E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pasaporta e Irenës "kalon" në port

19/01/2005  TIRANË -Ylli Seli, vëllai i Irena Selit, 39-vjeçares së zhdukur një muaj më parë, në datë 16 dhjetor, ka shtuar këto ditë, edhe një tjetër, në lumin e alibive të ngjarjes. Sipas një pohimi të Ylli Selit në policinë e Durrësit, mbërritja e motrës së tij në portin shqiptar është e diskutueshme. Procesverbali i dëshmisë së Selit ka mbërritur nga zyrat e policisë së Durrësit në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas në zyrat e hetuesve të Krimeve të Rënda, aty ku dosja është çuar së fundmi për hetim. Sipas procesverbalit të njërës prej dëshmive të dhëna në polici nga Ylli Seli, motra e tij nuk ka mbërritur në Portin e Durrësit. I ballafaquar me dokumentacionin, ku shënohet emri i motrës së tij si person i mbërritur në port, në datën 16 dhjetor, Ylli e ka lëshuar alibinë e papritur në makinat e shkrimit të hetuesve policorë.

Dëshmia

Kjo dëshmi iu mundësua gazetës “Metropol” nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, deklarimet e Ylli Selit kanë mbërritur në këtë institucion, pasi aty janë zhvilluar hetimet deri dje, kur dosja është dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. “Motra ima nuk ka mbërritur në Portin e Durrësit. Diçka ka ndodhur rrugës mes atyre të dyve. Kishin probleme prej kohësh. Kam mësuar se emri i motrës time ndodhet në regjistrin e Portit të Durrësit, por këtu ka diçka që nuk shkon. Më kanë dëshmuar se pasaporta e Irenës është çuar aty nga i shoqi, i cili e ka bërë regjistrimin e mbërritjes së saj, kur ajo nuk ishte e pranishme. Në pasaportë ajo ka patur edhe lejen e hyrjes në SHBA, kështu që edhe këtij versioni nuk i besoj, derisa Agim Musho ka shkuar i vetëm në policinë e portit, me pasaportën e motrës time në duar”. Kjo është dëshmia e dhënë këto ditë në policinë e qytetit të Durrësit, nga vëllai i gruas së zhdukur.

Akuza

Në Prokurorinë e Tiranës dhe në organin e hetimeve për Krime të Rënda, dosja penale e ngjarjes është regjistruar në mënyrë zyrtare, duke iu referuar nenit 109 të Kodit Penal, me akuzën e rrëmbimit të personit. Sipas burimeve nga Prokuroria, gjatë hetimeve të zhvilluara deri ditën e djeshme, nuk ka asnjë person të dyshuar për ngjarjen. Prokuroria u shpreh dje se, ende nuk ka një pistë apo version për ngjarjen. “Regjistrimi me referencën penale për rrëmbim personi është bërë bazuar në materialet e para që ekzistojnë në dosje. Ato prova dhe materiale, klasifikohen penalisht si rrëmbim personi, ndërsa nuk ka prova që vërtetojnë rrëmbimin e Irena Selit, apo mbajtjen peng të saj. Kjo akuzë dënohet nga 25 vjet burg deri në burgim të përjetshëm, në rastet kur pasojat e rrëmbimit shkojnë deri në vdekjen e personit. Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, sot në këtë institucion dosja do t'i nënshtrohet një analize të hollësishme, jo vetëm për provat dhe faktet, por edhe për klasifikimin penal të ngjarjes dhe kompetencën e hetimeve.

Alibitë e dëshmisë në Durrës

Dëshmia më e fundit e vëllait të Irena Selit, e kanë komplikuar më tepër hetimin, se sa e kanë ndihmuar atë. Nëse i besohet dëshmisë së Ylli Selit, Irena nuk ka shkelur në tokën shqiptare, pasi është nisur nga porti i Triestes. Vëllai i të zhdukurës ka thënë se, bashkëshorti Agim Musho e ka çuar pasaportën e të shoqes në port dhe ka regjistruar në mënyrë të parregullt mbërritjen e saj, pa qenë ajo e pranishme. Ky deklarim hedh poshtë edhe mundësinë e largimit të Irena Selit në SHBA, sepse, sipas të njëjtës dëshmi, leja e hyrjes së Irenës në Amerikë ndodhej në pasaportën e saj, e cila është çuar në Portin e Durrësit nga i shoqi. Sipas kësaj dëshmie, Irena nuk mund të jetë larguar drejt Amerikës, pasi nuk e kishte me vete lejen e hyrjes atje. Dëshmia e fundit në policinë e Durrësit, por edhe deklarimet e fundit të vëllait të së zhdukurës në disa media, e çojnë fillesën e ngjarjes dhe fundin e saj diku në ujërat e detit, mes portit italian të Triestes dhe portit shqiptar të qytetit të Durrësit. Këtij qëndrimi, vëllai i Irenës i shton edhe mundësinë e një konflikti mes çiftit gjatë udhëtimit dhe mundësinë e hedhjes së motrës së tij në ujërat e detit. Kjo dëshmi, nga vëllai i të zhdukurës, nuk është verifikuar. Personeli i tragetit me të cilin është bërë udhëtimi është marrë në pyetje. Sipas dëshmive të tyre, Irena ka mbërritur në Durrës në datën 16 dhjetor, pasi punonjësit e tragetit e kanë njohur udhëtaren e zakonshme të mjetit të tyre lundures.

Ana tjetër e një dyshimi

Askush nga njerëzit që po punojnë me çështjen nuk merr guximin të flasë për pista, versione, prova apo të tilla si këto. Hetuesit dhe prokurorët që po kryejnë verifikimet e dosjes fillojnë dhe mbarojnë të folurën e tyre, duke u referuar vetëm mbi dyshime. Mbi dëshmi të pavërtetuara e të paballafaquara. Por deklarimet e Ylli Selit, vëllait të gruas 39-vjeçare, e cila është zhdukur në datën 16 dhjetor, nuk janë pa një kundërdëshmi. E para në këtë rast është dëshmia e bashkëshortit të gruas së zhdukur. Sipas Agim Mushos, ish-bashkëshortja e tij është larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ky largim ka qenë i planifikuar prej saj. Agim Musho, deklarimeve të tij u shton edhe pohimet e të birit. Sipas Brunos, djalit të Irenës së zhdukur dhe Agimit të larguar pas ngjarjes në Gjermani, e ëma i kishte thënë se do të largohej në Gjermani. Kjo bisedë është zhvilluar mes djalit dhe nënës në datën 15 dhjetor, një ditë para se Irena Seli dhe bashkëshorti i saj, Agim Musho, të niseshin nga Gjermania të mbërrinin në Itali, të merrnin tragetin për në Shqipëri e të ndodhte ngjarja. Pra, dëshmitë dhe argumentet e Agim Mushos, e hedhin poshtë akuzën ndaj tij, se ai e ka paraqitur në Portin e Durrësit pasaportën e gruas së tij, pa praninë e saj. Bruno, djali i Agim Mushos, ka thënë gjithashtu se në telefonin e babait të tij dhe të familjes së Irenës, dy ditë pas zhdukjes kanë mbërritur sinjale telefonike nga një numër me prefiks amerikan. Kjo ka ndodhur në datën 18 dhjetor. Pas kësaj dite verifikimet e motrës në Gjermani dhe të Brunos, nëpërmjet rrjeteve të biznesit amerikan në internet, kishin vërtetuar se karta nga e cila po dërgoheshin zilet ishte blerë në datën 16 dhjetor pranë kompanisë “Jen”, në Los Anxheles. Sa mundësi ka patur Irena e zhdukur në datën 16 dhjetor të blinte po atë ditë një kartë telefonike në Los Anxhelos, kjo edhe për hetuesit mbetet për t'u verifikuar.

Zhdukja, pyetet “i

dashuri” i Irenës

Burime të policisë së Tiranës, pohuan dje se kanë marrë në pyetje një person të lakuar dje në disa organe të shtypit, për lidhje intime me 39-vjeçaren e zhdukur. Sipas burimeve nga Komisariati numër 2 i policisë së Tiranës, hetuesit e policisë që po bashkëpunojnë me Prokurorinë në zbardhjen e ngjarjes, kanë marrë dje në pyetje personin e akuzuar nga bashkëshorti i të zhdukurës, për lidhje intime me Irena Selin. Burimet nuk kanë folur për deklarimet e këtij personi apo rolin e tij në ngjarje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›