthehen, por që do të tjetërsohen

Kush është indeksi i rritjes së çmimeve

Kush është harta e pronave shtetërore që do të përdoret për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve

Kush janë ndërmarrjet apo shoqëritë me kapital të përbashkët, që do të përdoren për kompensimin e pronarëve

Cilët janë objektet me kapital shtetëror, që do të jenë në dispozicion të komisioneve të kthimit të pronave

Tarifat që do t'u vihen pronarëve gjatë procesit të paraqitjes së dokumenteve

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›